Ndërlidhjet

Nga pranvera arabe në terror


Rrëfimi i ish luftëtarit të Al-Nusras
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:20 0:00

Rrëfimi i ish luftëtarit të Al-Nusras

Sot është 27 vjeç, ka të përfunduar shkollën e mesme, është i pamartuar, praktikues i besimit islam dhe gjyshin e kishte pasur hoxhë.

Tash në supe bart edhe luftën në Siri.

Në maj të 2013-s, atëbotë 24 vjeç, vendosi të shkojë të luftojë për forcat opozitare siriane, me të vetmin qëllim – për të rrëzuar regjimin e presidentit sirian, Bashar Al Assad.

Por, përfundoi duke luftuar përkrah grupit të njohur ndërkombëtarisht si terrorist Al-Nusra.

Përmes rrjetit social Facebook thotë të ketë rënë në kontakt me një shqiptar, i cili e ka udhëzuar si të arrijë deri në Siri.

“Kam rënë në kontakt përmes një profili në Facebook më një shqiptar dhe ai më ka thënë se mund të shkoja. Ai thjesht e ka pasur një grup në Facebook, thirrke njerëzit në mënyrë humane për të ndihmuar, qoftë me para ose veshmbathje…".

"E pyeta a mund të bëj diçka më shumë nëse vij atje, dhe ai më tha se do të 'bëjmë diçka që t’i të vijsh' dhe më vonë më lajmëroi se unë mund të shkoja”, shpjegon ky i ri, të cilin për këtë rrëfim po e quajmë me emrin “Arben”.

Emri i tij i vërtetë është i njohur për redaksinë.

“Kur filloi pranvera arabe, dëshiroja t’u ndihmoja njerëzve në Siri. E kam përjetuar luftën si fëmijë në Kosovë dhe ofensivat e tmerrit dhe kam dashur t’ju ndihmojë atyre fëmijëve të vegjël, familjeve, në mënyrë humanitare, së paku kam dashur të jem prezent aty, nëse dikush ka humbur familje ta ndihmoj”, shprehet ai.

Si praktikues i fesë thotë të ketë shkuar në xhami për të kryer ritet fetare, por që nuk ishte i rregullt, pasi që punonte në një “Internet Caffe”dhe nuk kishte kohë të mjaftueshme.

REL: Si keni shkuar deri atje, kush ju ka pritur në kufi?

“Unë jam nisur në maj të vitit 2013, jam nisur vetë prej aeroportit të Prishtinës, biletën e kam blerë në aeroport për në Turqi; kam ateruar në aeroportin e Stambollit, aty ka dalë ai shqiptari me të cilin kam biseduar në Facebook dhe më ka pritur”, thotë “Arbeni”.

Bashkë kalojnë kufirin turko-sirian dhe vendoset në Alepo, te disa qendra ku ishin vendosur, siç thotë, njësitet e Ushtrisë së Lirë Siriane. Kjo ushtri sot njihet si opozitë e moderuar në Siri.

“Në atë kohë nuk ka pasur ISIS [Shtet Islamik], në atë kohë ka qenë vetëm Ushtria e Lirë Siriane, në opozitë nuk ka pasur grupe, ndoshta ka qenë ndonjë grup, por kanë qenë të vogla ose kanë qenë duke u formuar. Në atë rrethinë ku kam qenë unë nuk kam dëgjuar ndonjë gjë të tillë”,

Për Alepon thotë të ketë qenë një vend shumë i mirë, para se të nisnin luftimet e ashpra.

“Ka qenë një villë e madhe, diku 60 veta kemi qenë në një shtëpi, në një dhomë kemi qëndruar deri në 10 veta. Kemi qëndruar të gjithë bashkë, ka pasur sirianë dhe njerëz të vendeve të tjera".

Në javën e parë më kanë lënë vetëm të pushoj, nuk kam pasur ndonjë aktivitet, mandej kemi filluar të rregullojmë kampet e refugjatëve, shkollat, të bëjmë pastrime”, thotë ai.

“Me pas filluam të përgatitemi me ushtrime çdo mëngjes, jemi përgatitur edhe për ndihma humanitare, edhe përgatitje ushtarake. Ne jemi ushtruar për të shtënë Kallashnjikovë A47;unë kam marrë pjesë në ushtrime, por në luftë nuk më ka ra të shkoj”.

“Ata të tjerët kanë marrë pjesë në luftime. Derisa kam qenë i ri [në përvojë], pra deri në një kohë nuk të lenë të shkosh në front, kanë bërë luftime të ashpra, ka pasur bombardime ose kamikazë nëpër shkolla dhe xhami”, shpjegon “Arbeni”.

Më vonë thotë ta ketë kuptuar krijimin e grupit Al-Nusra, në kuadër të Ushtrisë së Lirë Siriane.

“Ai shqiptari [kontakti për rekrutim] më shpjegoi se nga opozita është ndarë një grup, i cili vinte nga Iraku dhe Afganistani. Filluan konfrontimet mes grupacioneve”, thotë ai.

REL: Çfarë kuptove ?

“Në fillim kur shkonin në luftë ata ka qenë bashkë në vijën e parë, pastaj filuan të ndaheshin, disa luftonin më një komandant, gjysma tjetër më një komandat tjetër, dhe u kapshin për plaçkë, ose territore, secili donte me pas territorin e vet".

"Kanë ardhur muhaxhirët [Al- Nusrah] në atë vend ku kam qenë unë dhe me ngadalë arritën në rrethinë të Alepos. Bënin propagandë te populli dhe thonin se opozita nuk e rrëzon dot Assadin, duhej bërë luftë për Sheriat”.

Ai shpjegon se në këtë periudhë ekzistonin tri grupe, Ushtria e Lirë Siriane e cila thirrej në demokraci, Al-Nusrah që merrej me vjedhje shtëpish dhe territoresh dhe grupi i fundit, Shteti Islamik.

“Kam dëgjuar që mes grupeve kanë marrë gratë e të tjerëve, kur kanë marrë pushtetin apo një zonë ku ka pasur familje me gra, të cilat i kanë pasur burrat në luftë, grupi Al Nusra ua kanë marrë grate”, thotë “Arbeni”, i cili njëkohësisht shpjegon tmerret e luftës dhe shkatërrimet masive.

“Shumë gjëra filluan të më shqetësonin; dikur filloi një luftë e padrejtë, nuk u kursye më as fëmija i vogël, as gruaja, askush nuk ishe i sigurt të dilte në rrugë”.

“Kur kam shkuar në fillim të gjithë në rrugë na kanë përshëndetur. Por më vonë filluan të na shikonin më një sy tjetër. Ata frikësoheshin nga ne shumë dhe nëse një grua dhe një burrë e ke takuar në një lokal gjithmonë janë frikësuar nga ne”, thotë ai, duke shpjeguar se atëbotë nuk kishte kontaktuar me qytetarë të tjerë nga Kosova.

Ndaj “Arbenit” aktualisht janë duke u zhvilluar procedura gjyqësore në Kosovë.

Thotë të jetë kthyer në Kosovë pasi e ka parë se qëllimi për rrëzimin e regjimit të Assadit nuk po realizohej.

Por, kthimi pas afër 3 muajsh qëndrimi nuk ishte rrugëtim edhe aq i lehtë.

“Vendimi im për t’u kthyer ka arritur deri te gjykatat ushtarake në Siri”, shpjegon ai, duke shtuar se eprorët i kishtë gënjyer se prindërit i kishte të sëmurë dhe se duhej të kthehej. Rrugën e kthimit ia kishte mundësuar sërish ai shqiptari, i cili edhe e kishte rekrutuar.

Tani thotë se ka ndërprerë çdo kontakt me “ata”.

REL: A do të shkonit përsëri?

“Jo kurrë, kurrë çka kam përjetuar dhe çka kam dëgjuar kurrë. Jam penduar që kam shkuar në mënyrë jo të menduar mirë, dhe vetëm nga videot që kam parë në rrjetet sociale. Prej që jam kthyer nuk dëgjoj më asgjë për atë Siri. Ato video që i qesin nuk i shikoj më”.

“Po çuditem që ka interesim, madje edhe të femrave, për këtë luftë. Ata që mendojnë se është mirë dhe po shkojnë në një Shtet Islamik, ai nuk ka të bëjë asgjë me fenë islame”, thotë për Radion Evropa e Lirë “Arbeni”.

Institucionet e Kosovës kanë miratuar ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.

Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi luftën kundër terrorizmit në botë gjatë vitit 2014, Kosova është vlerësuar si një vend me kërcënim në rritje nga ekstremizmi islamik.

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile, thonë se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300.

* Shënim i redaksisë: Identifikimin e tij si ish luftëtar në Siri e kanë konfirmuar edhe autoritetet e rendit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG