Shqiptarët nga Kosova, të cilët u janë bashkuar luftërave të huaja në Siri dhe Irak, kryesisht kanë shfrytëzuar shtetin e Turqisë për të arritur në destinacionin e tyre.
Kështu u tha të hënën në një tryezë të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me temën: “Mbyllja e korridorit për luftëtarët e huaj: Forcimi i bashkëpunimit Kosovë - Turqi”.
Pjesëmarrësit në takim thanë se është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë një bashkëpunim më të madh me Turqinë në drejtim të parandalimit të kësaj dukurie.
Florian Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, tha se në drejtim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, Kosova nuk po arrin të gjejë bashkëpunimin e duhur me vendet në rajon.
"Pavarësisht vullnetit ky bashkëpunim rajonal është i nënçmuar. Oferta e Kosovës për të bashkëpunuar nuk merret parasysh për arsye se bashkëpunimi rajonal shikohet ende nga prizmi politik. Kosova ende nuk ka arritur që të bëhet pjesë e disa nismave rajonale të sigurisë. Mbi të gjitha, edhe në aspektin bilateral, nuk shihet se ka një bashkëpunim të mirë në aspektin e nismave rajonale të sigurisë", tha Qehaja.
Në përpjekje të angazhimeve për parandalimin e shkuarjes së shqiptareve nga Kosova në Siri dhe Irak, bashkëpunimi mes dy shteteve, Kosovës dhe Turqisë, duhet të jetë shumë i ngushtë, tha pos tjerash Qehaja.
Kurse, Jusuf Selman, nga Qendra për Studime të Politikave dhe redaktor në gazetën "Daily Sabah" në Turqi, tha se të gjitha problemet në rajon, përfshirë edhe radikalizmin e dhunshëm, po vijnë si pasojë e ekonomive të dobëta dhe problemeve shoqërore.
"Këto [probleme] çojnë deri te ngritja e lëvizjeve radikale. Ata rekrutojnë të rinj, të cilët kanë problem me kushtet e vështira ekonomike dhe të cilët kërkojnë jetë më të mirë. Kjo situatë është në Turqi, është edhe në Ballkan”, tha Selman.
“Mendoj se duhet një bashkëpunim më i mirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, por edhe shteteve tjera në Ballkan. Këtyre të rinjve do të ishte mirë t'iu mundësohet një jetë me e mirë apo një shpresë e re”, tha ai
Ndërkaq, njohësi i çështjeve të sigurisë, Burim Ramadani, i cili ishte panelist në këtë debat, foli lidhur me qeverisjen e dobët dhe ndikimin në përhapjen e ideologjive.
Ai tha se Kosova dhe institucionet e saj duhet të japin më shumë kontribut në parandalimin e dukurive negative dhe, siç tha ai, veprimet e tyre duhet të jenë strategjike dhe jo aty për aty.
"Shteti i brishtë po mundëson ambient për përhapjen e ideologjive të ekstremizmit dhe nuk është vetëm një konkludim i veçantë, sepse kështu e thotë edhe Strategjia për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit. Strategjia thotë se këto probleme që i kemi, shtetërore, kanë mundësuar dhe po mundësojnë në vazhdimsi një ambient që disa njerëz e shfrytëzojnë për rekrutimin e të tjerëve për kauza të veta", tha Ramadani.
Përderisa Florian Qehaja, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, tha se për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, një kontribut të madh mund ta japë Bashkësia Islame e Kosovës dhe imamët e xhamive në Kosovë.
"Vetëm me një angazhim gjithëpërfshirës, ne mund të arrijmë efektin e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm. Dhe, unë pajtohem se kemi edhe polin tjetër që thotë jo, që është ai poli që tenton të minimizojë potencialin. Ne mendojmë që potenciali është aty diku, në mes atyre që thonë se nuk kemi aq problem me ekstremizëm, por edhe atyre që e ekzagjerojnë këtë punë", tha Qehaja.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, David Phillips, nga Instituti për Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia, pati deklaruar se "nuk duhet ta neglizhojmë mundësinë për të kuptuar rolin shumë tinëzar që Turqia po luan në radikalizmin e vendeve në Ballkanin Perëndimor".
Institucionet e Kosovës kanë miratuar ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja. Po ashtu, Kosova ka edhe "Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që Shpie në Terrorizëm".
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë per Radion Evropa e Lirë se krahas shkuarjes së rreth 300 qytetarëve nga Kosova në luftërat e huaja në Siri e Irak, për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të shpallura si terroriste, interesim për të udhëtuar dhe jetuar në ato vende kanë shprehur edhe disa familje nga Kosova.
Janë rreth 20 familje nga Kosova që kanë shprehur interesim për të jetuar në Siri.