Juniku shkon në balotazh
Në Komunën e Junikut, pas numërimit të 100 për qind të votave, kjo komunë nuk ka nxjerrë një fitues në raundin e parë.
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kreun e kësaj komune, Agron Kuçi ka fituar 47.26 për qind të votave.
I dyti është Ruzhi Shehu i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 37.87 për qind të votave.
Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.
Të dhënat e publikuara në ueb-faqen e KQZ-së përfshijnë vetëm votat e rregullta dhe jo ato me kusht dhe nga jashtë Kosovës.
Cilat komuna shkojnë në balotazh?
Në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në mesnatë, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës katër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës dy, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë.
Fitore në raundin e parë janë shënuar në: Deçan (AAK), Mitrovica e Jugut (PDK), Leposaviq (Lista Serbe), Lipjan (LDK), Novobërda (Lista Serbe), Peja (LDK), Shtërpca (Lista Serbe), Suhareka (AAK), Ferizaji (PDK), Zubin Potoku (Lista Serbe), Zveçani (Lista Serbe), Hani i Elezit (PDK), Graçanica (Lista Serbe), Ranillugu (Lista Serbe), Parteshi (Lista Serbe), dhe Mitrovica e Veriut (Lista Serbe), Skenderaj (PDK).
Ndërkaq, në balotazh do të jenë: Gjakova (AAK-LVV), Gjilani (LVV-LDK), Dragashi (PDK-LDK), Klina (AAK-PDK), Kamenica (PSD-LVV), Podujeva (LVV-LDK), Prishtina (LVV-LDK), Prizreni (LVV-PDK), Vitija (LDK-LVV), Vushtrria (PDK-LDK), Malisheva (Nisma-PDK), Juniku (AAK-LDK) dhe Mamusha (KDTP-KATP), Gllogovc (PDK-DD), Kllokot (Lista Serbe-GI SNS), Istog (LDK-AAK), Shtime (PDK-LVV), Rahovec (AAK-LVV), Fushë Kosova (LDK-LVV), Obiliqi (IQO-LVV) dhe Kaçanik (PDK-LVV).
Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.
Të dhënat e publikuara në ueb-faqen e KQZ-së përfshijnë vetëm votat e rregullta dhe jo ato me kusht dhe nga jashtë Kosovës.
LDK: Prijmë dhe jemi në garë në 11 komuna
Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku ka thënë se në këto zgjedhje lokale, LDK-ja prin ose është në garë në 11 komuna.
“LDK këtë mbrëmje të 17 tetorit e sheh si datë të rikthimit të madh. Ky rikthim është arritje, por edhe përgjegjësi të cilën duhet ta ushtrojmë me kujdes”, tha Abdixhiku.
Në Prishtinë, Abdixhiku ka thënë se kandidati Përparim Rama do të jetë në balotazh.
Ai ka vlerësuar procesin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit si një proces demokratik dhe të qetë.
LDK-ja thotë se në Pejë, Lipjan, Fushë Kosovë kandidatët e saj kanë fituar garën.
Ndërkaq, me vota sipas LDK-së, kandidatët e saj janë në epërsi në Podujevë, Viti, Istog Vushtrri dhe Dragash.
PDK: Pa balotazh fituam pesë komuna
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shpallur fitoren në raundin e parë të zgjedhjeve në pesë komuna: në Mitrovicë të Jugut, Ferizaj, Skenderaj, Kaçanik dhe në Han të Elezit.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një konferencë për media tha se edhe në komunat ku janë në balotazh si në Prizren, Drenas, Vushtrri, Klinë e të tjera do ta fitojnë garën në raundin e dytë.
“PDK-ja në këto zgjedhje lokale ka shënuar rezultat të jashtëzakonshëm. Qytetarët u bashkuan për të mbajtur e për rikthyer qeverisje të mira në komunat e Kosovës me PDK-në. PDK-ja ka qenë e fortë dhe mbetet e fortë dhe do të bëhet edhe më e fortë”, tha Krasniqi.
I pyetur se me kënd do ta përkrahin në garën për Prishtinën pasi PDK-ja nuk do të jetë në balotazh me kandidatin e tyre, Uran Isamilin, Krasniqi tha se i mbetet Ismailit që të vendosë.
Facebook Forum