Ndërlidhjet

Kuti votimi.
Kuti votimi.

Mbi gjysma e komunave shkojnë në balotazh

  • Më 17 tetor, qytetarët e Kosovës votuan për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të 38 komunave dhe anëtarët e asambleve komunale.
  • Sipas të dhënave preliminare, kryetarë të rinj u zgjodhën në 17 komuna, ndërkaq 21 komuna shkojnë në balotazh.
  • Dalja në zgjedhje ishte rreth 43 për qind. Vendvotimet u hapën në orën 07:00 dhe u mbyllën më 19:00.
  • Në zgjedhje morën pjesë 166 kandidatë për kryetarë komunash dhe 5,198 kandidatë ishin të certifikuar për asamblistë.
  • Në këto zgjedhje të drejtë vote kishin 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
20:48 17.10.2021

Mitrovica e Jugut, Ferizaj dhe Peja me kandidatë me mbi 50% të votave

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, që njëherësh është kryetar aktual në këtë komunë, ka fituar 63.60 për qind pas numërimit të 50 për qind të votave.

I dyti në këtë komunë është Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje që ka fituar rreth 25 për qind të votave.

Ndërkaq, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza po prin në zgjedhje.

Sipas të dhënave të publikuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, me 57 për qind të votave të numëruara, Hamza ka fituar 52.96 për qind të votave.

I dyti është kryetari aktual i komunës, Agim Bahtiri nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai, sipas rezultateve preliminare ka fituar 35.31 për qind.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri - njëherësh kryetari aktual i komunës - ka fituar 59.81 për qind të votave pas numërimit të 48.27 për qind. I dyti është Gazmend Agusholli nga Lëvizja Vetëvendosje me 22.41 për qind.

Ndërkaq, kandidatët për kryetarë komunash nga radhët e Listës Serbe po prijnë në pothuajse të gjitha komunat me shumicë serbe.

Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.

Të dhënat e publikuara në ueb-faqen e KQZ-së përfshijnë vetëm votat e rregullta dhe jo ato me kusht dhe nga jashtë Kosovës. Në komunat e tjera, përpunimi i votave është duke shkuar më ngadalë dhe ende është e paqartë nëse në to do të ketë fitues në raund të parë apo do të shkojnë në balotazh.

21:18 17.10.2021

LVV: Do të jemi fitues në komunat më të fuqishme

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) tha se në zgjedhjet komunale të 17 tetorit do të jetë fituese në “komunat më të fuqishme” dhe do të jetë në balotazh në numrin më të madh të komunave.

Në një konferencë për media, Fitore Pacolli nga LVV-ja tha se rezultatet finale do të dëshmojnë se LVV-ja, do të dyfishojë votat nga zgjedhjet e komunale të vitit 2017.

“Në krahasim e rezultatin e zgjedhjeve komunale të vitit 2017, nga partia e tretë do të jemi bindshëm partia e parë. Rezultatet finale do të do qartësojnë ngritjen e Vetëvendosjes në raport me zgjedhjet e fundit në nivel lokal. Numri i përgjithshëm i votave dhe besimit të qytetarëve presim të dyfishohet”, tha Pacolli.

Zgjedhjet e 17 tetorit në Kosovë, tha Pacolli, janë shembull për gjithë rajonin.

Në komunën e Prishtinës, Pacolli tha se janë të parët dhe do të fitojnë pa balotazh.

Rinia shpreson të përfshihet në zhvillimin e Prishtinës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:45 0:00

21:36 17.10.2021

Rezultatet zgjedhore në Lipjan, Deçan, Suharekë e Han të Elezit

Sipas të dhënave preliminare, ​Imri Ahmeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kryetar aktual, ka fituar 57.25 për qind të votave, pas numërimit të 53.36 për qind të votave. I dyti është Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje me 22.71 për qind të votave.

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bashkim Ramosaj, njëherësh kryetari aktual i Deçanit, është duke fituar në këtë komunë.

Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 36 për qind të votave të numëruara, Ramosaj ka fituar 72.38 për qind të votave. I dyti është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hyri Dobrunaj me 12.99 për qind të votave.

Në Suharekë, pas numërimit të 76.96 për qind të votave, kryetari aktual, njëherësh kandidati i AAK-së, Bali Muharremaj ka fituar 50.52 për qind të votave, pasuar nga Adrian Shala i LDK-së me 31.20 për qind.

Në Han të Elezit, Mehmet Ballazhi nga Partia Demokratike e Kosovës ka 50.26 për qind të votave, pas 72.98 për qind të votave të numëruara. I dyti është kryetari aktual, kandidati i pavarur, Refki Suma me 42.46 për qind.

Që një kandidat të fitojë pa balotazh i duhen 50 për qind plus një votë.

Të dhënat e publikuara në ueb-faqen e KQZ-së përfshijnë vetëm votat e rregullta dhe jo ato me kusht dhe nga jashtë Kosovës. Në komunat e tjera, përpunimi i votave është duke shkuar më ngadalë dhe ende është e paqartë nëse në to do të ketë fitues në raund të parë apo do të shkojnë në balotazh.

21:52 17.10.2021

Rakiq: Pa Asociacion nuk do të ketë as institucione të Kosovës

Kryetari i Listës serbe, Goran Rakiq, ka thënë në një konferencë për gazetarë se kandidatët e Listës Serbe kanë fituar në zgjedhjet lokale në 10 komunat që janë të banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Ai theksoi se janë duke luftuar për të zbatuar marrëveshjen për themelimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Në qoftë se nuk fillojnë bisedimet për Asociacionin në muajin e ardhshëm, nuk do të ketë më as institucione të Kosovës ”, tha Rakiq.

Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq.

Dalja më e madhe e votuesve në zgjedhjet lokale të 17 tetorit është shënuar në katër komunat në veri të Kosovës, të cilat janë të banuara me shumicë serbe.

Në Zveçan kanë votuar rreth 84 për qind të numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote, përkatësisht 5,773 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votimit 6,879 sa janë të regjistruar me të drejtë vote.

Në vendin e dytë, për kah pjesëmarrja në votime është Leposaviqi, me 74 për qind të votuesve apo mbi 8,500 prej 12,707 personave me të drejtë vote.

Shfaq më shumë

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG