Ambasada amerikane: Vendimet e kryetarëve janë të rëndësishme
Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se vendimet e kryetarëve të komunave janë të rëndësishme, andaj edhe u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të votojnë në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
“Vendimet (e kryetarëve) qofshin ato duke u dhënë prioritet shkollave, transportit publik, mbledhjes së mbeturinave apo projekteve tjera, ndikojnë në kualitetin e jetës së përditshme”, ka thënë kjo Ambasadë përmes një postimi në Twitter.
Mandl: Kontributi më i mirë në demokraci, përmes votës
Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve, Lukas Mandl, ka thënë të dielën se është shumë i lumtur që blloku evropian mund të kontribojë me 100 vëzhgues në zgjedhjet lokale të Kosovës.
“Ekzistojnë mënyra të ndryshme për të kontribuar në demokraci, mirëpo mënyra më e mirë është përmes votës. Prandaj mesazhi im i parë sot është që të inkurajoj secilin që të votojë”, ka thënë Mandl.
Sipas tij, procesi zgjedhor është duke u realizuar në mënyrë të qetë.
Rama: I lumtur që jetoj në një shtet demokratik
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë pas votimit se është i lumtur që jeton në një shtet demokratik dhe secili ka të drejtë të votojë dhe të marrë përgjegjësi për të ardhmen e qytetit.
Voton presidentja Osmani
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të dielën se zgjedhjet lokale përbëjnë një proces të rëndësishëm për jetën e qytetarëve.
“Sot, qytetarët tanë, pa asnjë dallim, në çdo cep të vendit tonë, votojnë për kualitetin e jetës së tyre, votojnë për komunat e tyre, për udhëheqësinë, e cila do ta determinojë sesi në katër vjetët e ardhshëm do të jetë jeta në komunat ku ata jetojnë”, ka thënë Osmani pas votimit.
Facebook Forum