Voton kreu i PDK-së, Memli Krasniqi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë të dielën se shpreson që demokracia të jetë fituesja më e madhe e ditës.
“Zgjedhjet lokale janë zgjedhje për qytetarët, jo për politikanët. Pjesëmarrja sa më e madhe është e rëndësishme për të dhënë verdiktin demokratik se kush duhet të na udhëheqë në katër vjetët e ardhshëm”, ka thënë Krasniqi.
Kurti: Qytetarët vendosin se kush vendos
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë pas votimit se në zgjedhjet e së dielës, qytetarët vendosin se “kush vendos”.
Ai ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e votës, dhe se, si kryeministër, do të punojë shumë ngusht në fuqizimin e komunave.
Arrestohen katër persona të dyshuar për blerje të votës
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se më 16 tetor, në orët e vona, janë arrestuar katër persona në Kllokot, nën dyshimin për kryerje të veprave penale: Cenim i përcaktimit të lirë të votuesve dhe dhënie ose marrje e ryshfetit në lidhje me votimin.
Të dyshuarit me inicialet: A.D., M.K., A.T dhe Xh.B., janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Abdixhiku: Qytetarët vendosin sot për të ardhmen e tyre
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka konsideruar ditën e zgjedhjeve si festë.
"Vendimmarrja u kthehet qytetarëve tanë dhe nuk ka asgjë më të mirë dhe më të bukur, sesa që qytetarët të vendosin për të ardhmen e tyre”, ka thënë Abdixhiku para gazetarëve.
Facebook Forum