KQZ njofton për nisjen e numërimit të votave
Pas mbylljes së vendvotimeve në mbarë vendin, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se ka nisur numërimi i votave për zgjedhjet lokale.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se tani duhet të respektohen procedurat e votimit nga personat e angazhuar në zgjedhje.
“Ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve, anëtarët e këshillave të votimit duhet të zbatojnë të gjitha procedurat e numërimit në mënyrë që vullneti i qytetarëve”, tha Radoniqi në një konferencë për media.
Më herët, zyrtarë të KQZ-së kanë bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se rezultatet preliminare pritet të publikohen sonte.
Dalja në zgjedhje, sipas të dhënave të KQZ-së, ishte 43 për qind, shifër e ngjashme me daljen në zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Gjatë zgjedhjeve, koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim tha se nuk është regjistruar ndonjë incident që do të mund të cenonte integritetin e zgjedhjeve.
KQZ: Dalja në zgjedhje, 42.49 për qind
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit kanë votuar 42.49 për qind të qytetarëve me të drejtë vote, një dalje e ngjashme krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, kur kishin dalë 43.5 për qind e elektoratit.
KQZ-ja thotë se mbi 797 mijë qytetarë votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe asambletë komunale në 38 komunat e Kosovës.
DnV: Nuk ka pasur incidente serioze gjatë zgjedhjeve
Koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, pas nisjes së mbylljes së vendvotimeve tha se në zgjedhjet lokale nuk ka pasur incidente serioze, që do të mund të komprometonin integritetin apo kredibilitetit zgjedhor.
Eugen Cakolli nga DnV në një konferencë për media, tha se në zonat rurale ka pasur më shumë shkelje, qoftë të masave kundër koronavirusit, por edhe kanë parë persona që kanë qëndruar pranë qendrave të votimit.
“Në pjesën veriore të vendit, procesi i votimit ka rrjedhur i qetë dhe nuk ka pasur ndonjë incident që do të mund ta cenonte integritetin e procesit zgjedhor”, tha Cakolli.
“Karakteristikë e komunave veriore, e në veçanti e Mitrovicës së Veriut është dalja e jashtëzakonshme e qytetarëve në zgjedhje, e cila është të paktën dy fish më e lartë se mesatarja e vendit gjatë pjesës së ditës”, shtoi ai.
Ai po ashtu theksoi se nuk kanë shënuar asnjë rast të ndërprerjes së procesit të votimit, qoftë për shkak të energjisë elektrike apo për ndonjë problem tjetër. Cakolli po ashtu bëri me dije se kanë evidentuar raste kur qytetarët janë lejuar që të votojnë me dokument me afat të skaduar.
Nis mbyllja e vendvotimeve për zgjedhjet lokale
Në ora 19:00 ka nisur mbyllja e vendvotimeve në Kosovë. Qytetarët në zgjedhjet lokale votuan për të zgjedhur kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të asambleve komunale për 38 komunat e Kosovës.
Këto ishin zgjedhje të rregullta lokale dhe të drejtë vote kishin 1 milion e 885 mijë e 448 votues.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më herët tha për Radion Evropa e Lirë se rezultatet preliminare pritet të publikohen sonte.
Facebook Forum