Rezultatet preliminare do të publikohen sonte
Sikurse edhe në zgjedhjet e kaluara, edhe në zgjedhjet e 17 tetorit, sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror të zgjedhjeve, votat e qytetarëve do të numërohen në vendvotime.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Radion Evropa e Lirë se procesi i numërimit të votave është më i lehtë se ai i zgjedhjeve të përgjithshme dhe se sipas tij, votat pritet të numërohen më shpejt.
"Përfundon procesi i numërimit të fletëvotimeve për kryetar, një zyrtar e merr një kopje të formularit me rezultate dhe të njëjtat i ngarkon në aplikacioni e KQZ-së. Pastaj, vazhdon numërimi i fletëvotimeve për kuvende komunale dhe pasi të përfundojë i gjithë ky proces, materialet kthehen në komision komunal të zgjedhjeve dhe prej aty në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve", tha Elezi.
Elezi shpjegoi se pas procesit të numërimit të votave, rezultatet pritet publikohen gjatë mbrëmjes.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për kryetarë të komunave të Kosovës janë certifikuar 166 kandidatë.
Në garën për asamblistë në kuvendet e të gjitha komunave janë certifikuar 5,198 kandidatë.
Rinia shpreson të përfshihet në zhvillimin e Prishtinës
Blin Ahmeti është një 19-vjeçar nga Prishtina, i cili të dielën votoi për herë të parë në zgjedhje lokale. Ai uron që kryetari i ri të përfshijë rininë në zhvillimin e kryeqytetit si dhe të përmirësojë infrastrukturën në lagjet e Prishtinës.
Dalje e lartë në zgjedhje në komunat me shumicë serbe
Komunat e banuara me shumicë serbe kanë daljen më të lartë në zgjedhjet lokale të Kosovës, që po mbahen këtë të diel.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 15:00, Komuna e Zveçanit ka daljen më të lartë, përkatësisht 56.91 për qind e qytetarëve kanë votuar.
Pas Zveçanit vije Mitrovica e Veriut me 55.03, pasuar nga Leposaviqi me 47.97 për qind të daljes së qytetarëve.
Më pas vije, Komuna e Novobërdës me 46.58 për qind, Zubin Potoku me 44.53 për qind Shtërpca me 42.43 për qind, Ranillugu 40.68, Klokot me 37.50 për qind.
Në fund, radhiten Parteshi me 36.30 për qind dhe Graçanica me 32.47 për qind.
Ndalohet një person për pengim të procesit të votimit
Prokurori i Shtetit tha se në Komunën e Suharekës është ndaluar një person, që dyshohet se ka kryer veprën penale “Pengim i procesit të njoftimit”.
Sipas njoftimit, i dyshuari ka penguar procesin e votimit duke prishur rendin dhe qetësinë dhe më pas ka thyer edhe dritën fluoreshente.
Facebook Forum