KQZ: Deri në orën 15:00 votuan 27 për qind e qytetarëve të Kosovës
Deri në ora 15:00, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të drejtën e votimit e kanë ushtruar 27 për qind e qytetarëve të Kosovës.
Sipas kësaj shifre, i bie që mbi 500 mijë qytetarë kanë votuar në zgjedhjet lokale.
Dalja në zgjedhje është më e ulët krahasuar me zgjedhjet e vitit 2017, kur deri në orën 15:00 kishin votuar 29 për qind e votuesve.
Të dielën, qytetarët e Kosovës po votojnë për të zgjedhur kryetarët dhe asambletë komunale në 38 komuna.
Zyrtarët serbë nisen drejt vendvotimeve - pa maska
Zyrtarë nga Mitrovica e Veriut nuk kanë respektuar të dielën masat në fuqi për luftim të pandemisë së koronavirusit në Kosovë.
Rrugës për në vendvotime, zyrtarë të Listës Serbe, por edhe nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq dhe bashkëpunëtorët e saj, janë parë pa maska.
Mbajtja e maskave, përfshirë në vendet e hapura, është ende në fuqi në Kosovë.
Kjo masë vlen edhe për personat që ecin vetëm në rrugë.
Kur është pyetur nga Radio Evropa e Lirë se pse Hoxhiq, bashkë me disa persona tjerë janë parë në rrugë pa maska, ajo ka thënë se shumica prej tyre kanë qenë të vaksinuar.
“Në vendvotime besoj se të gjithë kemi pasur maska. Fakt është që një pjesë e mirë e qytetarëve nuk mbanin maska mbrojtëse në vende të hapura, por është gjithashtu është fakt se shumica e këtyre njerëzve në fakt ishin të vaksinuar”, ka thënë ajo.
Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, në grup janë parë edhe anëtarë të Listës Serbe.
Disa prej tyre po ashtu nuk kanë pasur maska dhe as nuk kanë respektuar distancën fizike.
Ky subjekt politik nuk është përgjigjur në kërkesën e Radios Evropa e Lirë për të komentuar në këtë çështje.
PZAP pranon pesë ankesa nga subjektet politike
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë ka njoftuar se subjektet politike kanë paraqitur ankesat e para për shkelje të kodit të mirësjelljes për zgjedhjet lokale.
Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka thënë për Radion Evropa e Lirë se janë paraqitur pesë ankesa, me pretendimin se është thyer heshtja zgjedhore.
“Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur katër ankesa kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës, dy për Komunën e Prishtinës, një për Podujevë dhe një për Junik, kurse një ankesë ka paraqitur Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës kundër Partisë Liberale Egjiptiane”, ka thënë Desku.
Çfarë po kërkojnë qytetarët në këto zgjedhje lokale?
Facebook Forum