Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
16:33 27.2.2022

Stoltenberg: Aleatët perëndimorë duhet të 'qëndrojnë së bashku' kundër Rusisë

Vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin, për të vënë në gatishmëri forcat e tij bërthamore përbën sjellje "të papërgjegjshme", tha NATO të dielën, më 27 shkurt.

"Kjo është një retorikë e rrezikshme. Kjo është një sjellje e papërgjegjshme", tha sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, raportoi CNN.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa duhet "të qëndrojnë vërtet së bashku" në përgjigje të agresionit ushtarak të Rusisë dhe "retorikës kërcënuese", tha Stoltenberg, duke shtuar se aleanca "nuk dëshiron luftë".

16:53 27.2.2022

Ndër zhvillimet më të fundit rreth luftës në Ukrainë:

  • Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar ushtrinë e tij që të vendosë forcën parandaluese – një referencë për njësitet që përfshin edhe krahun bërthamor – në gatishmërinë më të lartë, duke cituar deklaratat agresive të liderëve të NATO-s dhe sanksionet ekonomike
  • Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar këtë hap si përshkallëzim të papranueshëm
  • Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se aleatët perëndimorë duhet të “qëndrojnë së bashku” kundër Rusisë
  • Zyrtarët ukrainas dhe ata rusë pritet të takohen për bisedime në kufirin e Ukrainës me Bjellorusinë, ka thënë zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyi.
  • Kombet evropiane dhe Kanadaja kanë mbyllur hapësirat e tyre ajrore për aeroplanë rusë
  • Japonia do t’iu bashkohet Shteteve të Bashkuara dhe atyre të Perëndimit për të bllokuar qasjen e disa bankave ruse në sistemin ndërkombëtar të pagesave SWIFT
  • Sekretarja e Jashtme britanike, Lizz Truss ka thënë se lufta mund të jetë fillimi i fundit të Putinit
  • Pajisjet ushtarake ruse kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh në Ukrainë, Harkiv, në ditën e katërt të luftës
  • Guvernatori i Harkivit ka thënë ndërkohë që forcat ukrainase kanë rikthyer kontrollin e plotë të qytetit
  • Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë se në kryeqytetin ukrainas nuk ka trupa ruse
  • Rusia ka sulmuar objekte ukrainase të naftës dhe gazit, duke nxitur shpërthime të mëdha
  • Ukraina ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare, duke cituar supozimet për gjenocid kundër Kievit
  • Në dhjetëra qytete në botë është protestuar kundër luftës në Ukrainë
  • Papa Françesku ka bërë thirrje për dhënien fund të luftës
17:00 27.2.2022

Qindra protestues kundër luftës të arrestuar nga policia ruse

Qytetarët rusë në disa qytete, duke përfshirë Moskën, Shën Petersburgun dhe Samaran, kanë dalë sërish në rrugë më 27 shkurt për të protestuar kundër pushtimit rus të Ukrainës.

Demonstruesit marshuan në qendrat e qyteteve, duke brohoritur "Jo luftës".

Sipas OVD-Info, një organizatë jofitimprurëse që monitoron arrestimet e policisë në mbarë vendin, pasditen e 27 shkurtit policia ruse arrestoi 461 qytetarë në 32 qytete për pjesëmarrje në demonstratat kundër luftës.

Aktivistët e të drejtave kanë thënë se nga 24 deri më 26 shkurt, më shumë se 3,000 rusë u arrestuan për protestat, në të cilat kundërshtonin luftën e Rusisë kundër Ukrainës.

17:13 27.2.2022

Ukraina: Urdhri i Putinit për forcat bërthamore, taktikë presioni

Ukraina tha të dielën se urdhri i presidentit rus, Vladimir Putin, për të vendosur forcat bërthamore ruse në gatishmëri të lartë ishte llogaritur për të ushtruar presion në fillimin e bisedimeve, porse Kievi nuk do të mashtrohej.

Duke folur në një konferencë, ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba, tha gjithashtu se Rusia kishte hequr dorë nga parakushtet e saj për bisedime pasi pësoi pengesa ushtarake. Ukraina do të dëgjonte atë që Rusia kishte për të thënë, tha ai.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG