Të nderuar lexues, këtu e mbyllim mbulimin direkt të zhvillimeve në Ukrainë, që kemi nisur më 24 shkurt, në ditën kur Rusia ka nisur pushtimin e fqinjit të saj. Për informacionet e fundit nga kjo luftë, na përcillni në rubrikën e lajmeve.
Për analiza, video nga vendi i ngjarjes, fotografi, infografika, klikoni në rubrikën: Lufta në Ukrainë.
Po ashtu, vazhdoni të na përcillni edhe në llogaritë e radios sonë në Facebook, Twitter, Instagram dhe YouTube.
Radio Evropa e Lirë ju falënderon për besimin!
Papa nderon gazetarët e vrarë në Ukrainë
Pas vizitës në Maltë, Papa Françesku ka nderuar gazetarët e vrarë gjatë luftës në Ukrainë.
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia për kolegët tuaj të rënë, nga cilado anë që ishin ata”, tha ai.
“Puna juaj është një punë për të mirën e përbashkët. Ata kanë rënë në shërbim të së mirës së përbashkët të informacionit. Të mos harrojmë se ata ishin të guximshëm. Unë lutem për ta, lutem që Zoti të shpërblejë punën e tyre!”, tha ai.
Të paktën gjashtë gazetarë kanë vdekur deri tani që kur forcat ruse pushtuan Ukrainën në fund të shkurtit.
Duke folur me gazetarët në bordin e aeroplanit që kthehej nga Malta, Papa Françesku përsëriti gjithashtu se ishte gati të bënte një udhëtim në kryeqytetin ukrainas, Kiev, por shtoi se ai ende nuk kishte vendosur nëse do të ishte e mundur.
Protestë në mbështetje të Ukrainës në Letoni
Qindra njerëz u mblodhën të dielën në qytetin Daugavpils të Letonisë, për t’u solidarizuar me Ukrainën.
Ky qytet ka një popullsi me shumicë rusishtfolëse dhe një kryetar bashkie nga një parti pro-ruse.
Duke mbajtur tabela që shkruanin “Paqja është qëllimi” dhe “Letonia mbështet Ukrainën” dhe duke valëvitur flamujt e të dy vendeve, rreth 700 njerëz protestuan kundër pushtimit rus të Ukrainës.
Rusia kërkon që të diskutohet në Këshillin e Sigurimit për masakrën në Buça
Rusia ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të diskutojë të hënën për atë që e quajti “provokim nga radikalët ukrainas”, duke aluduar për pamjet e civilëve të vrarë në qytetin Buça në afërsi të Kievit.
“Në dritën e provokimit të hapur nga radikalët ukrainas në Buça, Rusia ka kërkuar që të thirret një takim i këshillit të sigurimit të OKB-së”, shkroi Dmitry Polansky, zëvendëspërfaqësuesi i parë i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara, në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Ukraina e ka akuzuar Rusinë për vrasjen e civilëve në Buça, derisa Moska i ka mohuar këto akuza.