Ambasada e SHBA-së në Kiev i quan të tmerrshme pamjet në Buça
Ambasada e SHBA në Kiev i ka quajtur pamjet në qytetin ukrainas, Buça “të tmerrshme” dhe ka premtuar veprim.
“Qeveria amerikane është e përkushtuar të ndjekë përgjegjësinë duke përdorur çdo mjet në dispozicion. Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur, bota duhet të dijë se çfarë ka ndodhur dhe ne të gjithë duhet të veprojmë”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Ukraina akuzoi të dielën forcat ruse për kryerjen e masakrës në qytetin Buça.
Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi akuzat e Ukrainës.
Rusia konfirmon sulmet ajrore pranë Kievit dhe Mikolajivit
Rusia ka konfirmuar se ka kryer disa sulme ajrore në objektet ushtarake dhe depot e karburantit në rajonet ukrainase të Kievit dhe Mikolajivit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes në Rusi, Igor Konashenkov tha të dielën se një qendër kontrolli e bazës ajrore ishte shkatërruar afër Kievit.
Konashenkov tha gjithashtu se depot e karburantit në rajonin jugor të Ukrainës Mikolajiv u sulmuan me raketa.
Më herët, kryetari i bashkisë së Mikolajivit, Oleksandr Senkevych, raportoi disa sulme me raketa.
Vriten disa civilë në Harkiv
Një numër njerëzish janë vrarë të dielën nga granatimet ruse në qytetin e Harkivit, thanë autoritetet e qytetit.
Në një deklaratë në Telegram, guvernatori Oleh Synyehubov tha “në mbrëmje, pushtuesit granatuan rrethin Slobidsky të Harkivit.
“Fatkeqësisht, në mesin e popullatës civile ka të vdekur dhe të plagosur. Në këtë kohë janë 23 viktima, duke përfshirë fëmijë”, tha ai.
Harkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe ndodhet afër kufirit me Rusinë.
Rusia sulmon një spital në Ukrainë, së paku një i vrarë e disa të plagosur
Së paku një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën kur forcat ruse sulmuan një spital në qytetin lindor të Ukrainës, Rubizhne, tha guvernatori lokal, Sergiy Gaiday.
“Një predhë armike goditi spitalin Rubizhne”, tha ai.
Gaiday tha se janë duke kërkuar informacione për identifikimin e viktimave.
Ai postoi një foto të ekipeve të shpëtimit duke kërkuar në rrënoja.