Shefi i OKB-së “thellësisht i tronditur” nga pamjet e trupave të pajetë në Buça
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se është “thellësisht i tronditur” nga pamjet e varrezave masive në Buça, pranë kryeqytetit ukrainas.
Ai bëri thirrje për një hetim të pavarur.
“Jam thellësisht i tronditur nga pamjet e civilëve të vrarë në Buça”, tha ai.
“Është shumë i rëndësishme që një hetim i pavarur të çojë kryerësit para drejtësisë”, tha Guterres, pasi zyrtarët ukrainas thanë se ishin gjetur qindra trupa të civilëve të vrarë, duke akuzuar trupat ruse për krime lufte.
Vritet në Mariupol regjisori lituanez
Regjisori lituanez i filmit, Mantas Kvedaravicius, u vra në Mariupol me “kamerë në duar”, citon BBC mediat ukrainase.
Mediat lokale cituan një postim në Facebook nga Vitaly Mansky, një regjisor rus i vlerësuar me çmime.
Kvedaravicius ka dokumentuar prej kohësh Mariupolin. Filmi i tij “Mariupolis” u shfaq premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin në 2016.
Mariupoli është goditur nga predha ruse për javë të tëra.
Të shtunën, një tjetër regjisor dhe fotograf, ukrainasi Maks Levin, u gjet i vdekur në veri të kryeqytetit Kiev.
Boris Johnson dënon vrasjen e civilëve në Ukrainë
Kryeministri britanik, Boris Johnson, e ka dënuar ashpër ekzekutimin e civilëve ukrainas, që u pa pas tërheqjes së trupave ruse nga periferitë e Kievit.
“Sulmet e neveritshme të Rusisë kundër civilëve të pafajshëm në Irpin dhe Buça janë edhe më shumë dëshmi se presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ushtria e tij po kryejnë krime lufte në Ukrainë”, tha Johnson në një deklaratë.
Kryeministri britanik premtoi se do të bënte gjithçka në fuqinë e tij, duke u zotuar se Londra do të shtrëngonte sanksionet kundër Moskës dhe do të rrisë furnizimet me armë dhe ndihmën humanitare për Ukrainën.
Johnson theksoi, gjithashtu, mbështetjen e Britanisë për një hetim të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për mizoritë e kryera në Ukrainë.
Londra do të rrisë mbështetjen e saj financiare për hetimin e gjykatës dhe do të dërgojë hetues specialistë, tha Johnson.
“Ne nuk do të ndalemi derisa drejtësia të vihet në vend”, tha Johnson.
Komentet e kryeministrit britanik u bënë pasi u zbuluan dhjetëra trupa të pajetë nëpër rrugë në Buça, një qytet në veri-perëndim të Kievit që është përballuar me luftime të ashpra për javë të tëra.
Në këtë qytet, janë varrosur në një varr masiv rreth 280 civilë.
Rusia mohon “vrasjen masive” të civilëve në Buça
Ministria ruse e mbrojtjes ka hedhur poshtë akuzat e Ukrainës se qindra civilë janë vrarë nga ushtarët rusë në Buça në afërsi të Kievit.
Sipas kësaj ministrie, fotografitë dhe videot e shumta të publikuara nga Ukraina janë një “provokim”, duke thënë se të gjitha njësitë ruse ishin larguar nga qyteti të mërkurën.
Në reagimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, se foto dhe videot “janë falsifikime të regjimit të Kievit”.
AFP ka publikuar të shtunën fotografi të 20 trupave të vrarë, të shtrirë në një rrugë në Buça.
Trupat besohet të jenë të civilëve ukrainas.