Prokurorët ukrainas kanë gjetur 410 trupa në qytete afër Kievit
Prokurorët ukrainas që hetojnë krimet e mundshme të luftës nga Rusia kanë gjetur 410 trupa në qytete afër Kievit.
Prokurorja e përgjithshme, Iryna Venedyktova, tha të dielën se 140 prej tyre janë ekzaminuar.
Rusia mohoi pretendimet se forcat e saj vranë civilë në qytetin Buça afër Kievit.
Varr masiv me 57 trupa në Buça
Pesëdhjetë e shtatë njerëz u varrosën në një varr masiv në Buça, tha një zyrtar lokal të dielën teksa i tregonte AFP-së hendekun e çarë ku shtriheshin kufomat.
“Këtu në këtë varr të gjatë, janë varrosur 57 njerëz”, tha Serhii Kaplychnyi, udhëheqës i ekipit të kërkim shpëtimit në Buça.
Ai bashkë me vullnetarë të tjerë, po ndihmojnë në gjetjen e trupave. Varri masiv ndodhet prapa një kishe në qendër të qytetit.
Disa prej trupave ishin fshehur në çanta të zeza me zinxhir, kurse të tjerët ishin me veshje civile.
Ukraina ka akuzuar forcat ruse për një “masakër të qëllimshme” në Buça.
Dëshmitë e vrasjeve të civilëve në afërsi të Kievit janë shfaqur pasi ushtria ruse është tërhequr nga kryeqyteti si pasojë e rezistencës nga forcat ukrainase.
Mbi gjysmë milioni njerëz janë kthyer në Ukrainë
Më shumë se gjysmë milioni njerëz janë kthyer në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt.
Kështu ka njoftuar të dielën Ministria e Brendshme e Ukrainës.
“Gjatë javës së kaluar, 144,000 njerëz u larguan nga Ukraina dhe 88,000 u kthyen. Në total, rreth 537,000 bashkatdhetarë tanë janë kthyer në Ukrainë”, thuhet në njoftimin e ministrisë, duke cituar të dhënat e shërbimit kombëtar kufitar.
Kombet e Bashkuara kanë thënë që më shumë se katër milionë ukrainas kanë ikur nga vendet e tyre, si pasojë e pushtimit të paprovokuar rus në Ukrainë.
Liderët evropianë: Rusia duhet të përgjigjet për krimet në Buça
Presidenti francez, Emmanuel Macron i ka përshkruar imazhet nga Bucha si shumë të rënda.
Marron tha se “autoritetet ruse do të duhet të përgjigjen për këto krime”.
Udhëheqësi francez ka folur rregullisht me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë gjithë kohës që prej fillimit të pushtimit dhe më pas, dhe është pozicionuar si ndërmjetës për paqen.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka akuzuar ushtrinë ruse për kryerjen e mizorive në Ukrainë dhe bëri thirrje për një hetim të plotë.
“Ne duhet të hetojmë pa pushim krimet e kryera nga ushtria ruse”, tha Scholz të dielën në Berlin.
Kryeministri italian, Mario Draghi, vrasjen e civilwve nw Buça e ka cilësuar tw tmerrshme dhe tha se Moska duhet të mbajë përgjegjësi.
Kurse sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka quajtur të papranueshme vdekjet e civilëve në Buça.
Duke folur për CNN, ai tha se vdekjet ishin “një brutalitet kundër civilëve që nuk është parë në Evropë për dekada”, dhe tha që kjo luftë duhet të përfundojë.
Moska në vazhdimësi ka mohuar pretendimet e Ukrainës se ka shënjestruar civilët.