BE-ja vendos sanksione të reja ndaj Rusisë
Bashkimi Evropian ka vendosur të mbyllë hapësirën ajrore për avionët në pronësi ruse, të regjistruar rus ose të kontrolluar nga Rusia, ka thënë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nëpërmjet një postimi në Twitter.
Siç ka shkruar, avionët nuk do të jenë në gjendje të zbresin, të ngrihen ose të fluturojnë mbi territorin e BE-së. Kjo vlen, po ashtu, edhe për “avionët privatë të oligarkëve”. BE-ja po ashtu do t’i ndalojë mediat ruse ne BE, sic janë Russia Today dhe Sputnik, si dhe filialet e tyre.
“Ato nuk do të jenë më në gjendje të përhapin gënjeshtrat e tyre për të justifikuar luftën e Putinit”, thuhet në postimin e saj.
“Ne po zhvillojmë mjete për të ndaluar dezinformimin e tyre toksik dhe të dëmshëm në Evropë”, ka shtuar ajo.
Qytetarët e Tiranës protestojnë para ambasadës ruse
Në Tiranë, të dielën qytetarë shqiptarë u mblodhën në shenjë proteste para Ambasadës së Rusisë. Ata iu bashkuan qindra mijëra qytetarëve tjerë të botës duke bërë thirrje që të ndalet agresioni rus ndaj Ukrainës.
Protestuesit shpalosën një flamur të madh të Ukrainës.
Ata gjithashtu mbajtën në duar parulla si “Stop luftës”, “Putin, psikologu kushton më pak se lufta” dhe “Bota duhet ta ndalojë Rusinë”.
Protesta tjera kundër luftës janë zhvilluar ditëve të kaluara para ambasadës ruse në Tiranë, që prej fillimit të sulmit rus më 24 shkurt, 2022.
Rusia pranon humbjet për herë të parë
Që nga fillimi i luftimeve në Ukrainë, për herë të parë, Ministria Ruse e Mbrojtjes ka pranuar se ka pasur viktima ruse në Ukrainë, por nuk kanë dhënë shifra.
“Ka pasur të vrarë dhe të plagosur në mesin e ushtrisë ruse gjatë rrjedhës së operacionit ushtarak special”, tha Ministria e Mbrojtjes në Moskë në një deklaratë të cituar nga agjencia e lajmeve TASS.
“Humbjet e pësuara nga forcat e armatosura ruse janë disa herë më pak se numri i nacionalistëve të shfarosur”, thuhet në deklaratë.
Shqipëria i vendosë sanksione Rusisë
Shqipëria ka mbyllur hapësirën ajrore për të gjithë operatorët rus apo çdo avion të regjistruar në Rusi në kuadër të sanksioneve që i ka vendosur Rusisë pas agresionit ushtarak në Ukrainë.
Ndalimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore nga operatorët ajror rus, hynë në fuqi që nga mbrëmja e 27 shkurtit.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha se kjo është vetëm një nga masat ekonomike që Shqipëria ia ka vendosur Rusisë, masa këto që sipas saj do të mbesin në fuqi për aq kohë sa Rusia vazhdon agresionin e saj në Ukrainë. Lajmi i plotë në linkun e mëposhtëm: