Zelenskiy: Bota po na vëzhgon nga larg
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha të premten se agresioni i vazhdueshëm rus kundër vendit të tij tregoi se sanksionet e vendosura ndaj Moskës nga Perëndimi nuk ishin të mjaftueshme.
Zelenskiy tha se bota po vazhdonte të vëzhgonte se çfarë po ndodhte në Ukrainë "nga larg".
Ai foli pasi autoritetet e Ukrainës thanë se kryeqyteti Kiev ishte goditur nga raketat ruse në orët e para të mëngjesit të së premtes.
Dita e dytë e sulmit rus ndaj Ukrainës
Më poshtë mund të gjeni një përmbledhje të zhvillimeve kryesore të orëve të para të ditës së dytë të sulmit rus ndaj Ukrainës:
- Dy shpërthime u dëgjuan në Kiev në orët e para të së premtes, më 25 shkurt.
- Sulmet shënuan avancimin e sulmit rus në kryeqytetin e Ukrainës.
- Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, tha se Kievi ka pësuar nga sulme “të tmerrshme” të Rusisë.
- Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se beson se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, është "objektiv kryesor i agresionit rus."
- Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria kanë kërkuar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të votojë një rezolutë që dënon pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
- Australia vendosi më shumë sanksione kundër Rusisë, më 25 shkurt, duke shënjestruar disa nga qytetarët dhe ligjvënësit e saj.
- Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se është e dobishme të mbajnë gjallë mundësinë e dialogut me presidentin rus, Vladimir Putin.
- Ministrat e jashtëm nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian do të takohen më vonë të premten për një seancë urgjente mbi pushtimin rus të Ukrainës.
Çfarë u sanksionua e çfarë jo?
Në këtë material mund të kuptoni më shumë hollësi se cilët sektorë të Rusisë janë goditur nga sanksionet e Perëndimit pas sulmit rus në Ukrainë.
“Dita më e rëndë do të jetë sot"
Kryeqyteti ukrainas, Kiev ka lëshuar alarmet pas rinisjes së sulmeve ruse në orët e hershme të së premtes, ka thënë televizioni ukrainas, ndërkohë që autoritetet lokale u kanë bërë thirrje njerëzve të strehohen në ambientet më të afërta.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyi ka thënë se Rusia ka rinisur sulmet me raketa në orën 04:00 më 25 shkurt.
Ai ka thënë se 137 civilë dhe pjesëtarë të ushtrisë janë vrarë nga sulmet ruse më 24 shkurt.
Ushtria ukrainase ka raportuar luftime të mëdha në zonën Ivankiv, rreth 60 kilometra në veriperëndim të Kievit.
“Dita më e rëndë do të jetë sot. Plani i armikut është të arrijë me tanke nga Ivankiv dhe Çernihiv në Kiev”, ka thënë këshilltar i Ministrisë së Brendshme ukrainase, Anton Gerashchenko në një postim në Telegram.