Ndërlidhjet

Masat që (nuk) i mori SHBA-ja ndaj Rusisë pas sulmit në Ukrainë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden goditi Rusinë me disa nga sanksionet më të gjera dhe më të ashpra financiare të enjten, më 24 shkurt, disa orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, filloi pushtimin ushtarak të Ukrainës.

Sanksionet e SHBA-së, të shpallura deri më tani, duket se e kursejnë vetë Putinin.

SHBA-ja gjithashtu hoqi dorë nga një opsion i përmendur prej kohësh si një nga më të vështirët të mundshëm, duke mos larguar Rusinë nga sistemi financiar SWIFT që lëviz paratë nëpër botë. Biden përmendi shqetësimet e aleatëve evropianë.

Por, hapat që Shtetet e Bashkuara ndërmorën të enjten janë të fuqishëm dhe synojnë të gjymtojnë sistemin financiar të Rusisë, elitat e saj dhe çdo shpresë që Rusia ka për rritje ekonomike.

Ky është një vështrim i hapave hakmarrës financiarë që SHBA-ja shpalli për bankat dhe bizneset më të mëdha shtetërore të Rusisë, industrinë e saj, ekonominë e saj dhe disa nga njerëzit e saj më të fuqishëm, si dhe masat kryesore që SHBA-ja ende nuk i ka marrë.

Shkëputja e bankave ruse nga dollari amerikan

Sanksionet e së enjtes shënjestrojnë bankat e mëdha ruse që mbajnë gati 80% të të gjitha aseteve bankare të vendit, tha Departamenti amerikan i Thesarit.

Kjo përfshin dy bankat gjigande të Rusisë: SberBank shtetërore dhe VTB. Të kombinuara, ato mbajnë pothuajse 750 miliardë dollarë në asete që është më shumë se gjysma e totalit në Rusi.

Sanksionet e së enjtes ndaj bankave kanë fuqinë unike që SHBA-ja ka nëpërmjet dollarit, valutës më të përdorur në transaksionet e biznesit në mbarë botën.

Bankat e synuara zakonisht bëjnë dhjetëra miliarda dollarë biznes në dollarë çdo ditë.

SHBA-të tani po i shkëpusin ato nga sistemi financiar i SHBA-së dhe nga dollari amerikan. Synimi është që të vështirësohen çështjet më të zakonshme të biznesit si dhe tregtia ndërkombëtare për bankat dhe Rusinë.

Masat e tjera të SHBA-së synojnë bizneset kryesore shtetërore dhe private në Rusi, duke synuar ta bëjnë më të vështirë për ta mbledhjen e parave për të investuar dhe për të operuar.

SHBA-ja gjithashtu shënjestroi më shumë elita ruse, duke sanksionuar bankierë dhe bashkëpunëtorë të tjerë të fuqishëm të Putinit në qarqet më të larta financiare, politike dhe të sigurisë të Rusisë.

Privimi i bizneseve dhe ushtrisë ruse nga teknologjia e avancuar amerikane

Kontrollet e eksportit të shpallura nga administrata e Biden-it paraqesin një pjesë tjetër veçanërisht të fortë të që SHBA-ja ka - gjysmëpërçuesit e Amerikës dhe pajisje të tjera të avancuara të teknologjisë së lartë.

Biden tha se kufizimet e reja të eksportit të SHBA-së do ta privojnë Rusinë nga më shumë se gjysma e furnizimit aktual të teknologjisë së lartë.

Kjo do t'i "bëjë një goditje të fuqishme" synimeve të Rusisë për të modernizuar ushtrinë e saj, industrinë e saj të lavdëruar të hapësirës ajrore, programin e saj hapësinor, transportin detar dhe industri të tjera, deklaroi ai.

Duke “ulur aftësinë e tyre për të konkurruar ekonomikisht”, kufizimet e teknologjisë së lartë do të jenë një “goditje e madhe për ambiciet strategjike afatgjata”, tha Biden.

Kontrollet e eksportit të SHBA-së pritet të privojnë industritë ruse dhe ushtrinë nga komponentët e teknologjisë së lartë amerikane që ndihmojnë avionët luftarakë dhe avionët e pasagjerëve të fluturojnë dhe bëjnë telefonët e mençur, së bashku me softuerët e tjerë dhe pajisjet elektronike të avancuara që bëjnë botën moderne të funksionojë.

Shtetet e Bashkuara thanë se Bashkimi Evropian, Japonia, Britania dhe vende të tjera po bashkëpunonin gjithashtu në lëvizjen për t'i dhënë fund Rusisë komponentë të teknologjisë së lartë.

Përgjigja e SHBA-së mund ta shtojë Rusinë në grupin me kufizimet më të mëdha të eksportit, duke iu bashkuar Kubës, Iranit, Koresë së Veriut dhe Sirisë.

Ato kufizojnë aftësinë e Rusisë për të marrë qarqe të integruara dhe produkte që përmbajnë qarqe të integruara, për shkak të dominimit global të softuerit, teknologjisë dhe pajisjeve të SHBA-së. Ndikimi mund të shtrihet në teknologjinë e avionëve, telefonat e mençur, konzolat e lojërave, tabletët dhe televizorët.

Megjithatë, kufizimet e eksportit të SHBA-së do të rrezikonin motivimin e bizneseve për të kërkuar alternativa diku tjetër, përfshirë Kinën.

Masat që SHBA-ja nuk i ka ndërmarrë akoma

Biden thotë se sanksionet kundër Rusisë janë krijuar për të mos prishur tregjet globale të naftës dhe gazit natyror. Kjo është në një kohë kur furnizimi me naftë dhe çmimet e larta po e bëjnë të vështirë për qeveritë dhe konsumatorët në mbarë botën.

Vetë administrata Biden është nën presion politik për rritjen e çmimeve të naftës dhe gazit.

“Paketa jonë e sanksioneve është krijuar posaçërisht për të lejuar vazhdimin e pagesave të energjisë”, tha Biden në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë të enjten.

Rusia është një nga eksportuesit kryesorë të naftës dhe gazit në botë. Gjermania dhe aleatët e tjerë janë shumë të varur nga dërgesat e saj, pavarësisht përparimit të fortë që disa po bëjnë në largimin nga karburantet fosile. Administrata Biden ka theksuar kujdesin që po bën për të minimizuar ndikimin e sanksioneve ndaj atyre aleatëve.

Biden përmendi gjithashtu shqetësimet evropiane si arsyetim të vendimit të SHBA-së për të mbajtur pezull largimin e Rusisë nga sistemi financiar SWIFT, i cili lëviz paratë nga banka në bankë në të gjithë botën.

Udhëheqësit e Gjermanisë, me lidhjet e shumta të biznesit me Rusinë, kishin shprehur publikisht skepticizëm për ndalimin e SWIFT.

Biden u tha gazetarëve të enjten, 24 shkurt, se sanksionet e tij bankare do të godasin Rusinë edhe më shumë se sa një ndalim i SWIFT. Disa ekspertë financiarë pajtohen dhe thonë se sanksionet bankare mund të jenë gjithashtu më pak shkatërruese për sistemet financiare globale sesa do të ishte nxjerrja e Rusisë nga sistemi SWIFT.

Në anën tjetër, Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen e bëri të qartë se SHBA-ja mund të vendosë ende disa sanksione që aktualisht i mban në rezervë.

Sanksionet individuale të shpallura nga Shtetet e Bashkuara kursyen vetë Putinin. Sanksionet individuale evropiane gjithashtu duket se e kursejnë Putinin.

Zyrtarët amerikanë dhe evropianë nuk e shpjeguan menjëherë arsyetimin e tyre për këtë. Biden ka shprehur hezitim për sanksionimin e krerëve të shteteve në të kaluarën. Shqetësimi se shënjestrimi i drejtpërdrejtë i pasurisë dhe familjes së Putinit mund të shkëpusë çdo shpresë për zgjidhje diplomatike gjithashtu mund të ketë luajtur një rol.

Por kur u pyet nga gazetarët për të shpjeguar atë hap që nuk u ndërmor të enjten, Biden refuzoi të përgjigjet.

Sulmi rus trondit ukrainasit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:52 0:00
Përgatiti: Doruntina Baliu

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG