Ambientet e metrove kthehen në streha
Banorët e Ukrainës kanë shfrytëzuar ambientet e metrove si streha për t’iu ikur sulmeve të ushtrisë ruse.
Në disa fotografi janë parë edhe të moshuar edhe foshnja duke kaluar natën nëpër metro në Kiev dhe Harkiv.
Gjykata Ndërkombëtare Penale shpreh shqetësim për pushtimin rus
Prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, ka shprehur të premten shqetësimin e tij për pushtimin rus në Ukrainë, dhe ka thënë se Gjykata mund të hetojë krime të mundshme të luftës në këtë shtet.
“U rikujtoj të gjitha palëve që po kryejnë armiqësi në territorin e Ukrainës se zyra ime mund të ushtrojë juridiksionin e saj dhe të hetojë për ndonjë akt të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit apo krime të luftës të kryera brenda Ukrainës”, ka thënë Khan përmes një deklarate.
“Është e domosdoshme që të gjitha palët në konflikt të respektojnë obligimet e tyre sipas ligjit humanitar ndërkombëtar”, ka thënë Khan, duke shtuar se zyra e tij do të vazhdojë të vëzhgojë nga afër situatën në Ukrainë.
Në dhjetor të vitit 2020, Zyra e Prokurorit në Gjykatën Ndërkombëtare Penale pati njoftuar se ka arsye për të besuar se në konfliktin në lindje të Ukrainës janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ekzaminimi paraprak është kryer, mirëpo ende nuk ka kërkesë zyrtare para gjyqtarëve për të nisur hetimet e plota.
Presidenti ukrainas flet me kryeministrin britanik
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka njoftuar të premten se ka biseduar në mëngjes me kryeministrin britanik, Boris Johnson.
Ai ka bërë thirrje për sanksione më të ashpra dhe më shumë mbështetje.
“Ukraina ka nevojë për mbështetjen e partnerëve më shumë se kurrë”.
Ministri gjerman: Të gjitha opsionet për sanksione janë në tavolinë
Shtetet e Bashkimit Evropian do të shqyrtojnë të gjitha sanksionet e mundshme kundër Rusisë, si përgjigje ndaj pushtimit në Ukrainë, ka thënë të premten ministri gjerman i Financave, Christian Lindner.
“Të gjitha opsionet janë në tavolinë”, ka thënë Lindner para se të takohet me ministrave tjerë të financave në Paris.
“Sanksionet e para i janë vënë Rusisë dhe ato të dëmtojnë popullin rus dhe do të bllokojnë ekonominë ruse seriozisht”.