Moldavia shpall gjendje të jashtëzakonshme
Parlamenti i Moldavisë ka miratuar gjendjen e jashtëzakonshme për 60 ditë, për shkak të sulmit rus në shtetin fqinj, Ukrainë.
Në mesin e gjërave tjera, gjendja e jashtëzakonshme ndalon protestat masive dhe i mundëson Qeverisë të dëbojë “personat e padëshiruar” nga shteti.
Kryeministrja, Natalia Gavrilita, ka thënë që më shumë se 4,200 refugjatë nga Ukraina tashmë kanë hyrë në këtë shtet.
Disa prej tyre kanë vazhduar rrugën drejt Bashkimit Evropian, mirëpo të paktën 100 kanë aplikuar për azil në Moldavi.
Kufiri mes këtyre dy shteteve është 1,222 kilometra i gjatë.
Zyrtarët ukrainas: Forcat ruse janë në Kiev
Forcat ruse janë tani në Kiev, kanë thënë zyrtarët ukrainas përmes një postimi në Twitter.
Ministria e Mbrojtjes në Ukrainë ka thënë se “armiku” është në zonën Obolon, raporton transmetuesi britanik, BBC.
Autoritetet ukrainase kanë inkurajuar banorët lokalë të krijojnë kokteje molotovi për të luftuar, por edhe i kanë këshilluar që të gjejnë streha të sigurta.
“Qytetarë paqësorë, jini të kujdesshëm. Mos dilni nga shtëpitë!”
Franca: Putin dëshiron ta nxjerrë Ukrainën jashtë hartës së shteteve
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin të premten se po tenton të shkatërrojë shtetësinë e Ukrainës, duke paralajmëruar se “siguria” e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky është në rrezik.
“Kjo është luftë e plotë. Putin ka vendosur… të nxjerrë Ukrainën jashtë listës së shteteve”, ka thënë Le Drian për radion France Inter.
Ai ka shtuar se Franca është e “shqetësuar” për një ofensivë të mundshme ushtarake të Rusisë kundër Moldavisë dhe Gjeorgjisë, dy shtete që kanë qenë dikur pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik.
Rritet sërish çmimi i naftës
Çmimet e naftës janë rritur sërish të premten, pas shqetësimeve për shtrëngim të furnizimeve, teksa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e dytë.
Çmimi i naftës së papërpunuar është rritur për më shumë se 2 për qind, përkatësisht 101 dollarë për fuçi, ndërkohë që luftimet janë shtuar afër kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Mirëpo tregjet e aksioneve në Evropë dhe Azi janë stabilizuar pasi investitorët kanë vlerësuar sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë goditur Rusinë me sanksione.
Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe në botë e naftës së papërpunuar, pas Arabisë Saudite.
Ajo është edhe eksportuesja më e madhe në botë e gazit natyror.
Evropa merr gati një të tretën e naftës së saj dhe rreth 40 për qind të gazit nga Rusia, përmes gazsjellësve që kalojnë nëpër territorin ukrainas.