Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
10:25 25.2.2022

OBSH shqetësohet për “katastrofë humanitare” në Ukrainë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shprehur shqetësim për emergjencë të mundshme shëndetësore në Ukrainë, pas pushtimit rus.

“Ndërkohë që konflikti përhapet në Ukrainë, Zyra për Evropën e OBSH-së përsërit shqetësimet më të thella për sigurinë, shëndetin dhe mirëqenien e të gjithë civilëve që preken nga kriza në këtë shtet dhe ndoshta edhe më tej”, ka thënë Zyra për Evropën e OBSH-së, duke shtuar se përshkallëzimi i situatës mund të rezultojë me katastrofë humanitare.

“Çfarëdo përshkallëzimi mund të rezultojë me katastrofë humanitare në Evropë, duke përfshirë edhe viktimat, por edhe dëme në sistemet veçse të brishta shëndetësore”, ka thënë mes tjerash ky institucion.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë është duke punuar afër me partnerë të Kombeve të Bashkuara për t’u përgjigjur ndaj krizës shëndetësore të nxitur nga konflikti, duke mbrojtur stafin tonë dhe duke zvogëluar pengesat për dërgimin e shërbimeve të nevojshme shëndetësore”, është thënë në deklaratë.

10:30 25.2.2022

Ukraina: Rusia ka bombarduar 33 zona të civilëve

Një zyrtar i Ministrisë së Brendshme në Ukrainë ka thënë se forcat ushtarake ruse janë duke shënjestruar dhjetëra zona të civilëve.

“Rusët kanë thënë se nuk janë duke sulmuar objektet civile, mirëpo 33 qendra civile janë goditur në 24 orët e fundit”, ka thënë Vadym Denysenko për agjencinë e lajmeve, Reuters.

Forcat ruse i janë afruar kryeqytetit ukrainas, Kiev, pas avancimit në disa fronte prej pushtimit të nisur të enjten.

10:52 25.2.2022

Rusia bllokon hapësirën ajrore për kompanitë britanike

Linjat ajrore të Britanisë së Madhe nuk do të mund të aterojnë në aeroportet ruse dhe të kalojnë hapësirën e saj ajrore, ka thënë rregullatori i aviacionit civil në Rusi.

Ky vendim vjen pas atij të Britanisë së Madhe për t’ia pamundësuar kompanisë kombëtare ruse Aeroflot, aterimin në Mbretëri të Bashkuar.

Ndalesa britanike ka qenë pjesë e sanksioneve të prezantuara në përgjigje të pushtimit rus në Ukrainë.

Hapësira ajrore e Ukrainës është mbyllur të enjten, pasi forcat ruse kanë nisur pushtimin në këtë shtet.

Para se Rusia të bënte të ditur këtë vendim, kompania që zotëron linjën British Airways, ka thënë se është duke shmangur hapësirën ajrore ruse.

Zakonisht, British Airways ka realizuar fluturime tri herë në javë në relacionin Londër - Moskë dhe anasjelltas.

10:56 25.2.2022

Rusia humb finalen e Ligës së Kampionëve

Finalja e Ligës së Kampionëve këtë vit do të zhvillohet në Paris, pasi Rusia është larguar si mundësi, pas nisjes së sulmeve në Ukrainë.

Fillimisht finalja ishte planifikuar që të mbahej më 28 maj në Shën Petersburg.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG