Kosova miraton pakon e sanksioneve kundër Rusisë
Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten një pako me sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova me këtë vendim u është bashkëngjitur Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në kundërpërgjigjen ndaj sulmit rus në Ukrainë.
“Ushtria ruse është ajo e cila me këtë agresion e bëri Evropën të tronditet dhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare të rimendohet”, ka thënë Kurti.
“Kjo Rusi që po shohim sot nuk është e re, por edhe një paralajmërim që ajo nuk synon të jetë e re”.
Dita e dytë e sulmeve shënjestroi banesa
Të gjitha moshat duke u përpjekur të largohen nga objektet e shkatërruara.
Lavrov: Qëllimi është çmilitarizimi i Ukrainës
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e ka përsëritur se Moska nuk dëshiron të pushtojë Ukrainë, por ta çmilitarizojë atë.
Ai i ka bërë këto deklarata teksa u është përgjigjur të premten pyetjeve të gazetarëve.
I pyetur nëse Rusia synon të rrëzojë një shtet demokratik, Lavrov ka thënë se vendi nuk mund të quhet demokratik.
Osmani diskuton me opozitën për situatën e sigurisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar të premten me pjesëtarë të opozitës për të diskutuar situatën e sigurisë në këtë vend, pas zhvillimeve të fundit të lidhura me pushtimin rus në Ukrainë.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nënkryetaren e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku dhe nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj.
Mes tjerash është thënë se palët kanë diskutuar edhe për masat që kanë marrë institucionet e Kosovës për t’u koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.
Pak më parë, Qeveria e Kosovës ka miratuar pako me sanksione kundër Rusisë, në përputhje me veprimet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.