OKB: Të paktën 25 civilë të vdekur në Ukrainë
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, ka thënë se ka raportime për të paktën 127 viktima civile në Ukrainë.
Prej tyre 25 të vdekur dhe 102 të plagosur si pasojë e sulmeve.
Sipas kësaj Zyre, numri i viktimave mund të jetë më i lartë.
Presion ndaj Serbisë që të jetë “në anën e duhur të historisë”
Në samitin e jashtëzakonshëm të Bashkimit Evropian pas pushtimit rus në Ukrainë - që ka zgjatur deri në orët e hershme të mëngjesit të 25 shkurtit – është diskutuar edhe për nevojën e ruajtjes së stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë në bllokun evropian janë shtuar zërat që kërkojnë nga Serbia të deklarohet qartë rreth luftës në Ukrainë dhe të mbajë anën e BE-së si një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Presideti serb, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar më 24 shkurt se Beogradi ka edhe 36 orë kohë që t’iu përgjigjet kërkesave për harmonizim me vendimin e Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Lavrov takon separatistët e mbështetur nga Rusia
Ministria e Jashtme ruse ka publikuar të premten një video që shfaq ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov duke takuar përfaqësues nga dy rajonet kyçe në Ukrainë, të cilat kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia, Donjeck dhe Luhansk.
Vendimi i presidentit rus, Vladimir Putin për t’i njohur ato si shtete të pavarura, është bërë publik para pushtimit të Ukrainës.
OKB: Pushtimi rus mund të largojë 4 milionë ukrainas nga shteti
Kombet e Bashkuara kanë thënë se po përgatiten për deri në 4 milionë refugjatë nga Ukraina, nëse lufta e Rusisë në këtë shtet vazhdon të përshkallëzohet.
Të paktën 100,000 persona janë larguar nga shtëpitë e tyre në Ukrainë, pas nisjes së pushtimit rus më 24 shkurt.
Mijëra janë nisur nëpër shtetet fqinje, Moldavi, Rumani dhe Poloni.
Zdhënësja e Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, Shabia Mantoo, ka thënë se ky institucion është i gatshëm të ofrojë ndihmë për ukrainasit që largohen.
Më herët gjatë së premtes, Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, ka thënë se ka raportime për të paktën 127 viktima civile në Ukrainë.
Prej tyre 25 të vdekur dhe 102 të plagosur si pasojë e sulmeve.
Sipas kësaj Zyre, numri i viktimave mund të jetë më i lartë.
Ndaras, Moldavia dhe Rumania kanë thënë se prej shpërthimit të luftës, ato kanë pranuar rreth 16,000 dhe 10,000 refugjatë ukrainas, respektivisht.