Rusia ka bombarduar repartin onkologjik të spitalit Çernihiv
Kryebashkiaku i Çernihivit, Vladislav Atroshenko akuzoi Rusinë për bombardimin e repartit onkologjik të një spitali në qytetin verior të Ukrainës, vetëm disa ditë pasi Rusia premtoi të zvogëloj “në mënyrë drastike” sulmin e saj ushtarak në Kiev dhe Çernihiv.
Në një bisedë me CNN-në ai theksoi:
“Disa granata goditën drejtpërdrejt spitalin rajonal dhe një nga godinat e spitalit, përkatësisht, njësia e onkologjisë u shkatërrua plotësisht. Tre persona kanë marrë plagë të rënda”.
Atroshenko tha gjithashtu se nuk ka ujë dhe energji elektrike dhe se qyteti mund të mbetet pa ushqim dhe ilaçe brenda një jave.
“Aktualisht po kalojmë një katastrofë të plotë humanitare”, shtoi ai.
OKB: Duhet të ndalet tragjedia, numri i refugjatëve ukrainas arrin në 4.1 milionë
Sipas Agjencisë për refugjatë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNHCR), më shumë se 4.1 milionë civilë janë larguar deri më tani nga Ukraina e shkatërruar nga lufta.
Agjencia thekson se të dhënat e fundit tani tregojnë se 4,102,876 ukrainas janë larguar nga vendi që nga muaji i kaluar, ndërkaq gratë dhe fëmijët përbëjnë 90 për qind të atyre që ikën.
"Janë detyruar të ikin për të shpëtuar jetën e tyre. Janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre. Janë detyruar që të ndahen nga familja. Kjo tragjedi duhet të ndalet", ka thënë UNHCR.
Putin do të bisedojë më vonë me Erdoganin
Presidenti rus, Vladimir Putin do të bisedojë të premten përmes telefonit me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë Kremlini.
Ky njoftim vjen pasi Stambolli ka qenë të martën nikoqir i bisedimeve për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë.
Erdogan ka thënë se Turqia është e gatshme, në parim, të angazhohet si garantuese e sigurisë për Ukrainën, mirëpo detajet e një formati të tillë duhet të diskutohen.
Ukraina ka propozuar miratimin e statusit neutral, që nënkupton mosanëtarësim në aleanca ushtarake, sikurse ajo e NATO-s, apo që të jetë nikoqire e bazave ushtarake – dhe që në kthim shtetet të bëhen garantuese të sigurisë së saj.
Erdogan ka biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky përmes telefonit të enjten.
Ankaraja ka thënë se mund të jetë ndërmjetësuese në mes të Rusisë dhe Ukrainës.
Rinisin negociatat Kiev-Moskë
Të premten, 1 prill, kanë rinisur negociatat mes Kievit dhe Moskës, derisa në Mariupol ka ende bllokadë në dërgim të ndihmave humanitare dhe evakuim të civilëve nga qyteti i shkatërruar prej luftës.
“Ne po vazhdojmë bisedimet përmes video-konferencës”, ka thënë shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky përmes Telegramit.
“Pozicionet tona për Krimenë dhe Donbasin nuk kanë ndryshuar”, ka thënë ai.