Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
14:24 1.4.2022

HRW i bën thirrje Ukrainës të hetojë krime të mundshme të luftës

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch, i ka bërë thirrje Ukrainës që të hulumtojë secilin krim të supozuar të luftës që mund të kenë kryer trupat e saj, pas raportimeve të paverifikuara se ushtarët ukrainas kanë torturuar trupat e zëna ruse prej kur Moska ka nisur sulmin ndaj fqinjës së saj.

Në disa video të publikuara më 27 mars, duken ato që shihen si forca ukrainase duke abuzuar luftëtarët e zënë rusë, të cilët kanë statusin e të burgosurve të luftës, duke përfshirë edhe të shtëna me armë zjarri ndaj tre ushtarëve në këmbë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy ka thënë të nesërmen se Kievi i ka parë supozimet me “shumë seriozitet” dhe do të bëjë hetime.

“Nëse konfirmohen, rrahjet dhe të shtënat me armë zjarri ndaj luftëtarëve të zënë, përbëjnë krime lufte dhe Ukraina duhet të tregojë se mundet dhe ka gatishmëri për të parandaluar dhe ndëshkuar shkeljet serioze të ligjit ndërkombëtar humanitar”, ka thënë Human Rights Watch përmes një deklarate të lëshuar më 1 prill.

Kjo Organizatë ka paralajmëruar më parë Rusinë se veprimet që ka kryer mund të konsiderohen krime lufte, duke përfshirë sulmet ajrore në teatrin e qytetit të Mariupolit.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se aty kanë qenë duke u strehuar civilë, dhe rreth 300 prej tyre dyshohet të kenë vdekur si pasojë e sulmeve.

14:00 1.4.2022

A mund të sjellë paqe "modeli i Austrisë"?

Ajo që deri vonë është parë si ambicie kryesore e Ukrainës, mund të flaket tutje. Vendi i rrënuar nga pushtimi rus është zotuar se do të heqë dorë nga anëtarësimi në ndonjë aleancë ushtarake, nëse i ofrohen garanci për sigurinë. Një Ukrainë neutrale është ajo që Rusia e do, por çfarë do të thotë neutraliteti dhe a mund të çojë në paqe?​

A mund të sjellë paqe "modeli i Austrisë"?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:11:39 0:00

13:23 1.4.2022

Guvernatori lokal: Forcat ruse po largohen nga Çernihivi

Forcat ruse janë duke u tërhequr nga rajoni i Çernihivit, mirëpo ende jo krejtësisht, ka thënë guvernatori lokal, Viacheslav Chaus.

“Sulmet ajrore dhe ato me raketa janë ende të mundshme në rajon, askush nuk e përjashton këtë mundësi”, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.

Ai ka shtuar se forcat ukrainase janë duke hyrë nëpër zonat e kontrolluara së fundi nga trupat ruse.

Chaus ka thënë se ende është shumë herët që forcat ukrainase të mos bëjnë roje, pasi trupat ruse “janë ende në tokën tonë”.

Rusia ka thënë të martën se do të zvogëlojë operacionet rreth Çernihivit dhe kryeqytetit ukrainas, Kievit, në përpjekje për të “rritur besimin e përbashkët” në bisedimet për paqe.

12:28 1.4.2022

Kremlini: Sulmi në depon e naftës do të vështirësojë bisedimet

Kremlini është deklaruar të premten për një sulm të dyshuar ukrainas në një depo nafte në qytetin e Rusisë, Belgorod.

Sipas Kremlinit, sulmi nuk krijon kushte të përshtatshme për të vazhduar bisedimet për paqe, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale është parë zjarri afër disa blloqeve të ndërtesave, rreth 40 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Guvernatori lokal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se “ka pasur zjarr në një depo të naftës për shkak të sulmit ajror të kryer nga dy helikopterë ushtarakë ukrainas”.

“Askush nuk është vrarë”, ka thënë ai.

Pretendimet e guvernatorit Gladkov nuk janë konfirmuar nga zyrtarët ukrainas.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG