Ndërlidhjet

Rinisin negociatat Kiev-Moskë


Banorët e Mariupolit të shkatërruar nga lufta.
Banorët e Mariupolit të shkatërruar nga lufta.

Të premten, 1 prill, kanë rinisur negociatat mes Kievit dhe Moskës, derisa në Mariupol ka ende bllokadë në dërgim të ndihmave humanitare dhe evakuim të civilëve nga qyteti i shkatërruar prej luftës.

“Ne po vazhdojmë bisedimet përmes video-konferencës”, ka thënë shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky përmes Telegramit.

“Pozicionet tona për Krimenë dhe Donbasin nuk kanë ndryshuar”, ka thënë ai.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Rundi i ri i bisedimeve vjen pasi negociatorët rusë dhe ata ukrainas kanë zhvilluar negociata sy më sy më 29 mars në Stamboll.

Para nisjes së takimit të së premtes, negociatori ukrainas, David Arakhamia, ka thënë se Turqia dhe Gjermania kanë shprehur gatishmëri për të shërbyer si garantuese për siguri, në rast të arritjes së ndonjë marrëveshjeje mes dy palëve.

A mund të sjellë paqe "modeli i Austrisë"?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:11:39 0:00

Petro Andryushchenko, këshilltar i kryetarit të Mariupolit, ka thënë se Rusia është duke bllokuar dërgimin e ndihmës në qytetin e rrethuar dhe është duke parandaluar hapjen e “korridorit humanitar” në mënyrë që banorët të ikin nga luftimet e ashpra mes forcave ukrainase dhe atyre ruse.

Andryushchenko ka thënë në një postim në Facebook se Mariupoli mbetet i mbyllur më 1 prill, dhe se konvojet e ndihmës janë bllokuar.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë më 31 mars se një konvoj i 45 autobusëve është drejtuar për në Mariupol, për të dërguar ndihmë për banorët e bllokuar me javë në këtë qytet.

“Qyteti vazhdon të jetë i mbyllur dhe me dalje shumë të rrezikshme përmes transportit publik”, ka thënë ai.

Në veri, inteligjenca ushtarake e Britanisë së Madhe, ka thënë më 1 prill se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e fshatrave Sloboda dhe Lukashivka, të cilat gjenden mes Kievit dhe Çernihivit.

“Ukraina ka vazhduar të bëjë kundërsulme të suksesshme, por të kufizuara, në lindje dhe verilindje të Kievit”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes.

Sipas saj, si Çernihivi, ashtu edhe Kievi, kanë qenë subjekte të sulmeve të vazhdueshme me raketa, pavarësisht pretendimeve ruse për zvogëlim të aktivitetit në këto rajone.

Ushtria ukrainase ka thënë më 1 prill se disa forca ruse janë duke u larguar nga Kievi, drejt kufirit të Bjellorusisë.

Sipas saj, forcat ruse kanë marrë me vete edhe pajisjet e plaçkitura.

Ndër zhvillimet tjera është edhe ai për një depo të naftës në qytetin rus, Belgorod.

Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se dy helikopterë ushtarakë ukrainas kanë goditur këtë depo.

Nëse konfirmohet, ky do të ishte sulmi i parë i nisur nga Ukraina në tokën ruse, prej kur Moska ka nisur pushtimin e këtij shteti fqinj më 24 shkurt.

Kremlini ka thënë se raportimet për sulme mund të dëmtojnë bisedimet mes dy palëve.

“Kjo nuk është diçka që mund të konsiderohet e përshtatshme për vazhdim të bisedimeve”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka lavdëruar trupat ushtarake për avancimet e tyre, mirëpo ka paralajmëruar për “beteja të radhës” në Donbas dhe qytetin e rrethuar, Mariupol.

“Neve ende na duhet të kalojmë rrugë të vështirë për të marrë gjithçka që duam”, ka thënë Zelensky.

Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se ka shkarkuar dy gjeneralë për shkelje të paspecifikuara.

“Tani, nuk kam kohë të merrem më të gjithë tradhtarët, mirëpo gradualisht, të gjithë do të ndëshkohen”, ka thënë ai.

Bisedimet: Shpresë a blerje kohe?
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:45 0:00

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka kërcënuar me shkëputje të kontratave për furnizim të Evropës me gaz, përveç nëse shtetet bëjnë pagesa me rubla, kërkesë që është hedhur poshtë nga disa shtete evropiane më 31 mars.

Qeveritë evropiane kanë thënë se do të analizojnë një mekanizëm që e ka parashtruar Putini, duke u lejuar konsumatorëve që të paguajnë në valuta të huaja në një llogari të bankës Gazprom të Rusisë, e cila më pas do t'i konvertojë pagesat në rubla.

“Ata duhet të hapin llogari të rublave në bankat ruse. Nga këto llogari do të kryhen pagesat për gaz, duke nisur prej nesër”, ka thënë Putin më 31 mars.

“Nëse këto pagesa nuk bëhen (në rubla), ne do ta konsiderojmë këtë gjë mospagesë nga ana e blerësve dhe do të vijojnë pasojat, përfshirë shkëputjen e kontratave ekzistuese”.

Disa qeveri evropiane kanë thënë se kërkesat e Putinit për pagesën me rubla do të përbënin shkelje të kontratës.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë se në kontrata është e qartë që pagesat duhet të bëhen në euro dhe ndonjëherë në dollarë amerikanë.

Ai ka thënë se ia ka bërë të qartë Putinit një gjë të tillë, në një bisedë telefonike të 30 marsit se “kjo gjë do të mbetet kështu”.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë vendim për lëshimin më të madh ndonjëherë të naftës nga rezervat amerikane, për të ofruar lehtësi për amerikanët kur mbushin rezervuarët.

“Ky është moment i pasojave dhe rrezikut për botën”, ka thënë Biden në Shtëpi të Bardhë, teksa ka bërë të ditur lëshimin e 1 milion fuçive naftë në ditë.

Si rezultat, çmimet e naftës kanë rënë.

Biden ka thënë se përmes vendimit të tij synon të luftojë rritjen e çmimeve të naftës, si pasojë e pushtimit rus në Ukrainë.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë në një intervistë më 31 mars se Rusia tani është “shtet më i vogël” për shkak të luftës në Ukrainë.

“Presidenti (rus, Vladimir) Putin nuk është forca që ka qenë dikur. Ai është njeri që ka mbetur në kafazin që e ka ndërtuar vetë”, ka thënë ministri britanik për Sky News.

“Ushtria e tij është e lodhur, ai është përballur me shumë humbje. Reputacioni i kësaj ushtrie të madhe të Rusisë është shkatërruar”, ka thënë Wallace.

“Atij nuk do t’i duhet të jetojë vetëm me pasojat e asaj që është duke bërë në Ukrainë, mirëpo atij do t’i duhet të jetojë me pasojat e asaj që i ka bërë ushtrisë së tij”, ka thënë mes tjerash Wallace.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG