Autobusët nisen drejt Mariupolit për të evakuuar civilët
Një kolonë autobusësh ukrainas u nis të enjten për në qytetin e Mariupolit, për të ofruar furnizime humanitare dhe për të nxjerrë civilët e bllokuar, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk.
Ajo tha se 45 autobusë ishin rrugës për në Mariupol, pasi Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq konfirmoi se Rusia është pajtuar për të hapur një korridor të sigurt.
Kryebashkiaku i qytetit tha këtë javë se deri në 170,000 banorë ishin të bllokuar në Mariupol pa energji dhe ushqime që po harxhohen.
Mbretëria e Bashkuar: Granatimet ruse dhe sulmet me raketa po vazhdojnë në Çernihiv
Granatimet dhe sulmet me raketa ruse kanë vazhduar në Çernihiv, pavarësisht deklaratave ruse për reduktimin e aktivitetit ushtarak rreth zonës, tha të enjten inteligjenca ushtarake britanike.
Forcat ruse vazhdojnë të mbajnë pozicione në lindje dhe perëndim të Kievit, pavarësisht tërheqjes së një numri të kufizuar njësish, tha Ministria e Mbrojtjes në një deklaratë.
“Luftime të ashpra ka të ngjarë të zhvillohen në periferi të qytetit në ditët në vijim”, thuhet në këtë deklaratë.
Luftimet e ashpra vazhduan edhe në Mariupol, një objektiv kryesor i forcave ruse, tha ministria.
Zelensky: Nuk ka arsye për t’i besuar Rusisë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij po përgatitet për një ofensivë të re të ushtrisë ruse, në pjesën lindore.
“Ka një grumbullim të trupave ruse për sulme të reja në Donbas. Dhe, ne po përgatitemi për këtë”, tha Zelensky në një video-adresim të publikuar në orët e para të së enjtes.
Ai shprehu skepticizëm ndaj deklaratave të Rusisë se do t’i zvogëlojë operacionet ushtarake rreth kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, dhe qytetit tjetër, Çernihiv.
“Ne nuk i besojmë askujt”, tha Zelensky.
Sipas tij, nuk ka asnjë arsye për t’iu besuar pohimeve të Rusisë, pasi forcat ruse “kanë vazhduar të sulmojnë Kievin dhe Çernihivin” një ditë pasi kanë premtuar se do të zvogëlojnë aktivitetin ushtarak përreth këtyre qyteteve.
Rusia i ka dhënë këto zotime gjatë negociatave për paqe me Ukrainën, më 29 mars, në Stamboll.
Perëndimi po ashtu ka thënë se zotimet ruse duhen parë me kujdes.
Zelensky përsëriti se forcat ukrainase do të vazhdojnë të mbrojnë territorin e tyre.
“Ne nuk do të heqim dorë nga asgjë. Dhe, ne do të luftojmë për çdo metër të tokës sonë, për çdo person”, tha ai.
Ukraina thotë se ka miliona tonë rezerva të grurit dhe misrit
Ukraina, një prodhues dhe eksportues i madh global i drithërave, ka stoqe prej 13 milionë tonësh misër dhe 3.8 milionë tonë grurë, tha të enjten zëvendësministri i Bujqësisë në Ukrainë, Taras Vysotskiy.
Ai shtoi se Ukraina nuk mund të eksportojë grurë, pasi portet detare janë bllokuar për shkak të pushtimit rus.
Më shumë se 90 për qind e eksporteve të grurit të Ukrainës bëhet përmes porteve të Ukrainës në Detin e Zi.