Rusia shpall armëpushimin në Mariupol
Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar për një armëpushim në qytetin e rrethuar të Mariupolit në Ukrainë, duke filluar nga mëngjesi i së enjtes, për të lejuar evakuimin e civilëve.
“Që ky operacion humanitar të ketë sukses, ne propozojmë që të kryhet me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të komisionarit të Lartë të OKB-së për Refugjatë dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, tha ministria në një deklaratë të cituar nga AFP-ja të mërkurën.
Korridori humanitar nga Mariupoli në Zaporizhja - përmes qytetit Berdiansk që kontrollohet nga Rusia - do të hapet në mëngjesin e së enjtes.
Autoritetet e Ukrainës nuk e kanë komentuar ende këtë njoftim.
Për më shumë lexoni këtu.
Shefi i spiunazhit britanik: Këshilltarët e Putinit kanë frikë t’ia thonë të vërtetën
Këshilltarët e Vladimir Putinit janë të frikësuar t’ia thonë të vërtetën për përparimin e pushtimit të tij në Ukrainë, tha kreu i agjencisë britanike të spiunazhit, Jeremy Fleming.
Në një fjalim të rrallë publik gjatë një vizite në Australi, ai tha se Putin “kishte mbivlerësuar aftësitë e ushtrisë së tij, duke pritur një fitore të shpejtë”.
“Ne kemi parë ushtarë rusë - pa armë dhe moral - duke refuzuar të zbatojnë urdhrat, duke sabotuar pajisjet e tyre dhe madje duke rrëzuar aksidentalisht avionët e tyre”, tha ai.
Supas Fleming, Putin kishte nënvlerësuar rezistencën e popullit ukrainas dhe kishte nënvlerësuar po ashtu edhe forcën e Perëndimit, duke nënvlerësuar edhe pasojat ekonomike të sanksioneve.
Mirëmëngjesi të nderuar lexues. Po e rifillojmë mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në Ukrainë.
Derisa ka disa shenja optimizmi nga bisedimet e paqes të mbajtura në Stamboll, zyrtarët ukrainas dhe amerikanë kanë paralajmëruar se Rusia ende përbën një kërcënim ushtarak për Kievin dhe pjesë të tjera të Ukrainës.
Ekspertët kanë shprehur mendime të ndryshme nëse bisedimet mund të kenë sukses. Disa prej tyre thonë se nuk po trajtohen shkaqet themelore të konfliktit.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se shenjat fillestare nga bisedimet ishin “pozitive”, mirëpo ato nuk ndaluan shpërthimet e predhave ruse.
Të nderuar lexues, këtu po e përmbyllim raportimin e drejtpërdrejtë për luftën në Ukrainë.
Do të rikthehemi të enjten, 31 mars, në orën 07:00.
Kjo është përmbledhja e ditës së 35-të të luftës:
- Katër miliona njerëz kanë ikur nga Ukraina prej nisjes së luftës, ka thënë Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë
- Sipas OKB-së, 1,189 civilë kanë vdekur në Ukrainë, duke përfshirë 98 fëmijë, prej nisjes së pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt
- Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se nuk është arritur asgjë premtuese në bisedimet Rusi-Ukrainë më 29 mars në Stamboll, derisa negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, ka thënë se ndihet optimist pas bisedimeve që ka zhvilluar me palën ruse
- Një negociator rus ka thënë se pozicioni i Rusisë për Krimenë dhe rajonin e Donbasit mbetet i pandryshuar
- Guvernatori i Çernihivit ka thënë se sulmet ruse kanë vazhduar në këtë rajon, pavarësisht zotimeve ruse për zvogëlim drastik të sulmeve
- Një zyrtar ukrainas ka thënë se Rusia është duke bombarduar gati të gjitha qytetet në vijën e frontit në rajonin Donjeck
- Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka inteligjencë që presidenti rus, Vladimir Putin ndihet se është mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë, çka ka rezultuar me tension të vazhdueshëm në mes tij dhe krerëve ushtarakë
- Forcat ruse janë “shumë, shumë afër” qendrës së qytetit të rrethuar Mariupol, sipas zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby
- Komandanti i lartë i ushtrisë amerikane në Evropë, gjenerali Tod Wolters, ka thënë se beson që prezenca e trupave amerikane në rajon duhet të “ndryshojë” për të reflektuar ndaj kërcënimit në rritje të Rusisë
- Rusia do të vazhdojë të lejojë shtetet evropiane që të paguajnë gazin rus me euro dhe jo rubla, siç ka kërcënuar së fundi, ka thënë Qeveria gjermane