Pentagoni: Trupat ruse janë “shumë afër” qendrës së Mariupolit
Forcat ruse janë “shumë, shumë afër” qendrës së qytetit të rrethuar Mariupol, sipas zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby.
Në një konferencë para gazetarëve në Pentagon, Kirby ka akuzuar Rusinë për shënjestrim të infrastrukturës civile, ndërtesave të banimit dhe spitaleve.
“Qyteti është duke u bombarduar me sulme ajrore”, ka thënë Kirby.
“Qyteti thjesht po shkatërrohet nga sulmet ajrore ruse”.
Kirby ka thënë se në një “moment të përshtatshëm” Shtetet e Bashkuara do të rishikojnë mësimet nga lufta, dhe rolin e tyre në mbështetje të forcave ukrainase.
“Shtetet e Bashkuara do të analizojnë se çfarë kanë mësuar duke parë sesi Rusia nuk ka funksionuar mirë, dhe sesi ukrainasit kanë vepruar në mënyrë të mahnitshme”, ka thënë ai.
“Ne të gjithë duam të mësojmë nga gjërat që shohim dhe do të vazhdojmë të mësojmë edhe nga sjelljet tona, dhe përpjekjet për t’i ndihmuar Ukrainës që ta mbrojë veten”.
Shtëpia e Bardhë: Putin ndihet i mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë
Shtëpia e Bardhë ka thënë se ka inteligjencë që presidenti rus, Vladimir Putin ndihet se është mashtruar nga këshilltarët e tij ushtarakë, çka ka rezultuar me tension të vazhdueshëm në mes tij dhe krerëve ushtarakë.
“Ne besojmë se Putin është duke u keqinformuar nga këshilltarët e tij rreth asaj se sa dobët është duke vepruar ushtria ruse dhe si është duke u dëmtuar ekonomia ruse nga sanksionet, sepse këshilltarët e lartë ushtarakë janë shumë të frikësuar për të treguar të vërtetën”, ka thënë drejtorja për komunikime e Shtëpisë së Bardhë, Kate Bedingfield në një prononcim para gazetarëve.
Ajo ka thënë se “është e qartë” që pushtimi rus në Ukrainë ka qenë “gabim strategjik” që do ta lë atë të dobët në periudhë afatgjatë.
Bedingfield ka thënë po ashtu se Shtetet e Bashkuara “vazhdojnë të shohin të dhëna për sulmet ruse dhe avancim në vendet që Rusia ka thënë se nuk do të luftojë”.
Rusia ka thënë të martën se do të zvogëlojë operacionet ushtarake rreth Kievit dhe Çernihivit dhe do të fokusohet në rajonin lindor Donbas.
Por, zyrtarët lokalë në Çernihiv, kanë thënë se sulmet kanë vazhduar gjatë natës.
Ushtria amerikane në Evropë duhet të “ndryshojë” pas pushtimin rus në Ukrainë
Komandanti i lartë i ushtrisë amerikane në Evropë, gjenerali Tod Wolters, ka thënë se beson që prezenca e trupave amerikane në rajon duhet të “ndryshojë” për të reflektuar ndaj kërcënimit në rritje të Rusisë.
Gjenerali Wolters, i cili udhëheq Komandën evropiane të ushtrisë amerikane, ka thënë në një takim para Kongresit se “akti i pakuptimtë” i Rusisë – pushtimi në Ukrainë – ofron mundësi për të “rivlerësuar” arkitekturën e përhershme ushtarake që “ekziston” në kontinent.
Wolters ka shtuar se kjo gjë përfshin edhe angazhim të trupave në Evropën Lindore, por edhe vëzhgim ajror dhe forca detare.
Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë krijuar dy qendra – secila me personal prej gati 100 vetash – që janë duke punuar për të dërguar ndihmën ushtarake dhe atë humanitare në Ukrainë.
Ai ka thënë se oficerët ukrainas ndërlidhës janë të pranishëm në këto qendra.
Gjermania: Rusia do të pranojë pagesat e gazit në euro
Rusia do të vazhdojë të lejojë shtetet evropiane që të paguajnë gazin rus me euro dhe jo rubla, siç ka kërcënuar së fundi, ka thënë Qeveria gjermane.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë kancelarit gjerman, Olaf Scholz se pagesat nga Evropa, muajin e ardhshëm "do të vazhdojnë të kryhen në euro dhe do të transferohen si zakonisht në Bankën Gazprom, e cila nuk është e prekur nga sanksionet”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.
Banka më pas do të konvertojë pagesat në rubla, ka thënë Putin, sipas Hebestreit.
“Scholz nuk është pajtuar për këtë procedurë në bisedë, mirëpo ka kërkuar informacion me shkrim për të kuptuar më mirë procesin”.
Rusia ka thënë më parë se shtetet “jomiqësore” do të duhet të paguajnë gazin rus në rubla nga 31 marsi.
Zëdhënësi gjerman ka shtuar se Scholz vazhdon të jetë i përkushtuar ndaj marrëveshjes së shtatë vendeve më të industrializuara se furnizimet ruse me energji duhet të paguhen vetëm në euro dhe dollarë amerikanë.
Gjermania merr rreth gjysmën e gazit të saj dhe një të tretën e naftës nga Rusia dhe ka paralajmëruar se mund të përballet me recesion nëse furnizimet ndalen papritur.