Ndërlidhjet

Mariupoli, 31 mars, 2022
Mariupoli, 31 mars, 2022

Pushtimi rus i Ukrainës

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar si "operacion special". Perëndimi e ka dënuar ashpër pushtimin dhe ka vendosur një varg sanksionesh të rënda kundër Rusisë.

  • Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi një “operacion ushtarak” në Ukrainë, në orën 5:55 të mëngjesit të 24 shkurtit, 2022. Disa minuta më vonë pasuan granatimet e para.
  • Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli gjendje lufte në vend.
  • Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse.
  • Më 21 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin, ka marrë vendim për njohjen e rajoneve separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, si shtete të pavarura, dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave ruse në ato territore. Perëndimi e ka dënuar fuqishëm këtë veprim, duke e cilësuar si uvertyrë për pushtim të plotë.
  • Rusia ka grumbulluar më shumë se 150,000 forca të armatosura dhe pajisje të rënda ushtarake në kufijtë me Ukrainën - gjë të cilën NATO-ja e ka përshkruar si grumbullimin më të madh ushtarak në kontinentin evropian që nga fundi i Luftës së Ftohtë.
  • Udhëheqësi rus po përpiqet të parandalojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO - gjë të cilën e ka cilësuar si kërcënim ekzistencial - dhe të ndalojë zgjerimin e aleancës perëndimore drejt lindjes.
20:47 30.3.2022

Mbretëria e Bashkuar prezanton ligje të reja që synojnë oligarkët rusë

Mbretëria e Bashkuar ka prezantuar ligje të reja që kanë për qëllim “t’ua parandalojnë oligarkëve rusë qasjen në shërbimet britanike të aviacionit dhe ato detare”.

Zyra e Jashtme britanike ka thënë se legjislacioni do të ndalojë mirëmbajtjen e aeroplanëve apo anijeve që u takojnë oligarkëve të sanksionuar rusë apo bizneseve të tyre.

Departamenti ka thënë se kompetencat e reja janë zbatuar menjëherë për të sanksionuar biznesmenët rusë, Eugene Shvidler dhe Oleg Tinkov.

Ndërkohë, sanksionet financiare, tregtare dhe ato të transportit, që janë vendosur në lidhje me Krimenë, janë zgjeruar edhe për rajonet Donjeck dhe Luhansk.

Sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss ka thënë se “nuk ka dyshim që presidenti rus, Vladimir Putin dhe elita e tij janë befasuar nga fuqia e sanksioneve tona”.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim presionin për aq kohë sa trupat ruse të jenë në Ukrainë, duke shënjestruar jo vetëm bizneset e oligarkëve, por edhe asetet e tyre dhe stilin e jetës”.

20:13 30.3.2022

Shtëpia e Bardhë: Biden planifikon të ndajë 500 milionë dollarë për Ukrainën

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se presidenti amerikan, Joe Biden, i ka thënë homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky se Shtetet e Bashkuara synojnë të ndajnë 500 milionë dollarë amerikanë si ndihmë buxhetore direkte.

“Liderët kanë diskutuar sesi Shtetet e Bashkuara janë duke punuar vazhdimisht për të përmbushur kërkesat kryesore të Ukrainës për ndihmë në fushën e sigurisë, efektet kritike që kanë pasur këto armë në konflikt, dhe përpjekjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve për të identifikuar kapacitete shtesë, për t’i ndihmuar ushtrisë ukrainase që të mbrojë shtetin e saj”, është thënë në deklaratë.

Biden po ashtu ka rishikuar sanksionet dhe ndihmën humanitare të javës së kaluar, derisa Zelensky e ka njoftuar atë për negociatat e Ukrainës me Rusinë.

19:45 30.3.2022

Në kërkim të superjahteve të oligarkëve rusë

Superjahtet e shtrenjta, në pronësi të oligarkëve rusë, po përballen me sfida ligjore, teksa autoritetet në mbarë botën po veprojnë në bazë të sanksioneve ndërkombëtare që kanë për qëllim t’i bëjnë presion personave që janë të afërt me presidentin rus, Vladimir Putin. Një numër anijesh, vlera e përgjithshme e të cilave vlerësohet të jetë të paktën 1.6 miliard dollarë, janë konfiskuar deri më tani. Rasti i fundit i konfiskimit të një jahti ndodhi në Londër më 29 mars. Në këtë fotogaleri iu tregojmë jahtet e konfiskuara dhe pronarët e tyre, por edhe për disa anije që janë në shënjestër të autoriteteve, përfshirë edhe një jaht që është i lidhur me vetë Putinin​.

19:18 30.3.2022

Ku kanë ikur refugjatët nga Ukraina?

Kombet e Bashkuara kanë thënë se mbi katër milionë banorë të Ukrainës kanë ikur nga ky shtet, prej shpërthimit të luftës më 24 shkurt.

Më shumë se gjashtë milionë njerëz janë zhvendosur brenda Ukrainës, çka nënkupton se në total, një çerek i popullsisë ka braktisur shtëpitë për shkak të luftës.

Kriza me refugjatët ukrainas është më e madhja në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.

Deri më 29 mars:

  • Polonia ka pranuar 2,336,799 refugjatë
  • Rumania 608,936
  • Moldavia 387,151
  • Hungaria 364,804
  • Rusia 350,632
  • Sllovakia 281,172 dhe
  • Bjellorusia 10,902

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG