Biden dhe Zelensky diskutojnë “për mbështetje në mbrojtje dhe sanksione”
Presidenti amerikan, Joe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zelensky ka thënë se biseda e tyre ka zgjatur një orë dhe të dy liderët kanë diskutuar për situatën në terren, por edhe për sanksione, ndihmë dhe “mbështetje specifike për mbrojtje”.
Sllovakia i kërkon Rusisë të tërheqë 35 diplomatë nga Bratislava
Sllovakia i ka thënë Rusisë se duhet të tërheqë 35 anëtarë të stafit të Ambasadës ruse në Bratislavë.
“Ky hap është përgjigje e nevojshme ndaj aktiviteteve të stafit të Ambasadës ruse, që nuk janë në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, interesat e Republikës së Sllovakisë dhe përpjekjeve për të krijuar partneritet me Federatën Ruse”, ka thënë Ministria e Jashtme sllovake përmes një deklarate më 30 mars.
“Në këtë kontekst, na vjen keq që edhe pas dëbimeve të diplomatëve rusë në dy vjetët e fundit, misioni diplomatik rus nuk ka treguar interes për veprimtari korrekte në territorin tonë”, është thënë në deklaratë.
Sllovakia nuk ka dhënë hollësi për aktivitetet që i konsideron të papranueshme, dhe nuk ka ofruar afat kohor se kur duhet të largohen diplomatët.
Më 14 mars, Bratislava ka dëbuar tre anëtarë të stafit të Ambasadës ruse, duke cituar informacion nga shërbimet sekrete të Sllovakisë.
Duke bërë të ditura ato dëbime, Ministria e Jashtme sllovake i ka bërë thirrje “fuqishëm” Ambasadës ruse që të “kryejë aktivitetet e saj në përputhje me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”.
Ukraina: Rusët janë duke u përgatitur për të rinisur ofensivën
Forcat ruse janë duke u përgatitur për të rinisur operacionet e ofensivës, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë ukrainase të Mbrojtjes, Oleksandr Motuzyanyk, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.
Ata janë duke tentuar të marrin kontrollin e qytetit të rrethuar të Mariupolit dhe disa qytezave në Luhansk, dhe përpjekjet e tyre kyçe janë të fokusuara në rrethim të trupave ukrainase në lindje të Ukrainës, është cituar të ketë thënë ai.
Janë duke u vëzhguar disa lëvizje të forcave ruse, jo shumë larg Kievit dhe Çernihivit, mirëpo komanda ushtarake ukrainase nuk e konsideron këtë gjë tërheqje masive, ka thënë Motuzyanyk.
Rusia ka thënë të martën se do të largojë disa trupa nga kryeqyteti ukrainas dhe Çernihivi, mirëpo ka thënë se pozicioni i saj në Krime dhe Donas nuk ka ndryshuar.
Si e përhapin televizionet shtetërore ruse propagandën për luftën në Ukrainë
Programi televiziv "E vërtetja juaj", i cili shfaqet në televizionin shtetëror rus, ka nisur edicionin e 26 marsit me manipulim të deklaratave të disa qytetarëve të Mariupolit në Ukrainë, i cili është shkaktuar nga bombat dhe raketat ruse, prej kur Moska filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Një grua ka pretenduar se forcat ukrainase po qëllojnë në kopshtet e fëmijëve sikurse “në një lojë”.
Një burrë i zemëruar ka mallkuar “këta fashistë, këta bastardë… dhe të varur nga droga”.
Më vonë, mysafirja e parë e emisionit ka qenë kryeredaktorja e televizionit rus, RT, Margarita Simonyan, e cila me lot në sy ka bërë një varg pretendimesh, duke nisur nga ato se forcat ukrainase janë duke shënjestruar fëmijët me bomba; që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka ndaluar të gjitha mediat private; që ukrainasit nuk i konsiderojnë rusët si njerëz; që mjekët ukrainas kanë kërkuar tredhjen e të burgosurve rusë të luftës; që “nazistët” ukrainas janë të përgatitur “për t’ua nxjerrë” sytë fëmijëve, varësisht nga etnia e tyre”.
Të gjitha këto pretendime janë bërë në pesë minutat e parë të transmetimit.
Lexojeni materialin e plotë në linkun më poshtë.