Një çerek i ukrainasve kanë ikur nga shtëpitë e tyre
Të dhënat e fundit nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, kanë treguar se mbi katër milionë njerëz kanë ikur në shtetet fqinje dhe më shumë se gjashtë milionë janë të zhvendosur brenda Ukrainës, çka nënkupton se të paktën një çerek i popullsisë ka braktisur shtëpitë për shkak të luftës.
Kjo nënkupton që mbijetesa e më shumë se katër milionë njerëzve, kryesisht gra, fëmijë dhe të moshuar, tani varet nga shtetet fqinje.
Kjo është kriza më e madhe me refugjatë në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Vetëm Polonia ka pranuar 2.3 milionë refugjatë ukrainas.
Ndonëse Rusia vazhdon të pretendojë se do të zvogëlojë operacionet ushtarake, bombardimet ruse janë duke vazhduar në qytetet ukrainase dhe më shumë familje janë duke ikur.
Rusia pretendon se ka rekrutuar 16,000 luftëtarë nga Lindja e Mesme
Ushtarëve sirianë u janë ofruar deri në 5,000 dollarë në muaj për të luftuar për Rusinë në Ukrainë, sipas transmetuesit britanik, BBC.
Rusia ka thënë se arritur të mbledhë 16,000 rekrutë nga Lindja e Mesme, dhe se rrjetet sociale janë të mbushura me kërkesa të sirianëve për t’iu bashkuar trupave ruse.
“Rekrutimi në Ukrainë është saktësisht sikurse rekrutimi në Libi, ka përfaqësues në rajon”, ka thënë një rekrut për BBC-në.
“Secili ka të drejtë të ndryshojë vendimin pas aplikimit. Askush nuk mund t’ju detyrojë”.
Ekonomia e Sirisë, veçse e shkatërruar nga lufta civile, tani përballet me rritje të çmimeve për produkte thelbësore.
Rusia ka mbështetur regjimin sirian gjatë luftës civile dhe në mediat shtetërore ruse pretendohet se ushtarët sirianë duan të kthejnë ndihmën.
Karvanët e shpresës: Ukraina evakuon fëmijët me kancer
“Ne duhet ta shpëtojmë jetën e fëmijës sonë”, thotë Ihor, duke mbërthyer fëmijën e tij të vogël, teksa presin një autobus që do t’i marrë ata në Lviv, në perëndim të Ukrainës, për t’i çuar në Poloni, për trajtim jetik kundër kancerit. Ky ishte karvani i shtatë me fëmijë të prekur nga kanceri, që u largua nga Ukraina prej kur Rusia e pushtoi atë, më 24 shkurt.
Media shtetërore: Kina, e gatshme të çojë marrëdhënien me Rusinë në “tjetër nivel”
Ministrat e Jashtëm të Kinës dhe Rusisë janë takuar në Kinë, para takimit të përfaqësuesve qeveritarë nga shtetet që janë në kufi me Afganistanin.
Sipas medias shtetërore ruse, ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, ka thënë se marrëdhëniet në mes të të dyja shteteve u kanë rezistuar testeve të reja që kanë ndryshuar situatën ndërkombëtare.
Wang ka thënë se Kina është e gatshme që marrëdhënia e tyre të kalojë “në një epokë të re” dhe “nivel më të lartë”.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e ka informuar homologun e tij kinez për “operacionin special ushtarak” në Ukrainë, përshkrim që përdor Moska për luftën në Ukrainë.
Lavrov ka thënë se të dyja shtetet “kundërshtojnë hegjemoninë” dhe zbatojnë “parimet e Kombeve të Bashkuara”.
Ai ka thënë se “Rusia është e përkushtuar në ulje të tensioneve” në Ukrainë dhe “do të vazhdojë bisedimet për paqe”, si dhe “mbajtjen e komunikimeve me komunitetin ndërkombëtar”.
Wang ka thënë se Kina ka “qëndruar gjithmonë në anën e duhur të historisë”, duke shtuar se “çështja” e Ukrainës është komplekse.
Ai ka thënë po ashtu se Kina mbështet përpjekjet e Kinës, dhe palëve tjera, “për të parandaluar krizën e gjerë humanitare”.
Kina ka refuzuar vazhdimisht që të kritikojë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.