Negociatori ukrainas shprehet optimist pas bisedimeve me Rusinë
Negociatori ukrainas, Mykhailo Podolyak, ka thënë të mërkurën se ndihet optimist, pas bisedimeve që ka zhvilluar me palën ruse, në të cilat Moska ka thënë se do të zvogëlojë në mënyrë drastike operacionet ushtarake afër Kievit dhe Çernihivit.
“Jam optimist për rundin e negociatave në Stamboll”, ka thënë Podolyak, duke iu referuar bisedimeve të së martës në Turqi.
Ai ka thënë se sistemi i propozuar i garancive për sigurinë e Ukrainës, i cili do të ofrohet në këmbim të neutralitetit, do të vendoset në referendum, vetëm pasi trupat ruse të tërhiqen nga pozicionet që kanë mbajtur para nisjes së pushtimit në Ukrainë.
Kremlini, në anën tjetër, ka minimizuar shpresat se është arritur përparim në bisedime.
“Ne nuk mund të themi se ka pasur diçka shumë premtuese apo ndonjë përparim”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për gazetarët.
Megjithatë, ai ka thënë se Moska e konsideron “pozitive” faktin që Kievi ka filluar që t’i shkruajë kërkesat e saj.
Nuland: Rusia po pëson humbje të mëdha në Ukrainë
Rusia është duke pësuar humbje “të mëdha” që prej se nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, tha një zyrtare e lartë e Departamentit amerikan të Shtetit, duke shtuar se numri i ushtarëve rusë është mbi 10,000.
“Mendoj se, fatkeqësisht rusët ende nuk e kanë kuptuar plotësisht sesa e fortë është ushtria ukrainase”, tha nënsekretarja amerikane e Shtetit, Vicoria Nuland, gjatë një interviste për Current Time.
“Pala ruse po pëson humbje shumë të mëdha – dhe sipas vlerësimeve tona, janë mbi 10,000 rusë të vdekur”, tha Nuland.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Rusia intensifikon sulmet në lindje të Ukrainës
Forcat ruse kanë intensifikuar sulmet në rajonet lindore ukrainase Luhansk dhe Donjeck, thanë autoritetet ukrainase.
Sulmet janë intensifikuar në qytetet në perëndim të “vijës së kontaktit” – nga fronti i luftës në këto dy rajone lindore. Që prej vitit 2014, separatistët pro-rusë kanë marrë nën kontroll pjesë të Luhanskut dhe Donjeckut dhe kanë luftuar me forcat qeveritare ukrainase.
Autoritetet në Luhansk thanë se në 24 orët e fundit janë kryer 35 sulme me artileri në qytetet e këtij rajoni. Mëngjesin e sotëm sulmet ajrore kanë goditur ndërtesa banimi dhe një çerdhe në Lisiçansk, tha një zyrtar ushtarak në këtë rajon. Të pakën një person është raportuar se është vrarë në sulmet në Lisiçansk.
Ndërkaq, liderët e rajoneve separatiste të Ukrainës pretenduan se të paktën një person është vrarë nga granatimet ukrainase në pjesën e Donjeckut që kontrollohet nga separatistët pro-rusë.
Ditë më parë Rusia tha se do të përqendronte operacionet e saj ushtarake në rajonet lindore të Ukrainës.
Ukraina: Sulmet ruse kanë goditur ndërtesën e Kryqit të Kuq në Mariupol
Forcat ruse kanë sulmuar ndërtesën e Kryqit të Kuq në qytetin e rrethuar dhe të shkatërruar të Mariupolit, tha të mërkurën Kievi.
“Në Mariupol, pushtuesit kanë goditur ndërtesën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq”, tha Avokatja e Popullit të Ukrainës, Lyudmyla Denisova.
Në deklaratën e postuar në rrjetet sociale, ajo shtoi se ndërtesa është goditur nga sulme ajrore dhe artileri.
Qyteti-port i Mariupolit është i rrethuar nga forcat ruse dhe afër 160,000 civilë vlerësohet se kanë mbetur të bllokuar, pa pasur qasje në ujë të pijshëm, ushqim dhe furnizime të tjera elementare.
*Video nga arkivi: Shkatërrimet në Mariupol