Rusia nuk do të kërkojë kalim të menjëhershëm të pagesës së gazit me rubla
Rusia nuk do të kërkojë që menjëherë blerësit të paguajnë me rubla eksportet e gazit, tha Kremlini më 30 mars, duke premtuar kalim gradual dhe tha se Moska duhet të punojë në idenë për të zgjeruar listën e vendeve që duhet ta paguajnë gazin me monedhën kombëtare ruse.
Qeveria, Banka Qendrore ruse dhe Gazpromi pritet të prezantojnë më 31 mars mënyrën se si do të bëhet ky ndryshim i pagesës.
I pyetur nëse pagesat me rubla do të nisin nga 31 marsi, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “absolutisht jo”.
“Siç e kemi diskutuar edhe më herët, pagesat dhe dërgesat në kohë janë një proces që merr kohë... Kjo nuk nënkupton që nga nesër për dërgesat do të duhet të paguhet me rubla. Nga aspekti i teknologjisë, ky është një proces më i ngadalshëm”, tha ai.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Fytyrat e luftës
Gati 3,000 civilë janë vrarë apo janë plagosur në Ukrainë, ndërsa më shumë se 10 milionë të tjerë janë zhvendosur, prej kur Rusia nisi sulmin e saj të paprovokuar, më shumë se një muaj më parë, ka njoftuar Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Kremlini thotë se nuk ka asgjë “premtuese” nga bisedimet me Ukrainën
Kremlini ka minimizuar shpresat se është arritur përparim pas bisedimeve të paqes midis delegacioneve ruse dhe ukrainase që u mbajtën në Stamboll një ditë më parë.
“Ne nuk mund të themi se ka pasur diçka shumë premtuese apo ndonjë përparim”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov për gazetarët.
Ai shtoi se Moska e konsideron “pozitive” faktin që Kievi ka filluar që t’i shkruajë kërkesat e saj.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Guvernatori: Rusia po granaton qytetet në vijën e frontit në Donjeck
Guvernatori rajonal i rajonit lindor ukrainas të Donjeckut, Pavlo Kyrylenko, tha se Rusia po granaton pothuajse të gjitha qytetet që gjenden në vijën e frontit në këtë rajon.
Që prej vitit 2014, separatistët e mbështetur nga Rusia, luftojnë me forcat ukrainase në Donjeck.
Kyrylenko tha se granatimet po vijnë nga zonat e Donjeckut që kontrollohen nga separatistët pro-rusë.
Sipas tij, në mëngjesin e sotëm ka pasur sulme ajrore në Marijnka dhe Novomihajlivka. Ai ka postuar në Twitter pamje të shkatërrimeve.
Rusia ka njoftuar se do të përqendrohet që të marrë kontrollin e rajoneve lindore të Ukrainës.