Finlanda rinis linjën hekurudhore të mallrave me Rusinë
Operatori kombëtar i hekurudhave të Finlandës, VR Group tha se do të rinisë shërbimet e transportimit të mallrave midis Helsinkit dhe Shën Petersburgut të Rusisë, por shërbimet e pasagjerëve do të mbesin të suspenduara.
Ky operator kishte pezulluar shërbimet pasi Mbretëria e Bashkuar kishte vendosur sanksione ndaj hekurudhës së Rusisë. Megjithatë, sipas deklaratës së VR Group më pas u kuptua se sanksionet nuk prekin kontratat që ky grup ka me Rusinë.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
Këshilltari i Zelenskyt: Negociatat kanë lëvizur përpara
Negociatat midis Ukrainës dhe Rusisë “definitivisht kanë lëvizur përpara”, tha Ihor Zhovkva, këshilltar i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ai tha se në bisedimet e mbajtura në Stamboll më 29 mars, për herë të parë në vend se të jepte ultimatume Rusia dëgjoi qëndrimet e palës ukrainase.
Zhovkva tha për BBC se Ukraina nuk do të këmbejë “asnjë centimetër” të territorit, teksa u pyet për rajonet lindore ukrainase.
Ai po ashtu tha se Rusia nuk ka tërhequr trupat as nga Kievi apo Çernivihi, ashtu siç kishte thënë Moska.
OKB: Mbi 4 milionë refugjatë ukrainas
Mbi katër milionë ukrainas janë larguar nga shteti që prej nisjes së luftës, thanë Kombet e Bashkuara.
Agjencia për refugjatë e OKB-së, UNHCR tha se 4,019,287 janë larguar nga Ukraina që prej nisjes së pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.
Ndërkaq, mbi 2.3 milionë e refugjatëve ukrainas kanë shkuar në shtetin fqinj të Polonisë.
Kievi i kërkon Moskës të tërhiqet nga Çernobili pas rrezikut për shpërthime
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, tha se forcat ruse që kanë marrë nën kontroll centralin e çmontuar bërthamor të Çernobilit duhet të tërhiqen nga ajo zonë, pasi forcat e armatosura ukrainase kanë paralajmëruar se mund të ketë shpërthim të municioneve.
“Ne kërkojmë nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që menjëherë të marrë masa për çarmatosjen e zonës së ndaluar dhe të vendoset një mision i posaçëm i OKB-së aty për të zhdukur rrezikun e përsëritjes së një katastrofe bërthamore”, tha ajo përmes një videoje të postuar më 30 mars në rrjetin social, Telegram.
Stafi ukrainas ka vazhduar që të operojë me centralin e Çernobilit edhe pasi forcat ruse morën kontrollin e tij më 24 mars, në ditën kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës.
Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU