Ndërlidhjet

Zelensky: Sinjale pozitive nga bisedimet për paqe, por kërcënimi rus vazhdon


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka thënë se ndonëse sinjalet fillestare nga bisedimet për paqe kanë qenë “pozitive”, ato nuk kanë parandaluar shpërthimet ruse.

Në një adresim në orët e mbrëmjes më 29 mars, Zelensky ka thënë se shteti i tij mund t’iu besojë vetëm rezultateve konkrete të negociatave.

Ai është zotuar se Ukraina nuk do të zvogëlojë “përpjekjet për mbrojtje”, pasi ushtria ruse ka ende kapacitet për të kryer sulme.

Zelensky po ashtu ka bërë thirrje për kujdes ndaj deklatave të Rusisë se është duke zvogëluar operacionet afër Kievit, duke thënë se kjo nuk nënkupton dhënie fund të luftimeve.

“Situata nuk është bërë më e lehtë”, ka thënë ai.

Ukraina dhe Rusia kanë shënuar përparim në bisedimet e para sy më sy, pas më shumë se dy javësh, pasi Moska është zotuar për zvogëlim të operacioneve ushtarake rreth Kievit dhe veriut të Ukrainës, dhe Ukraina ka thënë se do të pranojë statusin e shtetit neutral.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu ka thënë se bisedimet e së martës kanë qenë më të suksesshmet prej kur kanë nisur diskutimet në mes të të dyja palëve.

Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë thënë se duhet pasur kujdes ndaj pretendimeve të Rusisë për zvogëlim të sulmeve.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se “do të shohim çfarë do të ndodhë” në terren, ndërsa kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se Rusia do të gjykohet nga veprat dhe jo fjalët.

Një negociator rus ka paralajmëruar se zotimi i Rusisë për shtensionim nuk do të thotë “armëpushim”.

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, ka thënë se Rusia është duke “ripozicionuar” forcat e saj afër Kievit, mirëpo nuk është duke i tërhequr ato, andaj qyteti është nën rrezik.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG