Ndërlidhjet

Ukraina me propozime për arritjen e paqes


Takimi i delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll të Turqisë më 29 mars 2022.
Takimi i delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë në Stamboll të Turqisë më 29 mars 2022.

Delegacionet nga Ukraina dhe Rusia u takuan sy më sy në Stamboll, që sipas nikoqires së takimit, Turqisë, ishte rundi me më së shumti përparim deri më tani në procesin e paqes.

Ukraina gjatë këtij takimi tha se ka propozuar që të miratojë një status neutral në këmbim të garancive të sigurisë. Këto propozime janë prezantuar gjatë bisedimeve me Rusinë që u mbajtën të martën në Turqi, që nënkupton se Kievi nuk do t’i bashkohej NATO-s apo që në bazat e saj nuk do të vendoseshin ushtarë të aleancës së NATO-s, thanë negociatorët ukrainas.

Propozimet, që po ashtu përfshijnë një periudhë 15-vjeçare të konsultimeve për statusin e Gadishullit të aneksuar të Krimesë, do të mund të zbatoheshin vetëm në rastin të një armëpushimi të plotë, thanë negociatorët për gazetarët në Stamboll.

Propozimet janë më të detajuarat dhe më konkretet që Ukraina i ka paraqitur publikisht. Ato gjithashtu parashikojnë garanci të sigurinë në linjë me artikullin 5 të NATO-s, që është një klauzolë për mbrojtje kolektive.

Polonia, Izraeli, Turqia dhe Kanadaja mund të jenë garantuesit e mundshëm për këto propozime.

“Nëse ne arrijmë të konsolidojmë këto provizione kyçe, dhe për ne kjo është më e rëndësishmja, atëherë Ukraina do të jetë në pozitë që të rregullojë statusin aktual si një shtet që nuk është pjesë e bllokut dhe pa armë bërthamore, në formë të një neutraliteti të përhershëm”, tha negociatori Oleksander Chaly.

“Ne nuk do të lejojmë hapjen e bazave të huaja ushtarake në vendin tonë e as nuk do të vendosjen e kontingjenteve ushtarake në territorin tonë dhe nuk do të bëhemi pjesë e aleancave ushtarake-politike”, tha ai për televizionin kombëtar ukrainas.

“Stërvitjet ushtarake në territorin tonë do të mbahen me pëlqimin e shteteve garantuese”.

Sipas negociatorëve ukrainas, këto propozime janë të mjaftueshme që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ai rus, Vladimir Putin, të takohen. Por, pala ukrainase tha se për këtë temë po pret përgjigjen e palës ruse.

Gjatë takimit në Stamboll, Ukraina kërkoi një marrëveshje armëpushimi, që nuk do të komprometonte territorin as sovranitetin e vendit.

Sipas nikoqires së këtij takimi, Turqisë, bisedimet në Stamboll shënojnë përparimin më të rëndësishëm në procesin e paqes deri më tani, deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

Cavusoglu tha se Turqia mirëpret faktin që palët kanë arritur kompromis dhe gjuhë të përbashkët për një sërë çështjesh dhe se shpreson që lufuta të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ai po ashtu tha se për “çështjet më të vështira” pritet të diskutohen midis ministrave të Jashtëm ukrainas dhe rusë në një takim tjetër, duke mos e përjashtuar mundësinë e një takimi mes presidentëve të dy shteteve.

Rundet e mëhershme të bisedimeve, si ato sy më sy, por edhe ato përmes formateve online, kanë dështuar të arrijnë ndonjë përparim.

Këto njoftime vijnë teksa zëvendësministri i Mbrojtjes së Rusisë, Alexander Fomin, tha se Rusia do të “zvogëlojë në mënyrë drastike” aktivitetin ushtarak jashtë Kievit dhe Çernihivit, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve Tass.

  • Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë

Kostoja e sulmit më të madh në Ukrainë – prej Luftës së Dytë Botërore – vazhdon të rritet, pasi më shumë se 3.9 milionë njerëz kanë ikur nga shteti dhe miliona tjerë janë zhvendosur.

Mijëra persona janë vrarë dhe janë plagosur, përfshirë civilët, të cilët nuk kanë arritur të gjejnë vende për t’u fshehur, pasi Rusia besohet se ka shënjestruar edhe objektet joushtarake, sikurse ndërtesat e banimit, spitalet dhe qendrat tregtare.

Ekonomia e Rusisë, në anën tjetër, është goditur nga sanksionet e Perëndimit.

Erdogan: Duhen rezultate në bisedimet Ukrainë-Rusi

Para nisjes së bisedimeve, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, u tha delegacioneve se përparimi në bisedime do t’i hapte rrugë një takimi ndërmjet Zelenskyt dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Lideri turk, po ashtu, tha se ka ardhur koha që bisedimet të japin rezultate konkrete dhe bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, duke thënë se “ndalja e kësaj tragjedie” është në duart e të dyja palëve.

Erdogan: Armëpushimi dhe paqja, në të mirë të të gjithëve
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:51 0:00

Deri te takimi në Stamboll mes Ukrainës dhe Rusisë erdhi pas një bisede telefonike ndërmjet Erdoganit dhe Putinit që u zhvillua më 27 mars.

Erdogan më pas deklaroi se ka zhvilluar një bisedë të ndarë edhe me Zelenskyn dhe tha se bisedimet me liderët po shkonin “në drejtim pozitiv”, por nuk dha më shumë detaje.

Pala ukrainase ka thënë se prioritetet e tyre në këto bisedime do të jenë “sovraniteti dhe integriteti territorial”.

Zelensky më herët ka thënë se ai ka dhënë garanci të sigurisë, që përfshijnë edhe që vendi i tij të mos ketë armë bërthamore. Ndërkaq, sa i përket temës së neutralitetit, që nënkupton mosanëtarësimin në NATO, ai ka deklaruar për të do të vendosin ukrainasit përmes një referendumi, pasi të tërhiqen forcat ruse.

Bisedimet në Stamboll u mbajtën teksa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e 34-të.

Ushtria ukrainase ka thënë se sulmet ruse kanë vazhduar dhe se Moska po shënjestron depot e karburanteve në qytetet në mbarë vendin, përfshirë ato në Kiev dhe Lviv.

Po ashtu, të paktën tri viktima janë raportuar më 29 mars në qytetin jugor ukrainas, Mikolajiv, pas sulmit me raketa në ndërtesën administrative.

Ndërtesa e shkatërruar administrative në Mikolajiv. 29 mars 2022.
Ndërtesa e shkatërruar administrative në Mikolajiv. 29 mars 2022.

Ndërkaq, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka pretenduar se kapacitetet ushtarake ukrainase kanë degraduar seriozisht, teksa ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, paralajmëroi se Moska do të përgjigjej në rast se NATO e furnizon Ukrainën me avionë luftarakë dhe sisteme të mbrojtjes ajrore.

Ukraina po kërkon nga shtetet perëndimore avionë luftarakë dhe sisteme kundërajrore, në mënyrë që të mund ta mbrojë veten nga sulmet ruse.

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, në përditësimin e saj të fundit lidhur me luftën në Ukrainë, tha se forcat ukrainase kanë kryer kundërsulme të “lokalizuara” në veriperëndim të Kievit, të cilat kanë rezultuar me njëfarë suksesi, duke zmbrapsur rusët nga një sërë pozicionesh.

Mjekja në Kiev: Janë dy mundësi, ne do të fitojmë ose Putini do të humbë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:47 0:00

Kjo ministri paralajmëroi se forcat ruse ende paraqesin rrezik të madh për kryeqytetin ukrainas, Kiev, për shkak të aftësive të tyre për të kryer sulme ajrore.

Në jug të Ukrainës, sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, Rusia ka vazhduar ofensivën në Mariupol, duke kryer granatime, por tha se forcat ukrainase ende kanë nën kontroll qendrën e qytetit.

Në pjesë të tjera të Ukrainës, forcat ruse, po “mbajnë pozicionet bllokuese, teksa po tentojnë të riorganizohen dhe të rivendosin forcat e tyre”, tha Mbretëria e Bashkuar.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG