Edhe para se ushtria ruse të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, çmimet e ushqimeve kanë qenë në rritje gjatë gjithë vitit të kaluar.
Sipas Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara (FAO), ushqimet - në nivel global - janë për 20 për qind më shtrenjtë seç kanë qenë një vit më parë.
Pandemia e koronavirusit dhe çrregullimet në zinxhirin e furnizimeve që e kanë pasuar atë, janë parë si shkaktarë kryesorë të rritjes.
- Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Më 11 mars, FAO ka paralajmëruar për rritje të mëtejshme të çmimeve - deri në 20 për qind të tjerë, si pasojë e luftës në Ukrainë.
FAO ka thënë se Ukraina vështirë se do të mund të korrë grurin këtë sezon, ndërsa marrja e produkteve nga Rusia është bërë gjithashtu më e vështirë, pasi bizneset nuk duan të rrezikojnë të bien ndesh me sanksionet që ka ky shtet.
Por, nga këto dy shtete - Rusia dhe Ukraina - sigurohen gati 30 për qind e furnizimeve globale me grurë. Dhe, nga frika e mungesave, shumë vende kanë ndaluar tashmë eksportet e tyre, duke bërë që çmimet e shumë produkteve të kërcejnë ndjeshëm brenda ditësh, e disa prej tyre të shiten madje vetëm në sasi të limituara.
G7-ta, apo grupi i shteteve më të industrializuara, ka bërë përpjekje të sigurojë botën se do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të parandaluar krizën ushqimore.
G7-ta u ka bërë thirrje vendeve që t’i mbajnë të hapura tregjet e tyre ushqimore dhe bujqësore, për të mos rrezikuar, siç ka thënë, vendet me siguri të ulët ushqimore.
Me një paralajmërim tjetër ka dalë Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka thënë se pushtimi rus i Ukrainës mund ta zhysë furnizimin global me ushqime në kaos.
Sipas FMN-në, ngjarjet qëkur ka nisur pushtimi, tregojnë se “ekonomia në Ukrainë ka ndryshuar në mënyrë dramatike”.
Drejtori i Programit Botëror të Ushqimeve, David Beasley, ka thënë se sa më gjatë që shtyhet paqja, aq më shumë njerëz do të mbeten pa ushqime.
“Nuk janë vetëm familjet në Ukrainë që preken nga kjo luftë. Fermerët ukrainas korrin mjaftueshëm për të ushqyer vendin e tyre dhe 400 milionë njerëz në mbarë botën. Tani, bota do ta paguajë çmimin me rritje të kostove të ushqimit dhe karburanteve”, ka thënë Beasley në një postim në Twitter.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se shpërthimi i luftës në Ukrainë - vendin që njihet si shportë e bukës - do të prekë më së shumti botën në zhvillim.
“Ne duhet të bëjmë gjithçka të mundur për të shmangur uraganin e urisë dhe shkrirjen e sistemit global të ushqimeve”, ka thënë Guterres.
Ekspertët që vëzhgojnë zinxhirin e furnizimeve, thonë se lufta dhe ushqimet janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, sidomos në rastin e Ukrainës.
Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Michael Joseph Puma, nga Instituti i Tokës në Universitetin e Kolumbias, tregon arsyet përse:
“Rusia dhe Ukraina janë eksportuese kryesore të grurit. Ato janë kyçe për tregjet globale. Së bashku përbëjnë rreth 28 për qind të eksporteve globale të grurit. Ato kanë edhe kultura të tjera të rëndësishme. Ukraina është përgjegjëse për rreth 14% të eksporteve globale të misrit. Të dyja së bashku - Rusia dhe Ukraina - janë përgjegjëse për 80% të eksporteve të vajit të lulediellit. Pra, nga perspektiva e eksportit të të korrave, Rusia dhe Ukraina janë me rëndësi kritike për tregtinë globale”.
Autoritetet në Ukrainë kanë paralajmëruar se nëse lufta nuk ndalet shpejt, furnizimet me prodhimet kryesore agrare mund të bien për 10 deri në 50 për qind.
David Laborde, nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Politikave Ushqimore, tregon për Exposenë se cilat vende apo rajone mund të preken më shumë:
“Për vendet në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme, [importet nga Rusia dhe Ukraina] janë shumë, shumë të rëndësishme. Ato përbëjnë shqetësimin më të madh. Në Tunizi, Egjipt ose Liban - vende këto që janë konsumatore vërtet të mëdha të grurit - ky produkt do të preket më së shumti”.
Në Liban, për shembull, deri në 90 për qind e importeve të grurit dhe vajit të gatimit sigurohen nga Rusia dhe Ukraina. Autoritetet libaneze thonë se kanë vetëm për një muaj rezerva gruri.
Sipas ekspertëve, alternativa për furnizime mund të jenë vendet e Amerikës Latine, si Argjentina apo Brazili, pastaj Australia, Kanadaja apo Bashkimi Evropian. Por, ata paralajmërojnë se çdo devijim nga zinxhiri i furnizimeve do të vijë me kosto më të lartë.
Ekspertët shprehen të shqetësuar edhe për vendet që nuk varen nga Rusia apo Ukraina për furnizimin me ushqime. Problem për to, sipas tyre, do të jetë qasja në plehra. Kjo substancë, që është esenciale për bujqit, është shtrenjtuar shumë, pasi eksportet ruse janë ndaluar. Rusia, në kombinim me Bjellorusinë, përbëjnë 15 deri në 20 për qind të tregut botëror të plehrave.
“Tregu botëror i plehrave është i rëndësishëm për çdo fermer. Ju e dini se çdo fermer kontribuon në ushqime. Dhe [mungesa e plehrave] mund ta përkeqësojë situatën në mënyrë të konsiderueshme, mund të ndikojë në prodhimin global. Kjo është arsyeja përse njerëzit janë të shqetësuar. Por, mbesim me shpresë se situata do të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur”, thotë Laborde.
Puma, nga Universiteti i Kolumbias, thotë se bota duhet ta parandalojë urinë që të bëhet armë lufte. Një zgjidhje e mundshme për situatën, sipas tij, mund të jetë rregullimi i çmimeve të energjisë. Këto çmime kanë nisur të pësojnë rritje qysh nga viti i kaluar dhe pas shpërthimit të luftës në Ukrainë kanë arritur nivele rekorde.
“Për sa kohë që çmimet globale të energjisë mbeten të larta, ato do të paraqesin kërcënim të madh për çmimet globale të ushqimeve. Kemi nevojë për një lloj koordinimi, ose përpjekje në nivel ndërkombëtar, për t’i vënë nën kontroll çmimet ndërkombëtare të energjisë. Një zgjidhje tjetër e mundshme është koordinimi midis vendeve kryesore eksportuese dhe vendeve kryesore prodhuese. Mendoj se janë dy fusha ku ato duhet të fokusohen: të rrisin nivelet e prodhimit dhe të shmangin ndalimet e eksportit”, thotë Puma.
Programi Botëror për Ushqime, i cili funksionon nën ombrellën e OKB-së, ka thënë këtë muaj se numri i njerëzve në prag të urisë është rritur në 44 milionë nga 27 milionë sa ka qenë në vitin 2019. Konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ka tendencë ta përkeqësojë edhe më situatën, ka thënë kjo agjenci.
Vëmendje e veçantë është tërhequr për Jemenin, ku pasiguria ushqimore vazhdon qysh në vitin 2014, kur edhe ka shpërthyer lufta civile.