Prokuroria në Bosnje e Hercegovinë tha se ka pranuar një parashtresë nga institucionet e Kosovës për të hetuar origjinën e armëve të konfiskuara në Banjskë.
Në këtë fshat të komunës së Zveçanit, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës më 24 shtator, duke vrarë një polic.
Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Në ditët pas sulmit, policia e Kosovës konfiskoi një sasi të madhe armësh në Banjskë, për të cilat tha se janë prodhim i fabrikave serbe dhe ish-jugosllave.
Në përgjigjen e Prokurorisë së Bosnjës dërguar REL-it thuhet se “informacionet e disponueshme paraprake tregojnë se nuk bëhet fjalë për armë të mbetura nga lufta në Bosnje e Hercegovinë”.
“Ndoshta bëhet fjalë për armë të prodhimit më të vonshëm, që nuk janë me prejardhje nga Bosnja. Por, përmes Institutit të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të kryhen të gjitha aktivitetet e nevojshme për t’i përcaktuar me siguri të gjitha detajet”, tha Prokuroria e Bosnjës.
Në Prokurorinë Speciale të Kosovës konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se kanë kërkuar bashkëpunim nga disa shtete të rajonit në lidhje me hetimet e sulmit në Banjskë.
Qeveria e Kosovës e akuzon Serbinë për këtë sulm, por Serbia zyrtare e mohon përfshirjen.
Nga ky vend thonë se janë duke bërë hetime të ndara të sulmit.
Në një deklaratë dhënë REL-it në fillim të këtij muaji, Prokuroria e Bosnjës tha, po ashtu, se nuk ka iniciuar ndonjë hetim mbi pretendimet e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd se Millan Radoiçiq, ish-kryetar i Listës Serbe në Kosovë, ka siguruar armë, municion dhe eksplozivë nga Tuzlla për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.
“Në Prokurorinë e Bosnje dhe Hercegovinës nuk kemi marrë asnjë raport nga organet policore për veprën e mundshme kriminale dhe autorët; nuk kemi marrë asnjë informacion nga institucionet e vendeve fqinje, kështu që nuk ka pasur urdhër për kryerjen e ndonjë hetimi”, tha më 6 nëntor Boris Grubeshiq, zëdhënës i Prokurorisë së Bosnje e Hercegovinës.
Muajin e kaluar, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se Radoiçiq akuzohet për sigurimin e armëve, municioneve dhe mjeteve shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në verilindje të Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari i këtij viti deri më 24 shtator.
Sipas Prokurorisë serbe, armët i janë dorëzuar në territorin e Beogradit, nga ku i ka transportuar dhe fshehur në objekte të braktisura dhe pyje në Kosovë.
Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, i hodhi poshtë akuzat nga Serbia, po ashtu.
Vetë Radoiçiq, përmes një letre publike më 29 shtator, pranoi se “personalisht” ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.
Ai mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në sulm.
Ai, po ashtu, nuk i pranoi veprat, me të cilat e ngarkoi Prokuroria e Beogradit.
Radoiçiq u lirua nga mbajtja në Serbi, por iu konfiskuan dokumentet.
Deri ku arritën hetimet?
Prokuroria Speciale e Kosovës tha për REL-in se po bën hetime intensive në lidhje me sulmin e 24 shtatorit.
Sipas burimeve të REL-it në polici, deri më tash janë identifikuar 38 persona që kanë qenë pjesë e grupit të armatosur në Banjskë. Prej tyre, 31 kërkohen për t’u arrestuar.
Për personat që tashmë janë në paraburgim në Kosovë, e që janë disa, janë duke u ekzaminuar të gjitha provat, sipas burimeve.
Një zyrtar policor i tha REL-it se “po hetohen provat që janë gjetur në vendin e ngjarjes”.
Në Prokurorinë Shtetërore të Maqedonisë së Veriut i thanë REL-it se, deri më tash, nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë nga Kosova për ndihmë në hetime.
“Nuk e përjashtojmë mundësinë që ndihma e tillë të jetë kërkuar përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme deri te Ministria e Drejtësisë, por në Prokurori ende nuk ka diçka të tillë. Për sa i përket asaj se çfarë ndihme mund të ofrojmë, ne mund të ofrojmë ndihmë për persona konkretë nëse eventualisht kërkohet një gjë e tillë”, thanë nga Prokuroria në Shkup.
REL-i është në pritje të përgjigjes edhe të Ministrisë së Drejtësisë në Maqedoninë e Veriut, nëse ka pranuar ndonjë kërkesë nga institucionet e Kosovës dhe si ka proceduar tutje.
Ngjashëm, REL-i pyeti edhe institucionet në Mal të Zi, por në një përgjigje me shkrim të Prokurorisë së Lartë të Shtetit në Podgoricë thuhet se ky institucion nuk është kontaktuar nga organet kompetente gjyqësore të Republikës së Kosovës.
Sulmi në Banjskë nxiti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa bashkësia ndërkombëtare i bëri thirrje si Kosovës, ashtu edhe Serbisë që t’u kthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
BE-ja tha se Kosova ka mandat ta hetojë sulmin në Banjskë, ndërsa nga Serbia kërkoi që të bashkëpunojë pa kushte.