Ndërlidhjet

S’ka marrëveshje, greva vazhdon


Greva e edukatoreve në një Institucion Parashkollor në Prishtinë. Fotografi ilustruese.
Greva e edukatoreve në një Institucion Parashkollor në Prishtinë. Fotografi ilustruese.

Kanë dështuar të gjitha përpjekjet e bëra deri më tani për ndërprerjen e grevës në arsim, e cila ka hyrë në javën e katërt.

Në orët e vona të mbrëmjes të së premtes u mbajt një takim online midis Këshillit grevvist dhe deputetit, Ardian Gola. Por, sipas Ymer Ymerit nga Sindikata e Bashkuar për Shkencë dhe Kulturë, sindikalistët kanë refuzuar një propozim të deputetit.

"E kemi pyetur anëtarësinë se a e pranojnë propozimin e deputetit Gola, që ka kërkuar që të ndërpritet greva dhe të niset me një veprim tjetër sindikal, duke mos i notuar nxënësit. Nga përgjigjet që i kemi marrë nga shkollat, nga ka dalë që 663 shoqata sindikale dhe shkolla e kanë refuzuar këtë propozim, 39 e kanë pranuar, ndërsa 35 nuk janë deklaruar. Do të thotë propozimi nuk është pranuar, vazhdohet me grevë", tha Ymeri për Radion Evropa e Lirë.


Përveç këtij takimi, më herët ka pasur diskutime të shumta, të cilat janë bërë nga përfaqësues të institucioneve të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të sindikatave, nuk ka asnjë datë të mundshme për fillimin e mësimeve.

Si pasojë e grevave që kanë nisur në sektorin e arsimit më 25 gusht, mbi 300.000 nxënës kanë mbetur pa mësim.

Grevën e kanë ndërprerë vetëm disa shkolla dhe mësimdhënës në Gjakovë, Prishtinë, Fushë Kosovë e disa vende tjera të Kosovës, dhe në mënyrë individuale kanë nisur t’i mbajnë orët.

Komisioni parlamentar për Arsim të premten ka zhvilluar një takim disaorësh me Këshillin grevist të Sindikatave të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Propozime të reja për fillimin e procesit mësimor

Deputetë të këtij komisioni kanë kërkuar ndërprerjen e grevës në arsim dhe kanë propozuar mënyra të zgjidhjes së problemit.

Kryetari i këtij Komisioni, Ardian Gola, i ka propozuar Këshillit grevist që të nisë mësimi, por si formë sindikale për të arritur përmbushjen e kërkesave të tyre të mos i vlerësojnë fëmijët me nota.

“Të merren notat si formë e presionit sindikal. Jam i bindur që efekti për fitimin e vëmendjes qeveritare në raport me kërkesat sindikale do të jetë relativisht i njëjtë si sot kur fëmijët janë të privuar nga e drejta për shkollim”, ka thënë Gola.

Këshilli grevist i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se ky propozim i deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, parti në pushtet, do të diskutohet në anëtarësi pas takimit.

Salie Osmankaq nga Këshilli i Prindërve të Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se propozimi i bërë në Komision nuk është diskutuar ende në Këshill.

Por, ajo ka theksuar se si prindër ‘çdo formë tjetër jashtë bllokimit të procesit mësimor është më e pranueshme - qoftë edhe kjo duke mos i vënë notat në ditar’.

“Nëse ata nuk do t’i vënë notat në ditar, ata do të vënë nota në fletoret e tyre, pasi që me rregulla duhet të marrin shënime dhe të bëjnë vlerësim për nxënësit”, ka thënë Osmankaq.

Arsyeja e grevës dhe kërkesa kryesore e sindikatave të arsimit drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Projektligji për paga, nga data 15 shtator deri më 6 tetor, është në procedurat e konsultimeve publike. Paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, ndërsa me ligjin e ri pritet të arrijë në 620 euro.

Mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe kjo shumë pritet të rritet në 696 euro.

Qeveria e Kosovës ka thënë se projektligji për pagat, që parasheh rritjen e tyre, do të dalë në miratim së shpejti. Edhe në rast të miratimit, projektligji për paga hyn në fuqi tetë muaj pas miratimit.

Para disa javësh, Qeveria e Kosovës ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik përfitojnë nga 50 euro shtesë, nisur nga ky muaj. Norma e inflacionit në muajin gusht ishte 13 për qind.

Përveç mësimdhënësve, në grevë janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Për të arritur një marrëveshje ndërmjet Qeverisë dhe sindikalistëve për ndërprerje të grevës gjatë kësaj jave më 21 shtator drejtoresha e përgjithshme e Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim, Susan Flocken, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Por, edhe nga ky takim nuk është arritur ndonjë zgjidhje për t’i dhënë fund grevës në sektorin e arsimit në Kosovë.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuara të Arsimit të Kosovës Rrahman Jasharaj, pas këtij takimi ka thënë se Qeveria nuk po jep asnjë shenjë se është e gatshme që të dialogojë me sindikalistët.

Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës në dy seancat e fundit kanë diskutuar për grevën në arsim.

Deputetët nga opozita e kanë hedhur fajin te Qeveria për mosgjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund grevës, derisa deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, kanë kritikuar Këshillin grevist për mosfillim të mësimit.

Kryeministri Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, kanë thënë se Qeveria ka bërë hapa për zbutjen e krizës, duke prezantuar pakon për përballje me inflacionin.

Të premten Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për grevën në arsim.

Rezoluta e partisë opozitare, PDK-së, ka paraparë që Qeveria të nisë negociatat me Këshillin grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) brenda 48 orëve dhe të gjendet zgjidhje për dhënie fund të grevës.

Që nga 25 gushti, përveç punëtorëve të arsimit në grevë janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë kanë shprehur vazhdimisht shqetësim për vazhdimin e grevës së mësimdhënësve në sektorin publik.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG