Ndërlidhjet

Greva e lidhur nyje


Shkolla fillore "Elena Gjika" në Prishtinë.
Shkolla fillore "Elena Gjika" në Prishtinë.

Qindra mijëra nxënës në Kosovë mbeten jashtë shkollave, në ditën kur do të duhej të niste java e dytë e mësimeve.

Sindikalistët e arsimit këmbëngulin se do ta vazhdojnë grevën, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj, për të gjithë punonjësit e arsimit.

Qeveria e Kosovës, në përgjigje, thotë se Projektligji për pagat, që parasheh rritje, do të dalë në miratim së shpejti dhe kërkon hapjen e shkollave.

Këshilli i Prindërve të Kosovës, në anën tjetër, u bën thirrje të dyja palëve që t’i gjejnë zgjidhje grevës, duke thënë se bllokimi i sistemit arsimor është i papranueshëm.

Vetë mësimdhënësit duket se janë të ndarë.

Radio Evropa e Lirë vizitoi të martën e 6 shtatorit Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë, ku pa së paku dy mësimdhënëse duke pritur nxënës.

Shkolla Fillore "Faik Konica" në Prishtinë, 6 shtator 2022.
Shkolla Fillore "Faik Konica" në Prishtinë, 6 shtator 2022.

Njëra prej tyre, e cila kërkoi të mos identifikohet, konfirmoi për REL-in se ka filluar mësimin me nxënës të klasës së parë, nga data 5 shtator.

Duke mos dhënë më shumë detaje, ajo tha se u ka kërkuar prindërve që t’i sjellin fëmijët në shkollë.

Me gjithë përpjekjet, REL nuk arriti të kuptojë nëse mësimdhënësja është dashur të marrë miratimin e Drejtorisë së shkollës për zhvillimin e mësimit.

Shkolla Fillore "Faik Konica" në Prishtinë, 6 shtator 2022.
Shkolla Fillore "Faik Konica" në Prishtinë, 6 shtator 2022.

Në rrjetet sociale kanë qarkulluar informacione dhe pamje të disa shkollave të tjera në Kosovë, ku pretendohej se ka nisur mësimi, por REL nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur.

Më 6 shtator, REL vizitoi edhe Shkollën Fillore “Elena Gjika” në Prishtinë, ku mësimi nuk kishte nisur në asnjë klasë. Atje ishin disa mësimdhënës, që nuk mbanin orë.

Dyert e mbyllura për nxënës i kishte edhe Shkolla tjetër Fillore "Ismail Qemali".

“Asnjë mësimdhënës nuk e dëshiron grevën, por ata e mbajnë atë për t’iu plotësuar kërkesat”, tha Naim Bytyçi, arsimtar i Matematikës në këtë shkollë.

Sipas tij, “fajin” e ka Qeveria, e cila “nuk pranon dialog” me sindikalistët e arsimit.

Kryeziu: Dialogu me kushtëzime dhe kërcënime nuk është dialog

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, tha për Radion Evropa e Lirë se kryeministri Albin Kurti ka pasur takime me përfaqësuesit e sindikatave dhe se çdo kërkesë e tyre "ka pasur një përgjigje dhe qëndrim".

Ai tha se sindikalistët e kanë zëvendësuar kërkesën për Ligjin për paga me kërkesën për 100 euro shtesë, "duke kushtëzuar me këtë kërkesë ndalimin e grevës, sidomos në arsim".

“Ne synojmë trajtim dhe zgjidhje sistematike të sfidave të sistemit të arsimit. Synimet dhe planet tona nuk mund të pengohen e kushtëzohen nga kërkesa arbitrare. Dialogu me kushtëzime dhe kërcënime nuk është dialog. Mësimi duhet të fillojë sa më parë në të gjitha shkollat e vendit”, tha Kryeziu.

Ai shtoi se mësimdhënësit, në Projektligjin për paga, parashihet të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë, çfarë nënkupton edhe pagë më të lartë.

Dialogu social si zgjidhje?!

Radio Evropa e Lirë nuk arriti të bjerë në kontakt me përfaqësues të sindikatave të punëtorëve nga Këshilli Ekonomik Social.

Ky këshill përfshin punëdhënësit, punëmarrësit dhe Qeverinë e Kosovës.

Sipas Ligjit në Kosovë, Këshilli Ekonomik Social duhet të merret me zgjidhjen e kontesteve ekonomike, sociale dhe profesionale, me marrëveshje dypalëshe apo trepalëshe.

Greva e punonjësve të arsimit dhe shërbyesve civilë ka nisur më 25 gusht, por që nga ajo kohë nuk ka pasur ndonjë komunikim zyrtar nga ana e këtij këshilli si tërësi.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, i cili është pjesë e këtij këshilli, tha më herët, përmes një komunikate për media, se zgjidhja e grevës arrihet vetëm përmes dialogut social.

Dialogu social nënkupton negociata ndërmjet përfaqësuesve të Qeverisë, punëdhënësve dhe punonjësve për çështje me interes të përbashkët.

Ish-ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale në Kosovë, Skender Reçica, pajtohet se dialogu social do të çonte në zgjidhje të problemit.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Reçica kujton se edhe në të kaluarën, kur ka shërbyer si ministër, ka pasur kërkesa të ngjashme të grevistëve.

“Ka ndodhur shpesh që kërkesat e tyre nuk janë përmbushur, sepse nuk ka pasur mundësi buxhetore, e shpeshherë kapacitetet ligjore kanë qenë të limituara, por kur jemi ulur e kemi diskutuar, edhe sindikatat e punëtorëve e kanë parë situatën”, thotë Reçica.

Sipas tij, Këshilli Ekonomik Social është mekanizmi më i mirë që ka Kosova për t’i zgjidhur këto probleme, por, siç shton, problemi është te Qeveria.

“... ajo ka vendosur barriera në raport me kërkesat dhe dialogun me sindikatat. Qeveria, si pjesë e këshillit, duhet të propozojë diçka, që të dilet nga kjo situatë”, konsideron Reçica.

Në një konferencë për media më 3 shtator, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga mësimdhënësit që të mos e bojkotojnë mësimin.

“Organizimi sindikal është tejet i rëndësishëm për të drejtat e punëtorëve, mirëpo kërkesat absurde, iracionale që, në fakt, më shumë janë dëshira arbitrare sesa mundësi reale, nuk mund të ecin përpara”, ka thënë Kurti.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është përfshirë në diskutime, duke takuar përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

Osmani, po ashtu, ka bërë thirrje për hapjen e shkollave.

Greva nuk ndalet pa plotësimin e kërkesave, ka përsëritur në disa raste kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Gjendja në sektorin publik

Paga mesatare bruto në sektorin publik në Kosovë është rreth 480 euro.

Qeveria e Kosovës ka njoftuar më 3 shtator se do t’i mbështesë punonjësit e sektorit publik me nga 50 euro në muaj deri në fund të vitit, për shkak të krizës me rritjen e çmimeve.

Norma e inflacionit në Kosovë ka arritur në 14.2 për qind në muajin korrik, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik të vitit të kaluar.

Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar tashmë Projektligjin për pagat, i cili këto ditë pritet të dalë në debat publik dhe, pastaj, të dërgohet për miratim në Qeveri.

Gjendja në arsim

Cilësia e arsimit në Kosovë është kritikuar në disa raporte dhe vlerësime ndërkombëtare.

Në një raport të publikuar në vitin 2020, Banka Botërore ka vlerësuar se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Kosova, po ashtu, ka dalë gati në fund të listës në dy teste të PISA-s - program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve.

Gjatë dy vjetëve të parë të pandemisë së koronavirusit, më 2020/21, nxënësit në Kosovë kanë kaluar në mësim online në disa periudha kohore.

Tani, kur pandemia është më e qetë dhe s’e pengon mësimin në klasa, është greva ajo që i mban nxënësit larg tyre.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG