"Kam ardhur të marr një certifikatë të lindjes për gruan. Ajo ka termin për vizë, por nuk arrita ta kryej këtë shërbim - janë në grevë".
"Për mua ky është maltretim", tha Enver Shabani nga Prishtina.
Shërbyesit civilë të Komunës së Prishtinës janë në ditën e dytë të grevës. Ata i janë bashkuar grevës së organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).
Ahmet Gashi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të Komunës së Prishtinës tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke ofruar vetëm ndonjë shërbim emergjent.
Shërbimet emergjente që mund të kryhen, sipas Ahmetit, janë lëshimi i dokumenteve për qytetarët që kanë caktuar termin për vizë në ndonjë ambasadë, si dhe në rast të ndonjë dokumenti që kërkohet për raste të sëmundjes.
Por, Shabani, dokumentin (certifikatën e lindjes për gruan) po e kërkonte për t’ia bashkangjitur dokumentacionit për aplikim për vizë dhe nuk arriti ta marrë shërbimin.
Certifikatat e lindjes mund të merren edhe në mënyrë elektronike në Komunën e Prishtinës, por Shabani tha se nuk arriti të pajiset në këtë formë.
“Shans nuk pat, brenda nuk ka shërbim kjo është një neglizhencë. Terminin e kemi me datë të caktuar. Nuk e di sa zgjatë greva, mund të humbë termini për vizë”, tha Shabani.
Në grevë janë edhe mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi projektligji për pagat.
Në institucionin parashkollor “Buzëqeshja”, në Prishtinë 26 punëtorët e këtij institucioni ishin në vendin e tyre të punës, por nuk punonin.
Prindërit nuk i kanë sjellë fëmijët në kopsht, pasi, siç tha Merita Xhelili, edukatore në këtë institucion, i kanë informuar se do të jenë në grevë.
“Të mos i pranojmë fëmijët në kopsht se jemi në grevë, nuk është e lehtë as për ne. Por, për këtë është dashur të mendojë Qeveria”, tha Xhelili.
Xhelili theksoi se prindërit e fëmijëve i kanë mirëkuptuar për grevën, pasi, siç tha ajo, "edhe ata e dinë se me çfarë paga të ulëta punojmë".
Paga mujore e edukatorëve sillet nga 320 deri në 420 euro, varësisht shkollimit që kanë.
Me projektligjin e ri për pagat, mësimdhënësit në institucionet parashkollore është caktuar të kenë koeficientin 5.2, ndërkaq edukatorët koeficientin 5.
Greva për rritje page e punëtorëve në sektorin publik të enjten, ka nxitur reagimin e Qeverisë së Kosovës.
Zëvendëssekretari në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Enis Spahiu, i tha Radios Evropa e Lirë se nëse edhe për një orë një zyrtar është në grevë, ai nuk do të paguhet për atë orë.
Spahiu është thirrur në nenin 18 të Ligjit për greva, i cili thotë se, gjatë zhvillimit të grevës pezullohen detyrimet që rrjedhin nga kontrata e punës, duke përfshirë të drejtën në pagesë dhe detyrimin e bindjes për të punuar.
Në Ligjin për greva të Kosovës thuhet se ‘organizatat sindikale, apo gjysma e të punësuarve të një organizate të caktuar punuese, ku nuk ka organizim sindikal, kanë të drejtë të organizojnë greva, për t’i mbrojtur interesat e tyre ekonomike, sociale dhe profesionale’.
Sipas Ligjit për greva, ndërprerja ose largimi nga marrëdhënia e punës për shkak të pjesëmarrjes në një grevë të ligjshme, është i kundërligjshëm.
Deri më tani, Qeveria dhe Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës nuk kanë arritur ndonjë marrëveshje për ndërprerje të grevës.
Radio Evropa e Lirë të premten nuk ka arritur të vihet në kontakt me asnjë nga përfaqësuesit e sindikatave.
Ali Dragusha, ish-përfaqësues i Sindikatave të punëtorëve, tha se për të dalë nga kjo situatë, sindikatave u duhet një angazhim më i madh përmes dialogut social.
“Dialogu social mungon se sindikatat janë të brishta dhe të pa organizuara”, vlerësoi Dragusha.
Sipas tij, dialogu social përmes Këshillit Ekonomik Social është forma më e duhur për të arritur një marrëveshje, si dhe për zgjidhjen e një problemi të caktuar ndërmjet punëtorëve dhe punëdhënësve.
Dragusha shtoi se grevat mund të bëhen, por jo duke i dëmtuar qytetarët, sikurse në rastin e ofrimit të shërbimeve, apo të fëmijëve në rastin e grevave të mësimdhënësve.
Rrahman Jasharaj nga Këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës i tha Radio Evropa e Lirë të enjten, më 25 gusht, se nuk do të dalin nga greva pa plotësimin e kërkesave. Ai tha se gjendja ekonomike e punëtorëve është rënduar nga rritja e çmimeve të konsumit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, Kosova po përballet me një inflacion të lartë.
Norma e inflacionit në muajin korrik ka arritur në 14.2 për qind, nga 0.9 për qind sa ka qenë në korrik të vitit të kaluar.
Rritja e çmimeve ka nisur nga viti i kaluar, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov, pastaj, u ka dhënë edhe lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila ka nisur më 24 shkurt.
Facebook Forum