Ndërlidhjet

Sindikalistët kërkojnë ndihmë nga spektri politik për nisjen e dialogut me Qeverinë


Greva në disa sektorë ka nisur më 25 gusht.
Greva në disa sektorë ka nisur më 25 gusht.

Përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve që janë në grevë nga 25 gushti, thanë se po bëjnë përpjekje që të nisin dialogun me Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje për kërkesat e tyre.

Gjatë së premtes, këshilli grevist i sindikatave është takuar me përfaqësues të partive opozitare në Kosovë, duke kërkuar mbështetje në kërkesat e sindikalistëve karshi qeverisë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se dëshirojnë mbështjetje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, qoftë edhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet.

“Mësimdhënësit janë të pikëlluar sepse dita e dytë e vitit shkollor do të ishte me nxënës. Është mirë që të gjithë të bëhemi bashkë, të mos lejojmë që Kosova të kthehet në një shtet diktatorial”, tha Jashari.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se qëndrimi i partisë së tyre është që "dialogu social nuk duhet të ketë alternativë”.

"Nuk mund të sillet qeveria ndaj mësuesve, arsimtarëve e zyrtarëve publikë me këtë arrogancë të paparë ndonjëherë në historinë e vendit tonë", tha Krasniqi.

Në grevë, përveç punëtorëve të arsimit janë edhe shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Ata po kërkojnë 100 euro shtesë për çdo punëtorë deri në hyrjen në fuqi të Projektligjit për pagat.

Por, në fund të gushtit, ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se është bërë ekzekutim i pjesshëm i pagave, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

Qeveria argumenton se nuk mund të paguajë punëtorët që janë në grevë, ndërkaq sindikalistët kërkojnë që ekzekutivi të mos ua ndal pagat, pasi e konsiderojnë si joligjore.

Kreu i PDK-së, Krasniqi, tha se qeveria duhet të ekzekutojë pagat e gushtit për grevistët deri në fillim të javës së ardhshme.

"Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, ne do të iniciojmë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të marrë veprime tjera që do të mundësojnë kthimin e ligjshmërisë në këtë vend", tha Krasniqi.

Më herët gjatë ditës Jasharaj, ishte takuar edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“I lus deputetët të mos pushojnë së vepruari, që të mundohen së bashku me ne që të gjejmë një derë të hapur në Qeveri, Qeveri e cila, e cila ne konsiderojmë se për momentin po dëshiron ta shtypë zërin sindikalë”, tha Jasharaj pas atij takimi.

Jasharaj tha se u kanë dërguar ftesë për takim dhe kërkesë për ndihmë të gjitha partive në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe asaj në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje të kryeministrit, Albin Kurti. Ai po ashtu tregoi se ka marrë një ftesë për takim edhe nga kabineti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

“Ne i kemi thënë kabinetit të saj po [për takim], por ende nuk kemi datë e jemi në pritje. Urojmë që presidentja t’i shohë palët e barabarta, mos ta shohë njërën palë më të privilegjuar dhe si njeriu i parë i Kosovës po urojmë, edhe te Zoti, që ajo të kontribuojë që dialogu i mirëfilltë do të fillojë dhe kemi shpresa edhe tek ajo që do të bëjë ndonjë hap pozitiv”, tha Jasharaj.

Ndërkaq, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se dialogu mes sindikatave dhe Qeverisë është imperativ.

“Gjëja e fundit që konsiderojmë që është e domosdoshme tani është penalizmi i mësimdhënësve tanë në këtë krizë të rëndë ekonomike. Gjithashtu kemi ngritur dyshimet tona për muajin gusht, kur nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor, të ndërpriten pagesat në fjalë. Pra është dënim joligjor, nuk ka bazë ligjore”, tha Abdixhiku.

Ministria e Punëve të Brendshme së fundmi ka proceduar Projektligjin për paga, që duhet të kalojë në procedura paraprake dhe publike.

Ky legjislacion duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare ndërsa hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në këtë gazetë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG