Ndërlidhjet

Pse po protestojnë sindikalistët?


Protesta e Federatave Sindikale të Kosovës, 8 prill 2022.
Protesta e Federatave Sindikale të Kosovës, 8 prill 2022.

Miratimi i Ligjit të pagave, zbatimi i Ligjit për sigurime shëndetësore dhe ndryshimi i Ligjit për skemat pensionale, janë tri kërkesat e Federatave dhe Shoqatave Sindikale të Kosovës, të cilat të premten, më 8 prill, kanë protestuar në Prishtinë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, para protestuesve ka thënë se janë lodhur duke pritur zbatimin e këtyre ligjeve.

“Pritëm dhe mund të presim për të mirën e Kosovës sonë, por nuk mund të durojmë shpërfilljen dhe mospranimin e dialogut social dhe mosrespektimin e profesionalizmit tonë. Çmimet kanë kapur majat, e pagat rrinë aty ku ishin, dhe kjo vetëm për punëtorët, sepse të tjerët nuk e kanë keq. Falë djersës së punëtorëve jetojnë si në përralla, por së shpejti do të përrallosen. Për këtë besoj dhe shpresoj fort”, ka deklaruar Hykolli para protestuesve.

Se për cilat ligje organizuan protestë sindikalistët, më poshtë mund t'i mësoni më në detaje:

Ligji ‘i pezulluar’ i pagave

Projektligji për paga, që parasheh rritje të pagave në bazë të koeficientit, apo detyrave që kanë punonjësit publikë, ka mbetur pezull që nga viti 2020.

Ky ligj ishte miratuar në shkurt të vitit 2019 dhe kishte hyrë në fuqi në mars të po atij viti. Por, Avokati i Popullit e kishte dërguar këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të përputhshmërisë së tij me Kushtetutën e vendit.

Më 2020, Gjykata Kushtetuese nxori vendimin dhe tha se ky legjislacion nuk ishte në përputhje me 11 nene të Kushtetutës dhe se shkakton “çrregullim të ndarjes së pushteteve në disfavor të Gjyqësorit dhe institucioneve të pavarura”, duke e shfuqizuar vendimin e Kuvendit të Kosovës.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se janë në proces të rihartimit të këtij projektligji dhe i njëjti pritet të dërgohet në Kuvend gjatë muajit prill.

Sipas Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), protestuesit do të kërkojnë që deri në zbatimin e Ligjit të pagave, të ketë rritje të pagave për 100 euro për punëtorët e sektorit publik.

Kjo pasi, siç kanë thënë më herët sindikalistët, në Kosovë në muajt e parë të vitit 2022 janë rritur çmimet e konsumit, duke bërë që inflacioni në muajin shkurt të arrinte në 7.5 për qind.

Ligji i ‘harruar’ i sigurimeve shëndetësore

Policët e zjarrfikësit, janë ndër punëtorët në profesione që konsiderohen me rrezik, e të cilët punojnë pa sigurime shëndetësore. Ndërsa, një numër i vogël i qytetarëve në Kosovë, përmes kompanive private, paguajnë për sigurime shëndetësore. Kjo pasi, në vend nuk zbatohet Ligji për sigurime shëndetësore.

Një ligj i tillë ishte miratuar më 2014, por asnjëherë nuk është zbatuar për askënd.

Protesta e Federatave Sindikale të Kosovës, 8 prill 2022.
Protesta e Federatave Sindikale të Kosovës, 8 prill 2022.

Zbatimi i ligjit ishte parashikuar që t’i paraprinte një periudhë gjashtëmujore për mbledhjen e fondeve. Mbledhja e fondeve ishte paraparë që të niste më 1 korrik të vitit 2017.

Atëbotë ishin ndarë nga Qeveria e Kosovës 17 milionë euro, derisa më pas ishin tërhequr për t’u orientuar në një destinacion tjetër, përkatësisht për pagesat e pensioneve për veteranët e luftës.

Prej atëherë çështja e sigurimeve shëndetësore ka mbetur pezull.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, në programin për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit të vitit 2021 – zgjedhje në të cilat fitoi mbi 50 për qind të votave – kishte thënë se “funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore publike është detyrë e jonë për të cilën zotohem para jush se do të përmbushet”.

Por, deri më tani ekzekutivi kosovar i udhëhequr nga Albin Kurti nuk ka marrë ndonjë vendim për jetësimin e këtij ligji.

Kontributet pensionale

Kërkesa e tretë e sindikalistëve është që të ndryshohet Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, përkatësisht, të ndryshohet neni ku kërkohet që të ketë 15 vjet kontribute pensionale para 1 janarit të vitit 1999.

Protesta e Federatave Sindikale të Kosovës, 8 prill 2022.
Protesta e Federatave Sindikale të Kosovës, 8 prill 2022.

Para këtij viti, të gjithë qytetarët që kanë pasur kontribute pensionale, të njëjtat nuk iu figurojnë pasi Serbia që nga përfundimi i luftës ende nuk i ka kompensuar ato kontribute ndaj qytetarëve të Kosovës.

Sipas ligjit aktual të pensioneve, çdo person që mbush 65 vjet, e që ka qenë kontributpagues, duhet të dëshmojë pagesën e kontributeve para datës së vitit 1999. Nëse nuk arrijnë të dëshmojnë se kanë pasur kontribut 15 vjet para 1 janarit të vitit 1999, ata nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit kuntributpagues, por vetëm marrin pensionin e moshës.

Buxhetit të Kosovë skemat sociale dhe pensionale brenda një viti i kushtojnë 43.3 milionë euro.

Vlera më e madhe shkon te pensionet bazike të moshës apo 14.9 milionë. Kjo kategori merr pagesë prej 100 eurosh në muaj.

Ndërkaq, në kategorinë e pensionit kontributpagues të moshës, vlera varion në bazë të nivelit të shkollimit.

Në kategorinë e parë hyjnë pensionistët e parsimuar ose ata me arsim fillor dhe pensioni është në vlerë prej 182 eurosh. Ata me arsim të mesëm marrin 198 euro në muaj, pensionistët me arsim të lartë marrin pension prej 214 eurosh në muaj dhe pensionistët me arsim universitar paguhen me 265 euro.

Në Kosovë ka edhe skema të tjera pensionale dhe sociale përfshirë edhe pensionet për veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të punëtorëve të kompleksit “Trepça” e të tjerë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG