Ndërlidhjet

Greva në arsim: Në anën e kujt është topi?


Vendimi për grevë nga ana e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK) në murin e një institucioni parashkollor në Prishtinë.
Vendimi për grevë nga ana e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës(BSPK) në murin e një institucioni parashkollor në Prishtinë.

Java e tretë e shtatorit në Kosovë po përmbyllet me qindra mijëra nxënës jashtë shkollave, me sindikalistë të arsimit që nuk heqin dorë nga greva dhe me Qeverinë e vendit që kërkon fillimin e mësimeve.

Derisa dy palët e fundit duken të betonuara në qëndrime, lind pyetja se cila prej tyre duhet të lëshojë pe?

“Sindikata”, thotë Naser Zeneli, vajza e të cilit do të duhej të ndiqte klasën e tretë në Shkollën Fillore “Asim Vokshi” në Prishtinë. “Arsimtarët i kanë pagat e mira”, thotë ai.

Sipas Shqipe dhe Shpëtim Krasniqit - prindër të dy fëmijëve në Shkollën Fillore “Faik Konica” në Prishtinë - është Qeveria ajo që duhet të zmbrapset dhe t’i mbështesë kërkesat e sindikalistëve.

“Fëmijët po humbin shumë... Qeveria duhet të gjejë zgjidhje”, thotë Shqipja.

Mësimi në Kosovë rëndom nis më 1 shtator. Por, mësimdhënësit e institucioneve publike janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga. Grevën e kanë thyer vetëm disa shkolla dhe mësimdhënës që në mënyrë individuale kanë nisur t’i mbajnë orët.

Qeveria e Kosovës thotë se Ligji për pagat, që parasheh rritjen e tyre, do të dalë në miratim së shpejti. Para disa javësh, ajo ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik përfitojnë nga 50 euro shtesë, nisur nga ky muaj.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK) nuk e ka pranuar këtë “ofertë”, siç e ka cilësuar vetë ajo.

“Po dëmtohet interesi publik”

Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit në Kosovë, thotë se Qeveria duhet të urdhërojë që çdo mësimdhënës të dalë në vendin e punës dhe të mbajë mësim me nxënësit.

“Shteti kërkon seriozitet. Këtu nevojitet vetëm një urdhër... Të gjithë ata që nuk mbajnë nesër mësim, do të dalin para ligjit. Pikë. Sepse, këtu është dëmtuar interesi publik”, thotë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

“SBASHK-u duhet të lëshojë pe. Përgjegjësia është e sindikatës, konkretisht e kryetarit të saj, Rrahman Jasharaj. Qeveria i ka ndarë 50 euro, ai kërkon 80 euro”, thotë Hyseni, duke komentuar një “ofertë” të mëvonshme të grevistëve për 80 euro shtesë, në vend të 100.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, thotë se nuk ndihet fajtor, pasi, siç shprehet, ai është “zë i mësimdhënëseve”.

Fajtore për mbylljen e shkollave, sipas Jasharajt, është Qeveria e Kosovës, sepse “nuk reflekton karshi kërkesave të sindikalistëve”.

Deri në reflektimin e Qeverisë, thotë ai, nuk ka ndonjë datë të mundshme për fillimin e mësimit.

“Zgjidhje ka... Ne nuk po kërkojmë miliarda”, thotë Jasharaj.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se a kanë buxhet për t’i plotësuar kërkesat e mësimdhënëseve dhe a kanë të drejtë t’i urdhërojnë mësimdhënësit të fillojnë procesin mësimor.

“Barrikadimi po dëmton fëmijët”

Në Këshillin e Prindërve të Kosovës thonë se nga greva pësojnë më së shumti nxënësit.

“Ne nuk duam të marrin rolin e gjykatësit, por kjo gjendje barrikadimi nuk ka kuptim. Është një ofertë financiare [nga Qeveria] që SBASHK-u do të duhej t’i përgjigjej me një gjendje tjetër. Pra, do të duhej të kishte lëvizje edhe nga pala tjetër”, thotë Jeton Demi, kryetar i Këshillit të Prindërve.

Ditë më parë, ky këshill u bëri thirrje prindërve që t’i marrin librat në shkollë dhe të fillojnë të punojnë vetë me fëmijët e tyre.

“Kjo është rrugë më e vështirë, e për disa prindër gati e pamundur, por është zgjidhja e urtë e mbrojtjes së fëmijëve tanë, pa lënduar askënd”, u tha në reagimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës.

Pagat e mësimdhënësve

Paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, ndërsa me ligjin e ri pritet të arrijë në 620 euro.

Mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe kjo shumë pritet të rritet në 696 euro.

Projektligji për paga, nga data 15 shtator deri më 6 tetor, është në procedurat e konsultimeve publike.

Më pas duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Ligji hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

Sindikalistët e arsimit thonë se kërkesa për 100 euro shtesë deri në fuqizimin e ligjit është e bazuar, për shkak të rritjes së inflacionit.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në vend është rritur për 13 për qind në muajin gusht, krahasuar me gushtin e vitit 2021.

Cilësia në arsim

Sistemin arsimor të Kosovës e karakterizon ngecja në cilësi.

Në dy teste të PISA-s - program ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve - Kosova ka dalë gati në fund të listës botërore.

Po ashtu, në një raport të Bankës Botërore, të publikuar në vitin 2020, është vlerësuar se nxënësit në Kosovë “kanë ngecje të madhe në mësimnxënie”.

Derisa përpjekjet për t’i dhënë fund grevës në arsim të mos kenë sukses, mbi 300.000 nxënës do të mbeten jashtë bankave shkollore.

Në një anketë që ka publikuar Radio Evropa e Lirë në ueb-faqen e saj dhe që reflekton vetëm opinionin e pjesëmarrësve, shumica thonë se sindikalistët duhet të lëshojnë pe.

*Anketa e publikuar në ueb-faqe

Përveç mësimdhënësve, në grevë, nga 25 gushti, janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore, të cilët kanë të njëjtat kërkesa.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG