Ndërlidhjet

Problemet që rrisin distancën e Ballkanit me BE-në


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat ende nuk i kanë rrumbullakuar proceset e integrimeve në Bashkimin Evropian, janë duke punuar në favor të këtyre integrimeve, por është fakt që disa vende të Bashkimit Evropian, janë duke krijuar distancë me këto vende, si dhe kanë nisur një diskutim lidhur me atë se sa është duke funksionuar procesi i zgjerimit, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane dhe të zhvillimeve politike.

Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë, se trajtimi që javë më parë i kanë bërë disa vende të Bashkimit Evropian çështjes së hapjes së negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por edhe qasja e në vazhdimësi e atyre vendeve ndaj procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk janë në përputhje me parimet e përgjithshme, por edhe premtimet të cilat Bashkimi Evropian i ka dhënë për këto vende. Megjithatë, sipas tij, ngadalësimi i të tri vendeve në rrugën e integrimeve evropiane nuk duhet lidhur me një arsye, sepse për të tri vendet ekzistojnë arsye të ndryshme të cilat i ngadalësojnë në proceset integruese.

Një person mban në duar në pano ku shkruan: Evropa ime a po më sheh, unë jam ende këtu.
Një person mban në duar në pano ku shkruan: Evropa ime a po më sheh, unë jam ende këtu.

Shasha thotë se përderisa Kosova ka pasur rastin që të marrë liberalizimin e vizave në vitin 2016, ajo atëherë nuk e miratoi Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ndërkohë që më pas dështoi në luftën kundër korrupsionit të profilit të lartë. Sipas tij, për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë e Veriut, ka pasur mjaft konsensus të vendeve anëtare të BE-së, por futja në një pako me Shqipërinë, e ka ngadalësuar procesin për të dy vendet. Kundër hapjes së negociatave, siç thotë ai, ka qenë Franda, Spanja, Danimarka dhe Holanda.

“Këto katër vende, publikisht kanë deklaruar se janë kundër hapjes së negociatave. Këto janë të gjitha vende të mëdha të BE-së. Ato kanë një kritike të qëndrueshme, e cila është ‘si mund të hapim negociata me një vend (Shqipërinë), i cili thuajse çdo ditë mund të fillojë një luftë civile dhe ku përfaqësuesi i sovranit, Kuvendi i këtij vendi, nuk është funksional’. Do të thotë, elementi bazë i funksionimit demokratik, nuk është në këtë vend. Këto janë kritika legjitime. Këto janë kritika para së cilave nuk mund t’i mbyllim sytë duke fajësuar Francën”, tha Shasha.

Artan Muhaxhiri, analist i çështjeve politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që arsyetimet e disa vendeve të Bashkimit Evropian për mospërkrahjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kanë ndryshuar me kohën. Sipas tij, arsyetimet e tilla, në disa raste janë të bazuara në fakte, por shpeshherë kanë bazë të pastër politike.

“Sa i përket rastit të Shqipërisë, refuzimi dhe këmbëngulja e Francës mund të jetë e bazuar në interesat e brendshme të presidentit (të Francës, Emmanuel) Macron, i cili synon të përfitojë nga elektorati i djathtë, që është kundër migracionit dhe që është kundërshtar i ashpër i procesit të zgjerimit. Ndërsa, në rastin e Kosovës, BE-ja shpeshherë i ka ndryshuar qëndrimet dhe nuk ka pasur një sinqeritet në raport me shpërblimin e Kosovës, pas plotësimit të të gjitha kritereve të parashtruara nga BE-ja”, theksoi Muhaxhiri.

Ndërkaq, Shasha vlerëson që ndonëse diskursi publik dëshiron të fajësojë vetëm njërën anë, megjithatë, për ngecjen në integrime të vendeve të Ballkanit Perëndimor faji është i përbashkët.

“Më një anë, kjo qëndron, që disa vende ballafaqohen me një elektorat të tyre, i cili nuk është në favor të zgjerimit të BE-së. Kjo qëndron dhe natyrisht, Macron, fillimisht si politikan nacional, i cili përfaqëson sovranin në Francë, e ka parasysh që në muajin maj fitoi ndaj (Marine) Le Pen për vetëm 1 për qind. Por, pyetja duhet shtruar se a ka bërë Shqipëria çdo gjë për të merituar nisjen e negociatave dhe besoj që këtu diskutimi duhet të jetë për atë se a ka mundur Shqipëria të bëjë më shumë, në veçanti sa i përket jetës politike dhe demokratike në Shqipëri”, vlerësoi Shasha.

Muhaxhiri shpreh mendimin që vendet e Ballkanit Perëndimor shpeshherë nuk kanë në nivel gjatë plotësimit të kritereve që ndërlidhen me proceset integruese. Por, megjithatë, sipas tij, Bashkimi Evropian po ashtu, ka qenë tolerant ndaj plotësimit ose jo të tërësishëm të kritereve ndaj disa vendeve që tashmë janë anëtare të tij.

“Nëse shkohet me logjikën e tillë, atëherë të gjitha shtetet e Ballkanit do të kenë probleme të jashtëzakonshme në procesin e integrimit. Mirëpo edhe BE-ja duket jo e sinqertë që të presë që shtetet e Ballkanit, me gjithë këtë trashëgimi negative, të plotësojnë absolutisht të gjitha kriteret dhe pastaj të varen nga dinamikat e brendshme politike të vendeve të fuqishme evropiane”, u shpreh Muhxhiri.

Lidhur me refuzimin, javë më parë, të disa vendeve të Bashkimit Evropian që të hapin negociatat për anëtarësim në BE, të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka pasur reagime të shumta në të dyja këto vende, por edhe brenda vetë strukturave të BE-së.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker e ka cilësuar këtë si “gabim të madh historik”.


Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn ka thënë se nuk është krenar për vendimin që të mos hapen negociatat për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ai ka thënë se vonesat në procesin e integrimit mund t’i hapin rrugë fuqive tjera, si Kina dhe Rusia, që të kenë rol më të fuqishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Kosova mbetet e fundit. Ajo, deri më tash ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, si të vetmen marrëveshje kontraktuale, ndërkaq që qytetarët e Kosovës mbeten të vetmit në Ballkanin Perëndimor, të cilët nuk kanë liberalizim të vizave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG