Ndërlidhjet

Bruksel: 13 vende të BE-së kërkojnë zgjerimin në Ballkanin Perëndimor


Flamuj të vendeve anëtare të BE-së.
Flamuj të vendeve anëtare të BE-së.

Ndër vendet anëtare të Bashkimit Evropian po qarkullon një dokument joformal, në të cilin kërkohet konfirmimi me shkrim që zgjerimi në Ballkanin Perëndimor vazhdon të jetë një alternativë kredibile.

Shërbimi për Ballkanin i Radios Evropa e Lirë e ka parë këtë dokument ku ndër të tjera nënvizohet se BE-ja duhet të përmbushë angazhimin për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor dhe që nuk ekziston “Plani B” për këtë.

Dokumenti i ashtuquajtur “non-paper” është një dokument joformal që zakonisht diskutohet në bisedimet e brendshme në institucionet e BE-së, dhe ka për qëllim arritjen e një pajtimi për një çështje të diskutueshme politike.

*Expose: Një BE më pak mikpritëse

Një BE më pak mikpritëse
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:11:05 0:00

Siç mëson Radio Evropa e Lirë, iniciativën për këtë letër e ka nisur Polonia dhe mbështetja për këtë dokument është konfirmuar nga 13 anëtarë të BE-së, kryesisht nga Evropa Qendrore dhe Lindore, ku bëjnë pjesë vende që i përkasin grupit të “anëtarëve më të rinj” të BE-së.

Gjithashtu, bëhet e ditur se po punohet për të fituar mbështetje sa më të madhe për këtë dokument para takimit ministror që do të mbahet më 18 qershor. Nismëtarja e dokumentit synon që ky dokument të miratohet në formën e një deklarate të përbashkët të ministrave të BE-së.

Para së gjithash, përmes këtij dokumenti, kërkohet që të konfirmohet hapja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në qershor të këtij viti. Ky vendim, sipas mendimit të anëtarëve të BE-së që e mbështesin këtë letër, do të shërbejë si një faktor i rëndësishëm motivues për të gjithë rajonin.

Në dokument thuhet se kjo do të "forcojë qëndrueshmërinë e vendeve (të Ballkanit) ndaj interesave të jashtme dhe të dëmshme të aktorëve të tjerë dhe do të sigurojë që BE-ja të vazhdojë të jetë lojtari kryesor për transformimin pozitiv të rajonit".

“I bëjmë thirrje Këshillit të BE-së që të marrë vendime të guximshme në qershor për të nxitur përparimin e vazhdueshëm të reformave në përputhje me standardet dhe vlerat e BE-së që do të forconin bashkëpunimin rajonal, pajtimin, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe do të siguronte mbështetje të rëndësishme për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit dhe kontinentit tonë ", theksohet në dokument.

Në këtë dokument, ndër të tjera thuhet se Këshilli i BE-së duhet të "pranojë se politikat e zgjerimit janë mjeti më efektiv për promovimin e standardeve dhe vlerave të BE-së”.

Kjo nismë vjen në kohën kur vendet anëtare të BE-së janë të ndara sa i përket hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Komisioni Evropian javën e kaluar ka rekomanduar hapjen e pakushtëzuar të negociatave të anëtarësimit ndërmjet Brukselit e Shkupit dhe Tiranës.

Debati i parë do të mbahet më 18 qershor, megjithatë, për shkak se këto çështje kërkojnë pajtim mes shteteve anëtare të BE-së, në këtë moment, nuk ka qëndrim të përbashkët të BE-së për të konfirmuar rekomandimin e Komisionit Evropian.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker më parë këtë javë pranoi se tani për tani nuk ka konsensus në mesin e shteteve anëtare për miratimin e hapjes së negociatave për anëtarësim.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG