Dështimi i arritjes së konsensusit në Bashkimin Evropian për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk do të duhet të shtojë pesimizmin në Kosovë, sado që ajo ndodhet e fundit në procesin e gjatë të integrimit në BE, thonë profesorë dhe analistë të çështjeve evropiane.
Bashkimi Evropian në takimet që u zhvilluan gjatë kësaj jave, nuk arriti të marrë një vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Sa i përket Kosovës, e cila ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat, BE-ja ka një numër kërkesash specifike, ndër të cilat mbizotëron ajo për avancimin e dialogut me Serbinë, por edhe kërkesa e vazhdueshme për avancimin e sundimit të rendit dhe ligjit.
Por, pengesa më e madhe, mbetet ajo e mosnjohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së.
Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian, para se të ecë përpara në anëtarësimin e vendeve të reja apo edhe hapjen e negociatave, duhet të këtë njëmendje, nëse e dëshiron apo jo Ballkanin Perëndimor në familjen e vet.
Ai shton se qëndrimi i BE-së karshi Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, më shumë mund të quhet si mosunifikim i qëndrimeve brenda shteteve të BE-së.
“Sa i përket Kosovës, Kosova e ka për detyrë që të vazhdojë të punojë në reformat që kërkon BE-ja, por që Kosova edhe po të ishte më e avancuar në momentin aktual kur e kemi parasysh që pesë vende vazhdojnë të mos e njohin Kosovën si shtet, do ta kishte tejet të vështirë”.
“Kur një shet si Franca doli të jetë pengesë kryesore dhe nuk u hapën negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe nuk është që Franca e konteston subjektivitetin e juridik të këtyre dy shteteve, në rastin e Kosovës jo vetëm që do të ketë reagime, por duhet të kihet parasysh që pesë vendet nuk e njohin subjektivitetin juridik të Kosovës, prandaj do të jetë e vështirë”, thotë Ujkani.
Moshapja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë ngritën shqetësime të mëdha. Vendimi jopozitiv i BE-së e u theksuan se nuk do të jenë një shembull i mirë për Kosovën dhe Bosnjën në proceset integruese.
“Nëse dënojnë shembullin më të mirë (Maqedoninë e Veriut) si do të motivojnë Vuçiqin, si do të motivojnë Thaçin, apo si do të motivojnë Bosnjën. Në rajonin tonë interesa kanë Turqia, Rusia, Kina, por ato nuk ofrojnë sundim të së drejtës dhe demokraci. Këtë e kemi parë, prandaj duam demokraci”, ka thënë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
*Expose: Një BE më pak mikpritëse
Në vitin 2018 u nënshkrua marrëveshja mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, duke mbyllur kontestin e më shumë se dy dekadave mes dy vendeve fqinje për çështjen e emrit me ç`rast shteti u emërua Maqedonia e Veriut.
Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i paralajmëroi vendet anëtare të BE-së se mungesa e vendimit pozitiv për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të ndikojë në situatën në rajon, e veçanërisht në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
"Nëse Maqedonia e Veriut nuk shpërblehet siç duhet, nuk do të ketë motiv që Serbia dhe Kosova të hynë në një dialog kuptimplotë për bashkëjetesën e ardhshme të tyre, sepse mënyra e vetme për ta bërë këtë është perspektiva evropiane", ka thënë Hahn.
Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë se brenda vendeve të BE-së, po shihet një diskurs rreth integrimit më të mirë mes vendeve anëtare të BE-së, para çfarëdo hapi të mëtutjeshëm drejt zgjerimit.
Ky diskurs, sipas Shashës është i duhur, pasi që do t’ju ndihmojë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai thotë se ishte gabim perceptimi se me Marrëveshjen e Prespës ndërmjet Shkupit dhe Athinës, Maqedonia e Veriut fiton negociatat e anëtarësimit me BE-në, Në këtë aspekt, Shasha thotë se edhe Kosova nuk duhet të pres që të arrijë një marrëveshje eventuale me Serbinë, që të përfitojë nga procesi i anëtarësimit në BE.
“Nuk duhet parë optika se tani marrëveshja e Prespës nuk po shpërblehet me hapjen e negociatave dhe rrjedhimisht çfarë të humbim kohë edhe ne të bëjmë një marrëveshje me Serbinë, nuk përfitojmë asgjë, ai këndvështrim është gabim. Marrëveshja e Prespës ka qenë qëllim në vetvete dhe qytetarët e Maqedonisë dhe qytetarët e Greqisë janë më mirë sot se para marrëveshjes. Njëjtë qytetarët e Kosovës dhe Serbisë arritjen e një marrëveshjeje duhet të shohin si qëllim i politikës së fqinjësisë së mirë mes dy vendeve fqinje”, thotë ai.
Marrëveshja Kosovë – Serbi
Megjithatë, Demush Shasha beson se arritja e marrëveshjes Kosovë – Serbi dhe avancimi i sundimit të rendit dhe ligjit, do ta sjellin Kosovën në një status më të avancuar me BE-në, respektivisht drejt statusit kandidat.
Në anën tjetër, profesor Emrush Ujkani thotë se marrëveshja me Serbinë, do të jetë e domosdoshme për Kosovën që të avancojë në procesin integrues.
“Qeveria e ardhshme duhet ta ketë të qartë se duhet të punohet më tepër në proceset integruese edhe pse fokusi do të jetë mbi atë siç është arritja përfundimtare e marrëveshjes Kosovë – Serbi”, thotë Ujkani.
Raporti i fundit për Kosovën i Bashkimit Evropian pati shpreh shqetësimin për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, nivelin e lartë të përhapjes së korrupsionit, ekonominë joformale e ngecjen në reformën zgjedhore.
Në shumicën e këtyre fushave ishte theksuar në raport se është shënuar përparim i vogël. Ndërsa, shumë prej rekomandimeve, për secilin nga institucionet përgjegjëse, mbesin të paadresuara.
Profesor Emrush Ujkani thotë se edhe në raportin e vitit të ardhshëm nuk mund të pritet ndonjë ndryshim i madh dhe se vërejtjet do të jenë të njëjta.
“Ka pasur ndonjë përmirësim të vogël, por ato janë gjëra shumë minore në raport me atë që vendi duhet të bëjë. Ajo çka do të nënvizohet në këtë vit në raportin e BE-së besoj që do të jenë zgjedhjet që kanë kaluar në një proces të mirë, por ky është vetëm një vlerësim i mirë, por në aspektet tjera Kosova në dy tre vite e fundit nuk ka bërë një progres të madh, por që ndoshta në të ardhmen do të ketë një angazhim më të madh”, thotë Ujkani.
Kosova është e fundit në procesin integrues. Deri më tani Kosova me Bashkim Evropian ka të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Acocimit e cila është marrëveshja e parë dhe e vetme kontraktuale.
Qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor ku edhe përkundër premtimeve të shumta nga liderët politikë në vend, nuk kanë liberalizimin e vizave.