Ndërlidhjet

A i luhati raportet e Kosovës me NATO-n, formimi i Ushtrisë?


Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Kosovës
Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Kosovës

Me vendimin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kapacitete ushtarake, Kosova nuk arriti të sigurojë edhe mbështetjen e plotë të NATO-s.

Qëndrimi i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg se transformimi po ndodhë në një kohë të papërshtatshme dhe se Kosova mund të ketë pasoja për këtë veprim, në Prishtinë po shihet më shumë si pozicion i NATO-s që reflekton qëndrimet e shumta të vendeve anëtare brenda Aleancës, ku ka edhe shtete që nuk e njohin pavarësinë e saj.

Krerët e institucioneve të Kosovës, kanë përsëritur këto ditë se transformimi nuk do të bie ndesh me NATO-n dhe as me misionin e KFOR-it në Kosovë. Madje, edhe vet transformimi i FSK-së, sipas lidershipit në Prishtinë do të kalojë në koordinim me NATO-n.

Nisur nga qëndrimet e NATO-s dhe Prishtinës zyrtare, ish-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku tha për Radion Evropa e Lirë se është i kuptueshëm reagimi i NATO-s. Çeku tha se edhe NATO-ja e ka kuptuar se Kosova ka pritur mjaft shumë derisa është konfirmuar se përfaqësuesit serbë nuk do të japin votën për formimin e ushtrisë.

“Ne kemi treguar mirëkuptim. Kemi treguar përgjegjësi, kemi treguar vullnet që të presim, por mendoj se këto NATO i vlerëson. Unë e kuptoj këtë reagim të NATO-s, sepse brenda NATO-s janë katër vende që nuk na kanë njohur dhe NATO-ja duhet të bëjë çmos që të mos shkaktojë përçarje mes aleatëve dhe ne nuk dëshirojmë përçarje mes aleatëve”, tha Çeku.

“Mendoj se është reagim i momentit, i sekretarit të NATO-s, por ne si Kosovë, si FSK do të tregojmë në të ardhmen se ka qenë i drejt ky vendim”, tha ish-ministri i FSK-së, Agim Çeku.

Në anën tjetër, Jens Stoltenberg ka shprehur keqardhje që vendimi i Kuvendit të Kosovës, sipas tij, është marrë pavarësisht shqetësimeve të shprehura nga NATO.

“Përderisa transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në parim është çështje për të cilën duhet të vendosë Kosova, ne e kemi bërë të qartë se kjo lëvizje vjen në kohën të papërshtatshme”, ka thënë Stoltenberg.

“NATO mbështet zhvillimin e FSK-së në mandatin aktual, dhe me ndryshimin e mandatit, Këshilli i Atlantikut të Veriut tani duhet të rishqyrtojë nivelin e përfshirjes së NATO-s me FSK-në”, ka thënë shefi i NATO-s.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës përmes një deklarate kishte rikonfirmuar se vendimi për formimin e ushtrisë nuk do të prek në asnjë formë raportin me NATO-n që sipas tyre u ndërtua ndër vite.

Koordinimi i Kosovës me NATO-s, daton që nga përfundimi i konfliktit të armatosur të vitit 1999, kur trupat shumëkombëshe të NATO-s, përkatësisht KFOR-it u dislokuan në Kosovë.

Rrjedhimisht, edhe formimi i ushtrisë së Kosovës, kaloi nëpër një proces jashtëzakonisht të gjatë. Ky proces daton nga lufta e viteve 1998-99, ku pas përfundimit të luftës, disa nga pjesëtarët e UÇK-së, u bënë pjesë e një organizimi të ri, Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Trupat Mbrojtëse të Kosovës mbetën aktive deri pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt të vitit 2008.

Shpallja e pavarësisë i hapi rrugë formimit të një force tjetër, gjithmonë duke u bazuar në dokumentin e të dërguarit special për statusin final të Kosovës, Marti Ahtisarit.

Pakoja e Ahtisarit parashihte formimin e një force të re, multietnike dhe me mision të kufizuar e cila u ngrit në vitin 2009 nën mbikëqyrjen e NATO-s.

Nga dita e formimit e deri në shndërrimin e saj në ushtri, FSK-së i lejohej që të posedonte vetëm armatim të lehtë.

Në kuadër të misionit, FSK-ja kishte kryerjen e operacioneve të reagimit ndaj krizave në Kosovë dhe jashtë saj e ku përfshihen operacionet e mbrojtjes civile duke ju ndihmuar autoriteteve civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.

Pjesëtarët e FSK-së përgjatë viteve u përfshinë në operacione të kërkim shpëtimit, mënjanimin e mjeteve shpërthyese, kontrollin dhe pastrimin e materieve të rrezikshme, zjarrfikje si dhe detyra të tjera të ndihmës humanitare.

Në kuadër të programeve dhe bashkëpunimeve të ndryshme shumë pjesëtarë të FSK-së u dërguan për trajnime jashtë vendit. Aktualisht, Forca e Sigurisë së Kosovës ka 2,500 pjesëtarë aktivë dhe 800 pjesëtarë rezervë.

Megjithatë misioni dhe kapacitetet që kishte FSK-ja nuk përkuan me ambicien e institucioneve, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj.

Prej shpalljes së pavarësisë, institucione e kishin të pamundur që t’i bënin ndryshimet kushtetuese përmes së cilave, FSK-ja transformohej në Forca të Armatosura të Kosovës.

Ndryshimet kushtetuese dështuan pasi mund të bëheshin vetëm me votën e deputetëve të komuniteteve pakicë në Kuvend, përkatësisht votat e deputetëve serbë, të cilat nuk u siguruan asnjëherë.

Pas vendimit të Kuvendit për votimin e ligjeve për bërjen e ushtrisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Ushtria e Kosovës do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.

“Është ditë historike por krejt normale, e zakonshme. Një e arritur historike kjo e jona, e merituar. Kosova ka ushtrinë. Ka shtetin që po konsolidohet dhe forcohet çdo ditë, ushtria e Kosovës ashtu edhe sikur shteti dhe shoqëria do të jenë multietnike, profesionale në shërbim të të gjithë qytetarëve, të paqes në Kosovë dhe rajon”, tha presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se FSK-ja do të jetë një ushtri e të gjithëve dhe se do t’i kontribuoj paqes.

“Ushtria e Kosovës nuk është ushtri që e ka në doktrinë të kthehet kundër popullit të vet. Serbët e Kosovës si në jug e në veri janë njerëz të lirë, janë në shtëpinë e vet, janë të Kosovës, e ushtria e Kosovës kurrë nuk do të përdoret kundër tyre”, tha Haradinaj.

Gjatë kohës sa Institucionet e Kosovës paralajmëruan votimin e ushtrisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shprehën haptas mbështetje për këtë proces por kërkuan bashkëpunim me partnerët dhe aleatët e NATO-s.

“Të gjitha palët brenda dhe jashtë Kosovës duhet t’i mbështesin dhe t’i nxisin qytetarët e komuniteteve pakica të Kosovës për të marrë pjesë në forcat e saj të sigurisë, për dobinë e komuniteteve të tyre dhe të vendit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të zotuara për të punuar me FSK-në për promovimin e zhvillimit profesional dhe evolucionit organizativ, i cili do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane”, thuhet në reagimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Transformimi i FSK-së u quajt proces normal edhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, porse që të dyja vendet kërkuan angazhim të institucioneve të Kosovës në drejtim të ruajtjes së raportit me NATO-n.

Transformimi i FSK-së, u kundërshtua vazhdimisht nga Qeveria e Serbisë.

Në disa raste si pasojë e presionit, pjesëtarë të komunitetit serb u largohen nga FSK-ja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG