Autoritetet e Kosovës kanë siguruar përfaqësuesit ndërkombëtarë se tranzicioni i Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt shtimit të kapaciteteve dhe përgjegjësive, nuk bie ndesh me misionin e KFOR-it në Kosovë. Po ashtu, sipas udhëheqësve të lartë të Kosovës, ky tranzicion do të ruajë edhe karakterin shumetnik të FSK-së.
Disa ditë pasi Kuvendi i Kosovës miratoi në parim pakon ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, krerët e institucioneve vendore dhe komandanti i kësaj Force kanë folur para përfaqësuesve ndërkombëtarë, ku bënin pjesë gjeneralë, atashe ushtarakë dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë.
*Video: Kur dhe si do të bëhet Kosova me ushtri?
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se tranzicioni i FSK-së është legjitim, është demokratik dhe gjithashtu është një proces gradual dhe synon që të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale.
Haradinaj tha se FSK-ja është forcë shumetnike, duke shtuar se në asnjë mënyrë nuk do të tolerohet që të ketë dhunë apo kërcënime për pjesëtarët e saj.
“FSK-ja nuk do të zëvendësojë KFOR-in. KFOR-i është i mirëseardhur në shtetin tonë. FSK-ja nuk do ta zëvendësojë NATO-n. Prania e NATO-s në shtetin tonë është e mirëseardhur përgjithmonë dhe ne dëshirojmë t’i bashkohemi NATO-s, dëshirojmë të shërbejmë me ju dhe, FSK-ja, gjithashtu me tranzicion është e gatshme të shërbejë me ju kudo në botë”, tha kryeministri Haradinaj.
Gatishmëria e Kosovës për t’iu bashkangjitur NATO-s, sipas kryeministrit Haradinaj, konfirmon edhe gjithë atë që ka bërë NATO-ja në mbështetjen, trajnimet dhe profesionalizmin e FSK-së dhe praktikat e mira të saj, si dhe është një investim i vlefshëm që kanë bërë për Kosovën.
“FSK-ja është anëtare e koalicionit kundër terrorizmit, por ne jemi të gatshëm që të bëhemi anëtar edhe të INTERPOL-it, por që gjithashtu dëshirojmë të jemi anëtarë edhe të NATO-s”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri tha se përmes kësaj konference, shfrytëzon rastin t’ iu bëjë thirrje shteteve të NATO-s, që të ftojnë Kosovën dhe Forcën e saj në ekipet e tyre.
Ndërkaq, ministri i Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, tha se prania e partnerëve tanë në këtë konferencë e bënë FSK-në të krenohet me punën e përbashkët për paqe dhe siguri në vend dhe më gjerë.
“Jemi zotuar që të bëheni ofrues rajonal i sigurisë dhe jo vetëm konsumues i saj”, tha ministri Berisha, duke shtuar se kjo nënkupton anëtarësimin përfundimtar në NATO.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, gjatë kësaj jave, iu bëri thirrje serbëve të Kosovës të mos bëhen pjesëtarë të FSK-së.
“Atë ushtri nuk po e bëjnë për asgjë tjetër veçse një ditë t’i përdorin serbët për të shtënë në drejtim të serbëve”, ka thënë Vuçiq.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama i quajti i papranueshme kërcënimet ndaj pjesëtarëve serbë të kësaj force.
“Ne i kuptojmë sfidat nga jashtë që ballafaqohemi sot si Forcë e Sigurisë së Kosovës. Kërcënimet ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë të papranueshme. Vetëm të ju siguroj se FSK është organizatë profesionale që udhëhiqet nga profesionalizmi dhe jo emocionet. Ne po punojmë për një të ardhme më të mirë për gjithë qytetarët pa dallime etnike”, tha Rama.
*Video nga arkivi: Rruga e gjatë për ta bërë ushtrinë
Me procesin e transformimit të FSK-së, sipas kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nuk po bëhet asgjë e jashtëzakonshme, përveç vazhdimit të partneritetit me vendet dhe institucionet që kanë ndihmuar zhvillimin e kësaj force. Ai tha se të rralla janë rastet që një ushtri në formim e sipër, të prezantohet kaq dinjitetshëm në botë, sikurse është FSK-ja, kuadrot e të cilës kanë shkëlqyer duke marrë medalje në garat ndërkombëtare më prestigjioze.
“Kjo flet për nivelin e lartë të përgatitjes profesionale dhe përvetësimit të standardeve më bashkëkohore të ushtrive më moderne të kohës sonë. Kjo flet se FSK-ja ka përmbushur të gjitha standardet e nevojshme për të kaluar në hapin tjetër të saj: formalizimin në Ushtri të Kosovës. Ne para pak ditësh në Kuvendin e Kosovës miratuam tri ligjet e nevojshme për avancimin e këtij procesi dhe jemi të vendosur që të ecim përpara së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë”, tha Veseli.
Që kur institucionet e Kosovës filluan procesin e transformimit të FSK-së, këtë forcë e kanë lëshuar 71 pjesëtarë të komunitetit serb, sipas të dhënave të Ministrisë së Forcës së Sigurisë. Gjatë fundjavës së kaluar, në veri të Mitrovicës është vendosur një eksploziv në oborrin e shtëpisë së një pjesëtari nga komunitetet pakicë të FSK-së, e cila u demontua pa pasoja nga ana e policisë.
Ushtruesja e detyrës së ambasadores së SHBA-së në Kosovës, Colleen E. Hyland shkroi në Twitter se kërcënimet e vazhdueshme të serbëve të Kosovës dhe pjesëtarëve tjerë të komuniteteve pakicë po i dëmton të gjithë.
“FSK-ja ka qenë model për vendin dhe përpjekja e tyre për të qenë gjithëpërfshirës duhet të përgëzohet dhe jo të minohet” ka shkruar Hyland.
Tri ligjet për tranzicionin e FSK-së janë në procesin final të miratimit të dytë në Kuvendin e Kosovës. Procesi i tranzicionit drejt një Force me kapacitete dhe përgjegjësi shtesë, pritet të zgjasë nga 7 deri 10 vjet.