Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka thënë se vazhdon të mbështesë “tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së”.
Në një përgjigje dhënë Radios Evropa e Lirë, kjo Ambasadë u ka bërë thirrje udhëheqësve politikë që procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës të vazhdojë në mënyrë përfaqësuese për të gjithë qytetarët e Kosovës.
”Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin tranzicionin e disiplinuar dhe transparent të FSK-së në një ushtri profesionale, shumetnike dhe që është e ndërveprueshme me ushtrinë e NATO-s dhe me mandat të kufizuar të vetëmbrojtjes territoriale. Nxisim udhëheqësit politikë të Kosovës që të sigurojnë që procesi të vazhdojë në një mënyrë përfshirëse dhe shumë të kujdesshme që përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës dhe që është e koordinuar ngushtë me aleatët nga NATO-ja”, ka thënë kjo Ambasadë.
A do ta ketë Ushtrinë Kosova pa ndryshime kushtetuese?
Kuvendi i Kosovës ka miratuar ditë më parë tri projektligjet e propozuara nga Qeveria për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Përmes këtyre tri projektligjeve, synohet që Forca e Sigurisë së Kosovës të transformohet në një forcë me kapacitete shtesë, përfshirë edhe përgjegjësi të mbrojtjes, pa ndryshuar emrin e saj.